Meta prezanton dekanin Rrokaj kandidat për deputet në Tiranë
Kreu i LSI Ilir Meta, prezantoi dje si kandidat për deputet të LSI në Njësinë nr. 2, ish-rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof.Shezai Rrokaj. Gjatë fjalës së tij, Ilir Meta u shpreh se “LSI ka një program shumë të qartë, që e kemi bazuar nga fillimi deri në fund tek punësimi”. “Alternativa që vërtet jep siguri, begati dhe integrim për shqiptarët, është vetëm alternativa e punësimit, e krijimit të mundësive për punësim për të gjithë, që të ushtrojnë aftësitë dhe talentet e tyre në profesione të caktuara, në sfera të caktuara, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijnë të jetojnë me dinjitet, të mbajnë familjet e tyre me dinjitet dhe të rrisin fëmijët me dinjitet. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë vërtet të jemi të qetë dhe të sigurt, sepse është një shoqëri, e cila po punon në strese të jashtëzakonshme, sepse nuk ka asnjë politikë, që t’i orientojë njerëzit, që t’i ndihmojë dhe t’i lehtësojë problemet e tyre”, tha Meta. Duke vazhduar më tej, Meta u shpreh se “ju e shikoni se në çfarë gjendje është situata ekonomike në vend, në çfarë gjendje është biznesi në përgjithësi dhe qeveria nuk do t’ia dijë fare, nuk merr asnjë masë për këtë gjë. Do hapë 300 mijë vende pune thotë Sali Berisha, për 4 vitet që vijnë, ndërkohë që para disa ditësh u deklarua se u mbyllën 11 mijë vende pune nga industria e fasonëve, e prodhimit të veshjeve me material porositës që është industria që ka numrin më të madh të së punësuarve, rreth 100 mijë veta dhe janë kryesisht vajza dhe gra”, tha Meta. Duke vazhduar me prioritetet e LSI-së për qeverisjen e pas 28 qershorit, Meta tha se punësimi dhe politikat fiskale do të jenë në qendër të këtij programi. “Në të gjitha drejtimet politikat tona do të synojnë tek punësimi, që nga politikat fiskale dhe tatimore e deri tek politikat arsimore, e kështu me radhë. Ne jemi për një qeverisje praktike, konkrete, një qeverisje që nuk është peng i demagogjisë së saj dhe i frazave të pakuptimta. Prandaj dhe slogani “Koha për Veprim” është koha për të marrë vendim, është koha për të sqaruar gjërat, është koha për të vendosur prioritete dhe për të ecur me këto prioritete”, tha Meta. Sipas tij, alternativa e LSI-së synon të përgjysmojë numrin e të papunëve sot, për sa i takon fuqisë aktive, por jo vetëm kaq, por dhe të zgjerojë aktivitetet prodhuese në vend dhe sidomos aktivitetet që mundësojnë një rritje të prodhimit vendas dhe uljen e ndjeshme të importeve, gjë që do të reflektonte në një forcim të ekonomisë tonë kombëtare dhe do të sillte dhe një forcim dhe një mirëqenie të gjithë qytetarëve shqiptarë”.