E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk do ketë zgjedhje pa karta

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist lëshoi dje ultimatumin ndaj qeverisë se nuk do të ketë zgjedhje në 28 qershor pa karta identiteti. Gjatë një inspektimi që ai vetë zhvilloi në Nikël të Fushës-Krujës, Rama pa nga afër vështirësitë që po kalojnë qytetarët pa pasaporta për t’u pajisur me karta identiteti. Sipas Ramës, situata është alarmante, pasi në të gjithë vendin kanë aplikuar vetëm 38 për qind e qytetarëve pa pasaporta. Kreu i opozitës Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste nuk do të lejojë zgjedhje pa u pajisur të gjithë shtetasit me karta identiteti. “Ne nuk do lejojmë zgjedhje, të cilat përjashtojnë qindra-mijëra shqiptare e shqiptarë nga e drejta e votimit, ne nuk do të tolerojmë një proces zgjedhor të manipuluar për shkak të paaftësisë, papërgjegjshmërisë, por edhe qëllimisht. Këtu ka një problem të madh, që është paniku i Sali Berishës dhe i kësaj qeverie të kthyer në një ndërmarrje familjare përballë një procesi, i cili është gjykimi i popullit për këto 4 vjet, që të mos ketë dhe 4 vite të tjera si këto”, u shpreh dje Rama gjatë inspektimit në Nikël. Duke parë nga afër shqetësimet e qytetarëve, kreu socialist vërejti se kjo gjendje ekziston në të gjithë vendin. “Duam që sa më parë të marrim kartat që të jemi të gatshëm për votim, por këtu tek ne ende s’ka nisur aplikimi. Ne vijmë çdo ditë e interesohemi për këtë proces, por me sa duket këto janë skema që përdor ky shtet”, u shpreh dje njëri prej banorëve të Niklës. Kreu socialist u kërkoi qytetarëve të mos humbin durimin, ndërsa ka premtuar se Partia Socialiste nuk do të lejojë deformimin e zgjedhjeve nga veprimet qeveritare.
“Duhet që të gjithë bashkë të përpiqemi. Dhe secili të bëjë mundimin e tij për të aplikuar duke këmbëngulur. Ju lutem mos humbi durim, mos humbni dëshirën për të marrë pjesë në këtë ndryshim historik të 28 qershorit, ndaj bëhuni të gjithë bashkë për t’i dhënë krah ndryshimit të domosdoshëm që do të ndodhë do apo nuk do Sali Berisha”- u shpreh Rama në fjalën e tij drejtuar banorëve. Sipas shifrave të bëra publike nga Partia Socialiste në të gjithë vendin konstatohet situatë alarmante për pajisjen me karta të shtetasve pa pasaportë. Situata më skandaloze e aplikimeve konstatohet në qarkun e Kukësit, i cili mbetet qarku me nivelin më të ulët të arkëtimeve, vetëm 9.5 për qind. Sipas PS-së edhe efekti i vendimeve të qeverisë për lehtësimet financiare nuk duket domethënës, madje në mjaft raste i pazbatueshëm ose i zvarritur qëllimisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›