E Shtunë, 31 Tetor 2026

Glover na duhet të gjithëve

Petrit Vasili 

Një zonjë angleze ka vënë në një provë të rëndë identitetin moral dhe social të zgjedhjeve të 28 qershorit. Prova është kalimi ose jo me sukses i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, provë të cilën politika shqiptare e ka humbur vazhdimisht dhe hera-herës në mënyrë vërtet të turpshme. Një nga turpet e mëdha dhe emblematike mbetet 26 maji i 1996. Glover ka qenë këtu ndër ne në ato ditë të shëmtuara të 1996-ës dhe ka përmbushur vetëm një detyrim, atë që ka thënë të vërtetën për atë tragjedi elektorale, e cila ishte prelud i një tragjedie kombëtare ... të dhimbshme dhe të pashlyeshme. Sot prania e kësaj zonje ka vënë në panin të madh manipulatorët e zakonshëm dhe të njohur të zgjedhjeve në Shqipëri, por ka vënë në provë edhe moralin e gjithë atyre që duan që zgjedhjet t’i shohin si adetin rutinë të radhës dhe jo si një mundësi të madhe për të ndryshuar gjërat në këtë vend të dërmuar nga varfëria dhe papunësia. Është thuajse e pabesueshme kurajo për të kërkuar largimin e saj nga qeveria dhe nga kushdo tjetër vetëm e vetëm sepse intrasigjenca anglosaksone e saj ka zbuluar të vërtetën e shëmtuar të 26 majit. Morali i shprishur i manipulimit të zgjedhjeve është vënë në panik të madh, sepse i duhet të kalojë një provë të humbur në mënyrë të turpshme njëherë dhe për këtë arsye arrihet deri në një marrëzi të tillë sa që të kërkohet edhe largimi i Gloverit.Kjo zonjë është sot pa dashjen e saj një test i moralit dhe i së vërtetës është me fjalë të thjeshta një dëshmitar jo komod i krimit të vjetër elektoral të 26 majit, ku shfrenimi manipulativ i PD-së dhe Berishës në atë kohë arriti të nxjerrë fitore të PD-së në disa qendra votimi, me më shumë se 103% të votave si dhe të shpallte fituesit që në orën 12:00 të drekës, ose më thjesht akoma 6 orë përpara se zgjedhjet të mbylleshin.
Nuk ka qenë fajtore Glover për ato ngjarje që damkosën për një kohë të gjatë Shqipërinë, por ata që i gatuan. Integriteti i fenomenit Glover na duhet pa asnjë diskutim të gjithëve, sepse na duhen zgjedhje që na çojnë përpara. Agonia e zgjedhjeve të pista dhe të manipuluara duhet të marrë fund. Asnjë nga ne nuk mund të ndihet mirë kur standardet e zgjedhjeve shqiptare janë të ngjashme me ato afrikane. Në qoftë se Glover e ka dhënë dhe e ka fituar provën e integritetit, të gjithë duhet të jemi të gëzuar dhe duhet të ndihemi më të qetë dhe më të sigurt, sepse notën e zgjedhjeve do ta japë një gjykatës i drejtë dhe objektiv. Oportunizmi që bekon zgjedhje të manipuluara do të ishte shkatërrimtar, sepse askush në perëndim nuk ka dhënë as shenjën më të vogël se do të tolerojë një tjetër turp dhe dështim të zgjedhjeve në Shqipëri. Kompromisi me manipulimin dhe konsensuset me amoralen dhe vjedhjen janë një shërbim shumë i dëmshëm për vendin, sepse do të thoshte që të rivije në diskutim edhe ato pak arritje si dhe ato pak perspektiva e objektiva të ndërtuara me aq mund. Sot shërbimi i ndershëm i Glover-it na duhet të gjithëve. Le të pushojmë njëherë e mirë së sjelluri si provincialë dhe le të pranojmë më në fund gjykimin dhe vlerësimin e ftohtë dhe të vërtetë që nuk ka lidhje me fituesin dhe me humbësin, por thjesht dhe vetëm me ndershmërinë e garës dhe të të gjithë procesit.
Vetë diskutimi i kësaj çështje ka qenë një demonstrim negativ që mori dhenë dhe e vuri pushtetin aktual në një nivel me Republikat alla Lukashenko, sepse kushdo e kupton lehtë se një vend anëtar i NATO-s e ka të patolerueshme që të sillet në një mënyrë të tillë e të kërkojë absurditete të tilla.
Do të ishte e papranueshme edhe për opozitën nëse ajo do të bënte kërkesa të tilla, ndonëse do të ishte relativisht e mirëkuptuar për arsye të vështirësive që një opozitë ka në Shqipëri.
E bërë nga qeveria, kjo kërkesë është më shumë se një turp, është një shqetësim se mos diçka e mbrapshtë dhe e pandershme ishte menduar prej saj në dëm të zgjedhjeve dhe kjo mund të zbulohet e dalë në shesh nga vëzhgimi objektiv i tyre.
Qeveria shqiptare duhet të kuptojë njëherë e mirë se për Shqipërinë gjëja më e rëndësishme sot është mbajtja e zgjedhjeve të ndershme dhe të pakontestuara, fituesit e zgjedhjeve të manipuluara do të ishin jo një zgjidhje, por një gjëmë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.
Në 2007-ën në zgjedhjet lokale, në të parat zgjedhje të organizuara nga Berisha që pas vitit 1996, vlerësimi qe se ato ishin “zhgënjim”. Pra rekordet e kësaj maxhorance janë dhe vazhdojnë të mbeten të komprometuara ashtu si edhe vetë procesi i pajisjes me karta identiteti. Për pasojë çdo pretendim i saj për arbitrin e zgjedhjeve është thellësisht i kompromentuar pa asnjë bazë logjike dhe absurd.
Për këto arsye Glover-i si fenomen shumë më shumë se sa individ na duhet të gjithëve. Standardi Glover na bën mirë. E vërteta elektorale që kërkojmë na çon tek Glover-i. Duan apo s’duan disa, Glover-i është një mundësi e gjallë se një 26 maj i dytë nuk do të lejohet më kurrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›