Delijorgji: Politikanët që më akuzojnë i kisha miq, zbulohen e-mailet e fshehta të Ylli Pinarit
Unë jam Mihal Delijorgji dhe po i drejtohem opinionit publik nga qelia ku vijoj të vuaj dënimin, ende pa u dënuar nga gjykata. Ka mëse një vit që ndodhem në këtë pozicion të padëshiruar për askënd, dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, kurrë nuk më kish vajtur ndër mend të flisja në publik përderisa ende nuk ka filluar procesi gjyqësor ndaj meje. Kjo për shkak të vetë ngjarjes së rëndë që ndodhi në Gërdec, për respekt ndaj jetëve të humbura, por dhe për hir të besimit te drejtësia e në gjykimin e drejtë të saj. Në gjithë këta muaj pra, ndonëse ndodhem në kushte të pafavorshme, kam ruajtur qetësinë duke respektuar gjithçka e gjithkënd, duke respektuar ligjin dhe në pritje të verdiktit të tij. Por nuk ka ndodhur kështu jashtë këtyre mureve ku jam ndryrë. Prej një viti, vijon një fushatë e egër dhe e ndyrë që po abuzon duke cënuar emrin tim, duke hedhur baltë mbi mua, bizneset e mia dhe çfarë është më e keqja, shantazhi shkon deri në familjen time. Në të tilla kushte nuk mund të hesht. Unë jam i mbyllur në qeli, për një vepër për të cilën duhet të japë fjalën e fundit drejtësia.
Por a nuk është një krim i dukshëm dhe fakti kur abuzon në mënyrë të dukshme me emrin e tjetrit e duke masakruar psikologjikisht familjen e tij? Kjo çfarë po ndodh e çfarë po thuhet për Delijorgjin është jashtë çdo logjike. Ndërsa deri dje isha i respektuar nga shumë prej këtyre “zotërinjve”, sot gati më quajnë si mishërim i së keqes. Siç edhe dihet, Mihal Delijorgji qëndroi këtu pas ngjarjes së rëndë, nuk u largua dhe di ti mbajë përgjegjësitë e veta. Po këta zotërinj, a i kanë bërë pyetje vetes se çfarë janë? Mos vallë u bënë ëngjëj duke sharë Delijorgjin ndërsa më parë e konsideronin mik?
Së fundmi në media emri im është sërish në krye të titujve. Po flitet për skenarë, tabulate telefonatash e nuk di më tepër pasi gjithsesi, unë jam në qeli. E kuptoj se tashmë ka filluar fushata elektorale dhe gjithkush do të nxjerrë përfitime politike, por nuk mund të lejoj që ky përfitim të bëhet në kurriz të emrit tim. Dua të deklaroj publikisht se shumë sa thuhen për biseda e për tabulate janë thjesht shpifje. Ju lutem nuk dua të abuzohet me emrin tim mbi biseda të supozuara me liderin e të majtës zotin Edi Rama, zotin Ilir Meta apo qoftë dhe me djalin e Kryeministrit z.Shkëlzen Berisha. Si biznesmen kam pasur kontakte të gjera në të gjitha fushat dhe në të gjitha krahët dhe kurdoherë jam treguar korrekt me të gjithë. Natyrisht që në tabulatet e telefonatave të mia do të dalin edhe biznesmenë, ministra, politikanë dhe deputetë të të gjithë krahëve. Madje në këto tabulate do të dalin edhe numrat e shumë prej kryeredaktorëve me të cilët gjithashtu kam pasur kontakte korrekte herë pas here. Atëherë pse gjithë kjo farsë? Si ka mundësi që politikanë që e dinë mirë kush është Delijorgji, se kemi ndarë orë të tëra shoqërore, sot të flasin kaq çapraz për të. Si ka mundësi që gazetarë e njerëz të medias, për të cilët dera e zyrës sime ka qenë gjithmonë e hapur, sot të denigrojnë emrin tim në mënyrë kaq kriminale jashtë çdo etike profesionale. Madje ndonjë prej këtyre të fundit mund të më ketë dhe para borxh, por në vend të vlerësimit e të paktën “të hidhnin një paketë në burg”, janë shndërruar në kryqëzusit abuzivë më të mëdhenj të emrit tim, duke mos më kursyer as familjen.
Të gjithë këtyre, politikanë e aspirantë të saj, interesaxhinj e gazetarë që abuzojnë me të vërtetën; u them vetëm kaq. Mjaft më. Boll. Boll abuzuat me emrin tim. Boll e përdorët për hir të interesave të caktuara politike. Unë nuk jam pjesë e tyre dhe nuk do lejoj të luhet me nderin tim për hir të tyre. Të kujtdoqoftë. Ju nuk të lini as në hallin tënd, zotërinj, por dashkeni të shqyeni a të cëmbisni deri në fund. Kini durim deri sa të fillojë gjykimi i çështjes, ashtu siç po duroj edhe unë. Nëse ju aty jeni në fushatë elektorale, kjo është puna juaj. Unë jam në tjetër hapësirë. Jam në hapësirën e ligjit dhe në pritje e plot besim te drejtësia. Më lini pra në vuajtjen e dënimit (kur ende nuk jam gjykuar) dhe ndërpriteni këtë fushatë të turpshme ndaj meje dhe familjes sime.
Me respekt
Mihal Delijorgji
PR: Mediu i takon të gjithë, nga Shkëlzen Berisha tek Edi Rama
Partia Republikane akuzoi dje klane të lidhura me Prokurorinë e Përgjithshme se kanë ndërmarrë një fushatë shpifjesh dhe manipulimesh ndaj kryetarit të kësaj partie për shpërthimin në Gërdec. Nënkryetari i PR-së, Neritan Alibali tha gjatë një konference për shtyp se hetimi për ngjarjen e Gërdecit u manipulua dhe ish-ministri Mediu nuk u mor asnjëherë në pyetje për të dhënë variantin e tij. “Fatmir Mediu e njeh Kryeministrin dhe familjen e tij që nga viti 1991. Ndaj, Po...Fatmir Mediu është takuar me Shkëlzen Berishën. Fatmir Mediu është takuar me Edi Ramën. Është takuar me Ilir Metën. Eshtë takuar me deputetë e politikanë të djathtë e të majtë, me përfaqësues të medias e qytetarë të thjeshtë, për çdo problem e pa i njohur, duke besuar se ky është një detyrim etik e moral i çdo zyrtari të lartë, e duke qenë se për fat të mirë jetojmë në një vend të lirë, ku gjithkush mund të takojë këdo”, u shpreh Alibali. Sipas tij “Ne e dimë që ka filluar fushata elektorale dhe ndryshe nga Partia Socialiste dhe gjithë sejmenët e tyre, ne ballafaqohemi me atë çka kemi bërë për qytetarin shqiptar dhe me respektin që njerëzit kanë për Partinë Republikane”. Nënkryetari i Partisë Republikane i bëri thirrje Partisë Socialiste të ketë kurajën të përballet me drejtësinë. “Ne kemi pasur kurajë të përballemi me drejtësinë dhe manipulimet e Prokurorisë, ndaj urojmë dhe shpresojmë që edhe opozita ta ketë të njëjtën kurajë për t’u përballuar me drejtësinë dhe të pranojë autorësinë për të gjitha skandalet që ka shkaktuar”, përfundoi Alibali.
Ngatërresa me sms-të brenda burgut, në përgjime nuk përmendet Delijorgji
TIRANE – Gazeta “Panorama” publikoi dje disa biseda dhe mesazhe telefonike të zbardhura nga prokuroria gjatë përgjimeve që janë bërë në lidhje me ngjarjen e Gërdecit. Duke konfirmuar autenticitetin e numrave telefonikë të cituar si dhe bisedat e zbardhura, të cilat gjenden në dosjen “Gërdeci”, gazeta sqaron se protagonistët e përgjimit nuk janë të identifikuar me emrat e Mihal Delijorgjit dhe bashkëshortes së tij, Vjollca Delijorgji. Konkretisht, në rastin e mesazhit të dërguar më 30 maj 2008, nga numri celular 0693602016 në numrin 0693388481, në formularin ku janë zbardhur emrat e personave të përgjuar, nuk është bërë identifikimi i plotë i personave që flasin mes tyre. Konkretisht në formularin e këtij mesazhi të përgjuar, është shkruar se marrësi i mesazhit është një person me emrin apo nofkën “Turi”, pra nuk shënohet se komunikuesit janë Mihal Delijorgji me të shoqen. Po kështu edhe në rastin e mesazhit të dërguar më datë 3 qershor 2008, nga numri 06936602016 për te numri marrës 0693388481, përsëri nuk është shënuar në dokumente në asnjë rast emri i Mihal Delijorgjit dhe bashkëshortes së tij. Edhe për këtë sms, numri marrës është përshkruar se i përket një personi me emrin “Turi”. Nga ana tjetër, në kërkesën e prokurorisë për përgjimin e komunikimeve mes këtyre numrave, është thënë se përgjimi bëhet për çështjen e Gërdecit dhe se celulari që ka marrë mesazhet mbahej në burgun 313 në Tiranë. Në kohën kur është bërë shkëmbimi i sms-ve, në burg për ngjarjen e Gërdecit ishin vetëm Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji. Në dosje numrat e përdorur nuk janë identifikuar plotësisht, pasi një celular mund të jetë përdorur nga më shumë se një person brenda qelive të burgut.
Moisiu: Gërdeci, Berisha të japë dorëheqjen
Ish-presidenti Alfred Moisiu në një intervistë të dhënë për “News 24” ka deklaruar se ngjarja e Gërdecit tregon për një korrupsion të lartë të nivelit politik në Shqipëri. “Gërdeci nuk është problem i mossigurisë, ai është një problem me origjinën e korrupsionit. Pra korrupsion politik i shkallës më të lartë shtetërore, e kam thënë disa herë ndaj dhe e përsëris sepse jam i bindur për këtë gjë, dhe faktet që po dalin me tabulatet dhe dokumentet këtë gjë tregojnë. Pra tregojnë që aty kanë qenë të përfshira sferat e lartë të shtetit ndaj këta njerëz duhet të kishin dhënë dorëheqjen duke filluar që nga kryeministri, kjo gjë bëhet për t’i dhënë mundësi drejtësisë që të operojë”, tha Moisiu. Ish-presidenti në lidhje me dokumentet e nxjerra në media, ku përfshihen familjarë të qeveritarëve, u shpreh se “sigurisht që nuk është gjë e lehtë. Nuk mund të flas në emër të Kryeministrit, është e drejta e tij, por për mua është e rëndë”. Ndërsa ka shprehur shqetësimet në lidhje me presionin që i bëhet Prokurorisë së Përgjithshme. “Është evident edhe presioni mbi Prokurorinë, duke nisur që nga ligji për Prokurorinë që qeveria miratoi para pak kohësh. Ka shumë gjëra që tregojnë se drejtësia është e tulatur dhe se politika gjithnjë ushtron presion mbi institucionet e pavarura. Është gjykata dhe prokuroria që duhet të kenë pavarësinë e duhur dhe forcën ekzekutive të duhur, që gjithsecili të mendohet mirë para se të bëjë një gabim, pasi do ta ketë të sigurt që do të paraqitet para drejtësisë. Ne kemi ligjin dhe Maliqin, gjë e cila na vjen që nga koha e diktaturës”, theksoi Moisiu.
Amerikani Patrick Henry, si ra në kontakt me ish-drejtorin e Ministrisë
Zbulohen e-mailet e Pinarit me ortakun e Delijorgjit
Trazhgim Sokolaj
Dy vite para tragjedisë që shkaktoi 26 të vdekur, Gërdeci ishte një objektiv i mirë për biznes. Iniciatori ishte ish-drejtori i MEICO-s në Ministrinë e Mbrojtjes Ylli Pinari.
Siç rezulton nga materialet e dosjes hetimore, ai kishte hyrë në kontakt me zviceranin Henry Tomei, një emër që do të përflitej më vonë për rolin misterioz në ndërmjetësimin e shitjes së municioneve me origjinë kineze, që Shqipëria i dha SHBA-ve për forcat afgane të sigurisë. Zvicerani Tomei i cili duket se ka qenë në kontakt me Ylli Pinarin, madje i mirinformuar për çështjen e municioneve shqiptare, i propozon biznesmenit amerikan Patrick Henry të bëjë biznes në Shqipëri. Henry sipas instruksioneve të marra nga zvicerani Tomei, fillon komunikimin me Ylli Pinarin. Më poshtë zbardhen e-mailet e sekuestruara nga prokuroria për komunikimin që në fakt përbën fillesën e asaj që ndodhi në Gërdec. Pas komunikimeve të mëposhtme me Ylli Pinarin, Patrick Henry krijon një kompani të përbashkët me Mihal Delijorgjin si ortakë mes tyre dhe më pas fillojnë aktivitetin në Gërdec.
E-mail i dërguar më 27 shkurt 2006, nga Patrick Henry:
Përshëndetje Z.Pinari!
Unë jam Patrick Henry nga Southern Ammounition Company. Unë do të mbërrij në Tiranë të mërkurën më 1 mars 11:20 me fluturimin “Alitalia 506”. Numri im GSM është....Jam i gjatë me flokë të errëta dhe me mustaqe, rreth 49 vjeç. Më është thënë nga Henry Thomet (Henri Tomei) që ju do të më prisni në aeroport. Pres të takohemi.
E-mail dërguar më 8 mars 2006 nga Patrick Henry për Ylli Pinari
Jam kthyer në zyrë. Më poshtë gjërat për të cilat diskutuam:
1. Kampion i arkave me fishekë (gëzhoja) prej tunxhi për skrap
2. Kontakti në Itali që bën tunxh për skrap
3. Shoqëria që merret me barutin në Belgjikë
4. Vlerësimi i sasisë nga prodhuesi dhe tipi i fishekëve për 3 kalibrat e mësipërm
5. Miratim i koncept-propozimit nga Ministria e Mbrojtjes
A do ishte e mundur që unë të bëja çmilitarizimin në një bazë ushtarake për arsye sigurie?
E-mail i dërguar më 27 prill 2006, Patrick Henry shkruan:
Z.Pinari,
Ju lutem me telefononi. Jam përpjekur t’ju telefonoj në celular, por nuk kam marrë ndonjë përgjigje.
E-mail i dërguar më 19 maj 2006, Patrick Henry shkruan:
Më është thënë që ju keni afërsisht 200 milionë copë me kalibër 7.62 x 54 r, 18 milionë 12.7 dhe 9 milionë 4.5 municione me bazë tunxhi.
Ja çfarë propozoj unë:
1. Unë do t’i paguaj Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për çdo 1000 për 7.62, 28 dollarë, për çdo 1000 për 12.7 mm dhe 36 dollarë për m për 14.5 mm, duke supozuar se arkat janë prej tunxhi me një përmbajtje të pranueshme silikoni apo papastërtish të tjera. Bazuar në kampionët e vegjël që ne testojmë, materialet duket se janë të pranueshme. Nëse sasitë janë si më sipër, kjo do të sillte për Ministrinë e Mbrojtjes afërsisht 1.8 dollarë.
2. 2. Sasitë minimale për të justifikuar ngritjen do të ishin rreth 30 milionë 7.62 x 54 r dhe 5 milionë 12.7 mm e 4 milionë 14.5
3. Aktualisht mua nuk më lejohet që të dërgoj këtë municion në mjediset e mia në SHBA, por nëse kjo do të ndryshojë, do të doja të kisha mundësinë që ta përpunoja këtë municion në mjediset e mia në SHBA.
4. Do të kërkoja që të më ofrohen mjedise të sigurta për të nisur operimin në Shqipëri. Mendoj se një fabrikë e vjetër municionesh do të ishte vendndodhja më e mirë. Do të më duhen jo më shumë se 1 mijë metra katrorë, si dhe një zonë e mjaftueshme për ruajtjen e municionit.
5. Afatet e pagesës: unë do të paguaja që më përpara për shumën e kërkuar. Do të doja të blej disa ngarkesa sa për të filluar dhe sa herë që të përfundoj me një ngarkesë, unë do të blej ngarkesën zëvendësuese.
6. Koha: mendoj se do të jem i gatshëm të filloj në 3-6 muaj dhe koha për të përfunduar punën nuk do të ishte më shumë se 24 muaj përveçse kur ka materiale shtesë.
7. Nëse çmimi i tregut apo kërkesa bie gjatë kohës që operimit, unë ruaj të drejtën që të ndaloj pa pasur detyrimin të përfundoj pjesën e mbetur të ngarkesës.
Do t’ju telefonoj me vonë sot për të diskutuar këtë me ju.
E-mail i dërguar më 18 korrik 2006 Patrick Henry shkruan:
Faleminderit për ndihmën tuaj në ecjen përpara të këtij projekti. Mendoj se është e rëndësishme që Ministria e Mbrojtjes të kuptojë se shumica, për të mos thënë i gjithë municioni është prodhim i viteve 1950 dhe 1960 dhe asnjë ushtarak legjitim nuk do të blinte municion kaq të vjetër. Nuk ka fare treg për municionet 12.7 dhe 14.5
E-mail i dërguar më 6 nëntor 2006 Patrick Henry shkruan:
Cili do të jetë çmimi për municionin në arka tunxhi 7.62 x 54r nëse unë do të blija atë si municion dhe jo për skrap?
Faksi, Bumçi ngre padi ndaj ish-sekretares
TIRANE – Deputeti Aldo Bumçi, zëdhënës i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dorëzoi dje në Prokurorinë e kryeqytetit një kallëzim penal ndaj ish-sekretares së tij. Kallëzimi penal për shpifje është bazuar në deklarimet e dhëna prej ish-sekretares së Bumçit për grupin hetimor të Gërdecit, e cila në dëshminë e saj ka pretenduar se një faks i Ministrisë së Drejtësisë nisur për Ministrinë e Mbrojtjes lidhur me procedurat që do të ndiqeshin në Gërdec, kishte të shënuar me shkrimin e Aldo Bumçit, shënimin “për Z. Shkëlzen Berisha”. Deputeti Bumçi mohoi dje në mënyrë kategorike që shkrimi në fjalë të jetë kaligrafia e tij. Sipas Bumçit prokuroria mund të ekspertojë shkrimin fare lehtë, ndërsa theksoi se kjo çështje duhet hetuar në mënyrë që e vërteta të zbardhet sa më shpejt dhe drejtësia të vihet në vend. “Nëse rezulton ndryshe nga hetimet unë jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi politike”, tha Bumçi dje në Prokurori.