Ndotet me lëndë kimike, masakër te liqeni artificial
Erë e rëndë dhe ngjyra jeshile mbi sipërfaqen e ujit. Që larg pjesa në anë të digës së liqenit artificial prej disa ditësh është ndotur prej inerteve. Kanë qenë banorët dhe ata që çdo mëngjes zgjedhin parkun e madh për të shëtitur të cilët janë alarmuar të parët. Ata iu drejtuan organeve kompetente shëndetësore dhe Bashkisë për të marrë masat e duhura. Sipas tyre, që të hënën liqeni ka qenë i mbushur në të gjithë bregun e tij me një lëndë të çuditshme, e cila mbante erë që të shponte hundët. Menjëherë specialistë e Drejtorisë së Shëndetit Publik filluan kryerjen e analizave paraprake. Sipas tyre, deri tani rezulton se uji i liqenit artificial në Tiranë nuk ka ndotje sanitare pra nuk ka shtim të ngarkesës bakteriale. Por analizat nuk kanë përfunduar ende. Nga sa sqarojnë ata, fenomeni ka ardhur për shkak të hedhjes së disa materiale inerte ndërtimi në të, ndërkohë situata vazhdon të jetë në ndjekje të vazhdueshme për kryerjen e analizave kimike nga Agjencia Rajonale e Mjedisit. Dyshimet e para hidhen mbi një bot ndërtimi, që thuhet se u përket pallateve që po ngrihen përreth zonës, ndërkohë që u hodh poshtë mundësia që ndotja të kishte ardhur nga pishinat rrotull liqenit. Këtë katastrofë mjedisore e ka denoncuar dje publikisht edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eduard Shalësi. “Është një ngjarje e rëndë, e cila do të ketë pasoja katastrofale ekologjike për Liqenin. Por kjo situatë ka ardhur si rezultat i keqpërdorimit mjedisor të territorit, pasi nuk ka një administrim të mirë të pushteteve. Ndaj dhe ndodhin gjëma të tilla. Shalsi deklaroi se duhet të gjenden urgjentisht shkaktarët e kësaj tragjedie, që të mos ndodhin më ngjarje me të tilla përmasa. “Prokuroria të nisë hetimet dhe të zbardhë këtë shkatërrim mjedisor që i është bërë parkut të liqenit”, tha Shalësi. Ajo që ende nuk dihet është shkalla e vërtetë e dëmit që mund të ketë mund shkaktuar lënda e hedhur në liqen. Pjesa që duket është ajo sipërfaqësore, ndërkohë që pasojat mund të jenë shumë më të mëdha për gjallesat nënujore. ” Në liqen hidhen lloj-lloj mbeturinash po si këtë herë nuk kemi parë. Kanë hedhur edhe klor për të larguar peshqit, por që liqeni të ndotet në këtë masë, kjo është hera e parë”, - thotë një prej pronarëve të lokaleve aty pranë. Edhe atyre kjo situatë u ka sjellë jo pak dëme. Dy ditët e fundit vizitorët që zgjedhin liqenin si vendpushimi, kanë preferuar të qëndrojnë larg tij duke u mjaftuar vetëm me një xhiro në këmbë. Era e rëndë e materialit të panjohur të hedhur në liqen, ka bërë që klientët të ndërrojnë destinacion. Specialistët e Mjedisit nuk dinë të thonë me saktësi se kur është hedhur lënda misterioze në liqen. Ata hedhin dyshimin se lënda ngjyrë pane është derdhur katër apo pesë ditë më parë. Se çfarë përmbajtje ka lënda do të merret vesh vetëm pasi të përfundojnë analizat.
“Lënda ndotëse mund të shkatërrojë gjallesat në liqen”
Lënda që është zbrazur në liqen mund të jetë kimike. Çka do të thotë se ndotja mund të ketë pasoja vërtet të parikuperueshme. Dyshimi hidhet nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit. Specialistët e saj dyshojnë se bëhet fjalë për një përzierje acidi, e cila në kontaktin e parë me ujin është përhapur në sipërfaqe. Por këto mbeten ende dyshime, për aq kohë sa nuk janë vërtetuar. Përbërësi që është shkarkuar në ujërat e liqenit është i rrezikshëm për gjallesat që gjenden në të dhe shkakton ngordhjen e tyre. Dikur një oaz, ku edhe mund të freskoheshe, liqeni tashmë prej vitesh nuk është ai që ka qenë. Mbeturina hidhen në të kohë pas kohe, nga persona të cilët as duan t’ia dinë se çdo të thotë mjedis. Por siç thonë dhe vizitorët e përditshëm të parkut të madh, ndotja e fundit nuk është parë më parë. Jo vetëm uji, por edhe në ajër ndihet era e rëndë.