E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Modeli i Edi Ramës, klientelë e ngushtë korruptive

 

Ministri i Punëve të Jashtme, Z. Lulzim Basha, akuzoi dje kryetarin e Partisë Socialiste, njëherësh edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Ramën se, modeli i tij, prej 10 vjetësh në pushtet, është ai i shërbimit të një klientele të ngushtë. Në takimet me  banorë të komunave Përparim, Gjocaj dhe Karin, Ministri Basha tha se, pasurimi i tij dhe i një grupi biznesmenësh ka qenë në qendër të modelit qeverisës të Ramës, model që ai kërkon ta shtrijë në të gjithë Shqipërinë. “Edi Rama ka një model, një model më shumë se 10-vjeçar, pa ndërprerje në krye të pushtetit. Cili është ky model? Ky është modeli i një klientele të ngushtë njerëzish të cilët, me abuzimin dhe korruptimin e plotë të pushtetit, vjelin djersën, mundin, frytet e shqiptarëve nëpërmjet hinkës së pushtetit dhe i kanalizojnë ato në xhepat e Z. Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë”, u shpreh Basha. Sipas ministrit të Jashtëm slogani i kreut të PS-së përtej të majtës dhe të djathtës ka të bëjë me interesat e tij korruptive. “Përtej të majtës dhe të djathtës, anash të majtës dhe të djathtës, nuk ka të bëjë as me të djathtën, as me të majtën por ka të bëjë vetëm me një grusht biznesmenësh, të cilët i ka përdorur për interesat e tij korruptive dhe që shpresojnë se, më 28 qershor, interesat e tyre korruptive t’i shtrijnë në gjithë Shqipërinë”, vijoi më tej Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›