E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullat e reja për fondet, kryebashkiakët i tremben selektimit

Reagimi Drejtuesit socialistë nuk shpresojnë për përmirësim: Konkurrimi lë hapësirë për abuzime

Një ditë pas publikimit të ndryshimit të formës së përfitimit të granteve konkurruese nga ana e njësive të qeverisjes vendore, reagojnë krerët e disa prej tyre. Veçanërisht krerët e komunave dhe bashkive që përfaqësojnë të majtën, shprehen mosbesues ndaj deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha.

Fier

Kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, dhe ai i Lushnjës, Albert Sanxhaku, janë shprehur se pavarësisht të ardhurave që ata i dërgojnë qeverisë, kjo e fundit asnjëherë në këto gjashtë vitet e fundit nuk është treguar dorëlëshuar me grantet. “Fieri si qytet është i treti në vend për nga të ardhurat që i jep buxhetit të shtetit. Por në 4-vjeçarin e parë, Kryeministri Berisha e harroi Fierin. Vetëm në fund të mandatit u kujtua për të financuar një rrugë, ndërsa lidhur me grantin, e ka ulur ndjeshëm atë”, tha kreu i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj.

Gjithashtu Zeqaj tha se shembulli më konkret është granti i këtij viti, që në krahasim me vitin e shkuar është ulur me 120 milionë lekë. Ndërkohë që granti për këtë vit është ulur edhe për Bashkinë e Lushnjës, e cila drejtohet nga një tjetër i majtë. Për Bashkinë e Patosit dhe atë të Roskovecit, bashki këto që drejtohen nga të majtët, granti është përgjysmuar. Përballë kritereve të reja për grantin konkurrues, kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, thotë se: “Nëse do të respektohen këto kritere, atëherë Fieri do të marrë një fond shumë herë më të lartë se më parë”.

Elbasan

Drejtuesit lokalë të Qarkut të Elbasanit tregohen mosbesues për ndryshimet në ndarjen e granteve. Kështu, Qazim Sejdini, kryetar i Bashkisë së Elbasanit, shprehet: “Mendoj se asgjë nuk ndryshon. Secila njësi vendore, po qe e zonja, do të hartojë të njëjtat projekte për komunitetin e vet dhe sa të aftë do të jenë specialistët e hartimit të këtij projekti. Unë, së pari, po qaj hallin e fondeve të vitit të kaluar, pasi nuk janë përcjellë përfundimisht nga qeveria, por kjo skema e re është tjetër punë”. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Bega, shprehet dyshues se skema e re do të krijojë vend për abuzime. “Kryeministri ynë i do të gjitha kompetencat dhe pushtetet në duart e tij. Tek e fundit ka rëndësi që të fitojë komuniteti nga këto fonde, por kam frikë se ato do të ngurtësohen dhe do të rritet selektimi politik edhe më shumë se sa praktikohet në fakt”, tha Bega. Ndërsa kreu i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani, dyshon se do të ndryshojë gjë në mënyrën e trajtimit nga qeveria. “Ne nuk na ka ardhur ndonjë qarkore kryeministrore që të na njohë me skemën e re. Nuk e di në do të rriten apo do të zvogëlohen abuzimet rreth mënyrës së trajtimit të këtyre fondeve. Për mua, edhe sikur të mos jepen fare, pak rëndësi ka përderisa që nga viti 2005 nuk kam përfituar asnjë qindarkë nga qeveria”, ka thënë ai.

Shkodër

Krerët e bashkisë më të madhe të Veriut të vendit nuk janë të pashqetësuar për ndryshimin e rregullave, pasi kjo bashki ka nivel të lartë të vjeljes së taksave dhe nuk rrezikon të humbasë mbështetjen financiare të qeverisë.

Ndërkohë, krerët e bashkive të Pukës dhe Koplikut në Qarkun e Shkodrës, Rustem Struga dhe Ramadan Lika, thonë se nuk kanë marrë asnjë informacion për ndryshimin e rregullave për grantet konkurruese.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›