Sherri për fëmijën, tenton të vrasë ish-burrin
Një grua, e cila disa muaj më parë kishte denoncuar të shoqin për dhunë psikologjike, ka përfunduar në pranga, pasi ka tentuar të vrasë me pistoletë 29-vjeçarin, tashmë e ndarë prej tij. Ish-burri i saj ka njoftuar policinë dhe menjëherë pas kontrollit në mjetin e gruas, është gjetur një pistoletë, me të cilën mendohet se ajo do të kryente krimin. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur te rruga “Mihal Grameno” dhe shkak është bërë kujdestaria e fëmijës së çiftit, pasi vajza e tyre 8-vjeçare mbahej nga nëna. Burimet policore bënë të ditur se nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 u arrestua Dorina Adem Ruka, 26 vjeçe, banuese në Tiranë. Sipas të dhënave, rreth orës 16:45, në rrugën “Hoxha Tasim”, dyshohet se ka kanosur me pistoletë për jetën ish-bashkëshortin Erjon Ferit Ruka, 29 vjeç, banues në Tiranë. Policia tha se Erjon Ruka ka telefonuar në polici dhe është shprehur se ish-gruaja e tij, Dorina, po tentonte ta vriste. Ai është shprehur se armën e kishte në mjetin tip “Jeep”, me targë TR 5187 S, në pronësi të saj. Menjëherë, patrullat e policisë e kanë ndaluar për kontroll 26-vjeçaren dhe poshtë sediljes së shoferit, i kanë gjetur një pistoletë “Beretë”. Ajo është shoqëruar në komisariat, ku gjatë takimit me të shoqin, ka tentuar ta godasë atë, duke u shprehur se nuk do ta linte ta merrte vajzën, pasi gjithë këtë e kishte parapërgatitur për këtë arsye. Gjatë verifikimeve ka rezultuar se më 30 qershor të vitit 2009, ajo është marrë në mbrojtje nga Policia e Tiranës, pasi kishte denoncuar se kishte rënë pre e dhunës së bashkëshortit. Por më vonë, ajo e tërhoqi padinë ndaj të shoqit. Nga ana tjetër, mes tyre kishte nisur procesi i divorcit dhe kujdestaria e fëmijës. Në kërkesën e përbashkët për divorc, ata kishin deklaruar se ishin martuar që në vitin 2001 dhe në vitin 2002, kishin lindur një vajzë, që sot është 8 vjeçe. Në atë kohë, fëmija pohoi se dëshiron të qëndrojë pranë nënës. Të dy prindërit kanë rënë dakord për lënien e fëmijës për rritje dhe edukim nënës, por kjo duket se ka sjellë probleme më vonë, duke detyruar çiftin të kalojë edhe në konfliktin e dy ditëve më parë. Për këtë arsye, çështja po hetohet më tej.
#