E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet në SHBA trafikanti i makinave

Interpol

Një i akuzuar për vjedhje makinash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ekstraduar dje nga Shqipëria. Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana, në bashkëpunim me marshallët amerikanë, rreth orës 05:00, u krye ekstradimi nga Tirana drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shtetasit shqiptar Françesk Pashku, 43 vjeç, nga Trushi i Shkodrës, i cili njihej edhe me emrin Fran Malocaj. Ky person, në vitet 1997-1998, është përfshirë në vjedhjen dhe transportin e automjeteve luksoze nga Nju Jorku drejt Jacksonville në Florida të SHBA-së, me qëllim rishitjen e tyre. Për këtë arsye është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Uashington. Gjykata e Floridës ka lëshuar urdhër-arrestin me numër 92-52-CR-J-20B, datë 26 shkurt 1999 për këtë person, për kryerjen e veprave penale të “mashtrimit”, “transportimit të mjeteve të vjedhura” dhe “trafikimit të mjeteve motorike”, e kryer në bashkëpunim. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës, më datën 23 dhjetor 2009, u bë arrestimi, me qëllim ekstradimin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës të shtetasit Françesk Pashku.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›