E Shtunë, 31 Tetor 2026

A duhet të jemi të gëzuar?

Në këtë moment të ndryshimit të Kushtetutës, e cila përcaktohet si një marrëdhënie juridike që rregullon raportet e shtetit me qytetarët, normalisht që i bie të jemi shumë të gëzuar e të lumtur. Dhurata që po na bëjnë përmes aq shumë sakrificash PD dhe PS duhet shoqëruar me një atmosferë reagimi pozitiv te populli, i cili, sipas kumtit që vjen nga selia rozë, duhet ta ndjejë që sot këtë. Mirëpo çuditërisht, asgjëkund nuk ndjehet një gjë e tillë, madje ka filluar të ketë edhe nervozizëm tek analistët politikë, zëdhënës të opinionit publik, të cilët, si në asnjë rast tjetër, janë gati-gati të një mendjeje se ajo që po ndodh me Kushtetutën, nuk është asgjë tjetër, vetëm një konsolidim tej normave demokratike të liderit të fortë, çfarë veçanërisht për Shqipërinë ka një shije tejet të hidhur.

Por edhe më shumë se kaq, ajo që po ndodh, vetëm popullin e interesat e tij nuk po merr në konsideratë, pasi që në fillim ajo po kujdeset për Kryeministrin dhe i ka harruar krejtësisht ato që ai do qeverisë. E iniciuar për të eliminuar "Dushkun", por në fakt për të harruar Gërdecin në të gjithë dimensionin e tij, Kushtetuta po i nënshtrohet një ndryshimi, të cilin nuk e solli motivimi institucional i bazuar dhe i argumentuar, rrethanat politike e sociale të imponuara dhe vullnetet e sendërtuara të atyre që kanë deleguar votën dhe besimin për t‘i drejtuar. Këtë ndryshim, me një shpejtësi të çuditshme, e solli mirëkuptimi (në distancë apo nga afër nuk ka shumë rëndësi) i Berishës me Ramën, në momentin politik më të pafavorshëm për të parin dhe shumë avantazhues për të dytin. Kur mazhoranca kërkonte që një orë e më parë të largohej nga Gërdeci, të arratisej në harresën biblike siç ka dëshirë ta perifrazojë Kryeministri, ta arkivonte si një ngjarje e zakonshme dhe aspak si një krim e korrupsion shtetëror, opozita që duhet të jetë mbrojtësja legjitime e interesave të qytetarëve, merr në dorë parullat e politikës së re dhe i thotë Gërdecit: Flasim kur të kthehemi!

Dhe kthimi, vjen pastaj me merakun që shfaqet nga foltorja e socialistëve se çfarë do të bëjë Berisha për ligjet se "ne e bëmë tonën": Për Gërdecin nuk po flasim, ligjin që i jep liderit pushtete të pakufizuara e bëmë, hutimin politik e sollëm!!! As vetë Berisha nuk mund ta parashikonte këtë dimension kaq mbrojtës për të, që po i bënte politika e re, e cila në vend që të rriste presionin e të shfrytëzonte të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike për të çuar deri në fund me personazhe e ngjarje, histori e dokumente, problemin disaplanësh në radhë të parë të Gërdecit, vriste mendjen për të prodhuar situata politike që e largonin vëmendjen nga ky moment reflektimi e analize të thellë për të gjithë klasën politike shqiptare. Çelësin e shpëtimit e gjeti me ligjin zgjedhor, sipas sistemit spanjoll, për t‘i mballosur mocionin e Kryeministrit sipas modelit gjerman, heqjen e KQZ-së sipas modelit hungarez dhe zgjedhjen e Presidentit sipas modelit të Kosovës! Katër modele në një, katër modele që jo krejt si pa dashje largojnë Gërdecin.

Ajo që ne prisnim për të fituar mbetet ende shumë larg, madje tani është larguar kaq shumë, sa do të na duhet shumë mund për ta ç‘bërë atë që marionetat politike e gatuan me aq kujdes si vite më parë, apo si në çdo rast tjetër kur u është dashur të prodhojnë ligje sipas gustos së liderit. Se edhe këtë "Dushkun" që aq shumë e kemi dëgjuar e anatemuar këto vite, nuk e kanë gatuar as LSI-ja dhe as PDK-ja, dy nga forcat me elektorat të spikatur në vend, por e kanë krijuar dhe implementuar PD e PS për interesat e llogari të tyre. Kaq shumë janë investuar me fjalor kundër "Dushkut" këto dy parti, sa gradualisht njeriu ka filluar të sugjestionohet e të bindet se këto dy forca janë viktima të asaj formule dhe jo përfitueset reale të tij. Se pa atë "Dushkun", zor se do të kishin 94 votat e bindura që kanë sot, zor se do të mund të ndërmerrnin hapat për ndryshimin e Kushtetutës, morali i ndryshimit të së cilës komprometohet pikërisht nga iniciatorët që kanë numrat, por s‘kanë votën e vërtetë të deleguar dhe legjitimitetin e përfaqësimit.

Këtu fillon abuzimi i parë i madh, i cili vazhdon me një sërë çështjesh e problemesh të tjera, por që ngec tmerrësisht rëndë te problemi i Gërdecit. Jo vetëm mazhoranca, por edhe opozita nuk e kanë aspak komoditetin dhe moralin të ndërmarrin iniciativa të tilla për ndryshimin e aktit themelor të shtetit, kur nuk kanë arritur t‘i japin përgjigje pyetjes se kush e shkaktoi Gërdecin, se deri ku shkojnë fijet e korrupsionit të tij, sa janë të përzierë në aferat e këtij skandali pushtetarët e sotëm, por edhe emra të veçantë të opozitës, të cilëve kaq shumë u "dhemb" ligji zgjedhor, sa janë të shtrënguar për të anashkaluar çdo gjë, në emër të kësaj zgjidhjeje, që siç thonë nga selia e PS-së "do të marrë fund republika e korrupsionit!". Shumë e ëndërruar kjo për të gjithë ne, por ëndërr politike që nuk ka guxim asnjeri ta besojë kur sheh se çfarë bëhet me politikën e re, e cila me mosveprimin e saj po bën mburojën ligjore më të fuqishme për të. Njerëzit tanë ose nuk arrijnë ta kuptojnë akoma politikën e re, ose çfarë besoj është më afër së vërtetës, u ngopën shumë shpejt me të. Kjo më ngjan si një arsye e besueshme, pse sot, kur të gjithë duhet të kishim një ndjenjë tjetër që po ndryshon Kushtetuta, që po krijohen hapësira të tjera demokratike, nuk reagojmë fare me entuziazëm, madje e kemi tejkaluar me pikëpyetjet e shumta dhe drojën reale se, edhe ajo që fituam si mundësi përfaqësimi, po vihet shumë në rrezik.

Ligji i ri elektoral, i cili siç po thonë nga kampi i socialistëve, po i jepka fund republikës së korrupsionit, nuk i gëzon as ata vetë dhe as mjaft të tjerë nga mazhoranca, të shtrënguar për të votuar në mënyrë hipokrite, në shërbim të pazarit për rrogën e ardhshme të deputetit. I analizuar me hollësi jo vetëm për çfarë sjell ky ligj, por e gjithë paketa e ndryshimeve kushtetuese, nuk është e vështirë të konstatohet se vendin e frymës dhe të ideve të reja politike, e ka komprometuar që në fillim mënyra e ndryshimit dhe motivet e vërteta të saj, pavarësisht përpjekjeve që bëhen për t‘i ambalazhuar me terma demokratike dhe për t‘i shitur si nisma parimore. Interesat e ngushta personale të dy liderëve qëndrojnë në themel të këtyre ndryshimeve, prandaj nuk ka asnjë arsye t‘u gëzohemi e të jemi optimistë të republikës së re. Sepse republika e re është ajo që forcon pushtetin aktual aq të lëkundur të Kryeministrit të sotëm, ashtu siç legjitimon në mënyrë institucionale pushtetin e Kryeministrit të ardhshëm, pushtet që i kontrollon të gjitha, jo vetëm listat e deputetëve për të cilat nuk ka më nevojë të shqetësohet e të gjykojë populli, pasi këtë "barrë" e marrin liderët e partive, por edhe institucionet që gabimisht cilësohen si të pavarura deri tek emërimi i Presidentit të Republikës. Por pa harruar edhe kontrollin mbi vetë opozitën, e cila siç po dëshmohet në rastin e PS-së reagon në mënyrë të matur, të kulturuar, pa e trazuar Kryeministrin dhe pa i krijuar shqetësime të reja, të ndryshme nga ato që prodhon axhenda e ditës. Vetë fakti se tragjedia e Gërdecit duhet të ishte një aks politik që të ndante PS-në me PD-në, por që u anashkalua përmes nxjerrjes nga mënga të "as"-it të ndryshimeve kushtetuese, është një referencë që na thotë se jemi në stinën e dashurisë politike më të pajustifikuar e jashtë kohe, por që është bërë realitet.

Nga strategjia që duhet të përbënte veprimin politik për rrëzimin e Kryeministrit aktual, ballafaqohemi me nisma e ligje që forcojnë pozitat e tij. Shkohet deri aty, sa marionetat politike të PS-së dalin të mërzitura në ekran dhe na kumtojnë shqetësimin se mazhoranca do t‘i qëndrojë apo jo fjalës së dhënë për ndryshimet, pasi ne - sipas opozitës - e kemi bërë tonën, jemi në rresht dhe të gjithë dakord!!! Ky kontroll i pushtetit mbi opozitën, të cilën arrin ta nxjerrë deri në ekran për t‘iu lutur për ndryshimet e ardhshme, vërtet dhe e besoj se është politikë e re, por është edhe trishtim, se jo shumë larg nga koha e përmbysjes së një diktature, shfaqet në mënyrë institucionale ajo, përmes një Kushtetute të ndryshuar që fundos shumë nga arritjet e mundimshme të kësaj periudhe. Ka arsye për të qenë të shqetësuar e reaguar dhe aspak për t‘u gëzuar, siç ndodh kur ndryshon Kushtetuta në emër të interesit të sovranit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›