E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria merr 230 milionë euro nga bankat greke

Ritmi i shpejtë i punimeve dhe mungesa e fondeve në dispozicion ka detyruar qeverinë që të marrë kredi 230 milionë euro nga dy banka tregtare greke. Vendimi është marrë në fillim të muajit prill 2008 dhe synon financimin e projektit rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës. Marrëveshja financiare kishte mbërritur javën e shkuar në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat dhe vetëm dje u arrit numri i votave pro për ratifikimin e saj. Nisur nga mungesa e ministrit të Financave në komision, deputetë të opozitës kanë braktisur sallën, duke bërë të mundur që kredia të miratohej vetëm me pëlqimin e deputetëve të djathtë. I pranishëm për të dhënë sqarimet e nevojshme rreth financimit të rrugës ishte zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu.

Debati

Opozita ka shprehur qëndrimin kundër vazhdimit të diskutimit për aq kohë sa në komision nuk paraqitet ministri i Financave, i cili ishte i angazhuar në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve të Doganës së Muriqanit në Shkodër. Që në fillim të diskutimeve, fjalën e mori nënkryetari i komisionit, Arben Malaj, i cili kërkoi konsensusin e deputetëve për të mos miratuar kredinë pa prezencën e ministrit Bode. "Qeveria kërkon të ratifikojë kredinë prej 230 milionë eurosh nga dy banka tregtare për të financuar rrugën Rrëshen-Kalimash, kur nga ana tjetër me nivelin e ulët të investimeve gjatë vitit që shkoi, vetëm nga rialokimet mund të arrihej shuma për financime shtesë. Përveç kësaj, ne si opozitë kërkojmë praninë e ministrit të Financave, për të mësuar më shumë detaje rreth situatës me nivelin e realizimit të investimeve, që për vitin 2007 nuk shkoi më shumë se 83 për qind, ndërsa për muajt e parë të vitit situata mbetet problematike, rreth 48 për qind", tha deputeti i PS-së, Malaj, duke i bërë me shenjë kolegëve të opozitës për të braktisur komisionin. U deshën 30 minuta kohë që komisioni të riniste punën, pas mbërritjes të disa deputetëve të mazhorancës, duke krijuar numrin e lejueshëm për votat pro marrëveshjes 230 milionë euro. Me mungesën e opozitës në komision, zv/ministri Shehu nuk e pati të vështirë të merrte aprovimin brenda 10 minutave nga rifillimi i diskutimit.

Kredia

Kredia prej 230 milionë eurosh do të jepet nga dy bankat tregtare greke, "Alpha Bank" A.E dhe NBG S.A, me synim financimin e rrugës 60 km të gjatë, Rrëshen-Kalimash. Sipas zv/ministrit, pas shqyrtimit të ofertave të ardhura nga bankat prestigjioze, u zgjodhën këto dy banka për temat më të leverdishme të kreditimit. Afati i shlyerjes së kredisë është 15 vjet, me interes 5,5 për qind dhe për 5 vitet e para nuk do të paguhen interesa. Në fakt, dy bankat kanë dalë fituese që në majin e vitit që shkoi, por të ardhurat shtesë nga privatizimi i "Albtelekom", si dhe performanca pozitive në arkëtimet e taksave, sollën shtyrjen e lëvrimit të fondit. Por tashmë qeverisë i duhet të nxitojë për ratifikimin e saj, pasi nevoja për 230 milionë eurot është bërë edhe më e madhe, duke parë numrin e projekteve rrugore që kanë nisur të zbatohen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›