E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon përsëri projekti i Rrugës së Arbrit

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve Tiranë ka miratuar përsëri një ndryshim projekti në segmentin prej 17 kilometrash të Rrugës së Arbrit, atë Bulqizë-Ura e Çerenecit. Që me nisjen e punimeve në këtë rrugë, nisën edhe konfliktet me banorët pronarë të tokave ku kalon traseja e saj. Problemet kishin të bënin me shpronësimet dhe dëmshpërblimin, por edhe me vështirësi teknike të mbi e nënkalimeve të rrugëve të fshatrave Peladhi dhe Krajkë. Përplasja e parë e regjistruar ishte ajo e banorëve të fshatit Krajkë në Komunën e Zerqanit, të cilët protestonim për prishjen e varrezave të vjetra të fshatit, gjë që çoi në ndryshimin e parë të projektit. Por më të mprehta këto konflikte kanë qenë të pranishme në lotin e parë të rrugës, atë Bulqizë-Ura e Qytetit, konflikte këto që çuan deri në ndërprerjen totale të punimeve nga firmat "Karl Gega" dhe "Albavia", fituese të tenderit për këtë lot rrugor. Kjo ndërprerje punimesh për më tepër se një muaj, ngjalli mjaft shqetësim te banorët dhe organet e pushtetit vendor. Nënprefekti i Rrethit të Bulqizës, Agim Perhati, sqaroi për "Shqip", se rinisja e punimeve në këtë lot të rrugës ka ardhur pas disa ndryshimesh në projekt, sipas të cilave do të ketë disa devijime nga aksin e mëparshëm të projektimit. Po sipas këtyre burimeve ka qenë edhe një ndërhyrje e organeve të pushtetit vendor, konkretisht e Prefekturës Dibër, pranë Këshillit Teknik të DPRR, për të ndërhyrë për ndryshimin e projektit, me qëllim për t‘u dhënë zgjidhje konflikteve të lindura. Drejtues të firmave, "Albavia" dhe "Karl Gega", që aktualisht kanë rinisur punimet në këtë rrugë, thonë për "Shqip", se ndër konfliktet kryesore të lindura ishte ai i prishjes së një kanali vaditës që do të linte pa ujitje tokat e 35 familjeve në lagjen "Kicaj", në Komunën e Fushë-Bulqizës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›