Zv/ministri: Rritja e çmimeve nuk po prek shtresat shoqërore
Rritja e çmimeve tek artikujt kryesorë të konsumit nuk përbën shqetësim të madh për qeverinë, për aq kohë sa nuk rëndon dukshëm mbi shtresat e varfra. Por pavarësisht kësaj, qeveria është duke vlerësuar të gjitha mundësitë për të ndërhyrë me mekanizmat e saj, në mënyrë që efekti i krizës së çmimeve të mos ndihet dhe aq shumë te konsumatorët. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka pranuar krizën e çmimeve të larta në vend, por është justifikuar me faktin se pasojat për rritjen e tyre kanë ardhur nga jashtë. Pas përfundimit të mbledhjes në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, zv/ministri Shehu dha një deklaratë për mediat rreth situatës së krijuar me çmimet e konsumit dhe nëse qeveria ka në plan për të ndërhyrë. Sipas tij, "për momentin nuk na rezulton asnjë lloj shtrese shoqërore e prekur nga rritja e çmimeve, ndërsa situata e krijuar është e importuar dhe ne nuk e shmangim dot". Pavarësisht kësaj, Shehu shtoi se, qeveria do të ndërhyjë në treg me instrumentet financiare në rast se vazhdon rritja e çmimeve të produkteve ushqimore. Disa nga instrumentet që mund të përdorë qeveria në reduktimin e efekteve negative të rritjes së çmimeve janë indeksimi i pagave dhe rritja e ndihmës ekonomike.