E Diel, 1 Nëntor 2026

Shmangia e modelit kushtetues turk

Dje, Parlamenti shqiptar, diskutoi ndryshimet e pritshme në Kushtetutë, që u nisën si reformë zgjedhore dhe po përfundojnë si reformë kushtetuese. Formalisht, diçka e tillë duket normale, sa kohë që sistemi zgjedhor në kuadrin ligjor shqiptar përcaktohet nga Kushtetuta. Pra, ta ndryshosh atë duhet të ndryshosh Kushtetutën. Çdo ndryshim kushtetues, çdo hapje e derës së rëndë për ndryshimin e dokumentit më të rëndësishëm të shtetit, lejonte të hynin brenda dhe erëra të tjera ndryshuese të saj në nene të tjera.

Por çfarë shënojnë amendamentet kushtetuese që nuk lidhen me sistemin zgjedhor? Pse paradoksalisht duket se prapa tyre ka një marrëveshje të heshtur Rama-Berisha, me terxhuman, ose pa terxhumanë të shquar për të cilën tregohen shumë histori në tavolinat serioze të Tiranës. Për përgjigjen e këtyre pyetjeve ja vlen më së pari të shqyrtohet konteksti politik i diskutimeve. Efektet e ndryshimeve kushtetuese në marrëdhëniet midis pushteteve. Dhe pastaj të arrihet një përfundim që lidh dy këto plane analize.

Konteksti politik i ndryshimeve

Është e vërtetë se ndryshimet po vijnë pas ftesës së NATO-s, por ato reflektojnë më shumë afërsinë me Gërdecin. Në guximin që karakterizonte grupin e PD që kërkonte zgjedhjen e Presidentit nga populli, qëndronte dobësimi i pozitave të zotit Berisha, pas ngjarjes së Gërdecit. Ky grup që kishte bashkuar rreth Presidentit Topi dhe figura që nuk para janë shquar për kundërshtarë të Berishës si Paloka e Xhaferaj, është dëshmues indirekt i rënies së autoritetit të tij. Ky duket të jetë emëruesi më i vogël i përbashkët i këtij grupi laraman, analizën e të cilit e bënte Mero Baze në një artikull të tijin te "Tema", ndërsa evidentonte probleme të mëdha morale te grupi që nuk ka bërë asnjë kritikë për Mediun apo Berishën në lidhje me Gërdecin. Era leckë e djegur, që vjen nga hetimet e njëkohshme mbi çështjen e Gërdecit nga autoritetet amerikane, nga Kongresi, Departamenti i Mbrojtjes, "NY Times", trimëron nga pak të gjithë. Po të duam të shtojmë te lista dhe ministrat që për etikë nuk hyjnë në listë, apo Rusmajlin, lista dukej problematike. Aq sa mund të provokonte p.sh. një mocion mosbesimi për të cilin ideatorët e ndryshimit të Kushtetutës kanë menduar një nen. "Po e bëtë, atëherë shkojmë në zgjedhje të parakohshme, nëse nuk propozoni njëherësh dhe Kryeministrin e radhës".

Ato po ndodhin kur me shumë gjasa, midis Kryeministrit dhe Presidentit duhet të ketë probleme, që akutizohen me amendamentet që i zvogëlojnë fuqinë Presidentit. Edhe mbas tërheqjes së amendamentit për kundërfirmën, nenet e tjera i krijojnë probleme Presidentit Topi. Së pari, në fuqinë e tij që shtohej në momentet e mocionit të mosbesimit, ashtu dhe në ambicien e vet për t‘u rizgjedhur me votim nga populli, i pasigurt nëse partia e vet do ta mbështeste plotësisht. Ndaj dhe ai kaloi vijën e kuqe me reagimin e fortë të tij te Balla.

Amendamentet ndodhin kur duket se faktori ndërkombëtar më i rëndësishëm sot në Shqipëri, SHBA (edhe për shkak të marrjes së ftesës në NATO), i shqetësuar nga mashtrimi me fishekët e vjetër të MEICO-s dhe trafiqet e armëve me armiqtë e saj, sa po mendonte për Kryeministër tjetër në vend të Berishës. Ndërkaq nuk kuptohej mirë nëse e donin ndryshimin tani ("NY Times" thonë se ka akoma artikuj të tjerë kritikë eksplozivë për qeverinë,) apo në afatin ligjor 4-vjeçar. Siç shikohet nga marrëveshja e heshtur Rama-Berisha, me bekimin e tyre, ndryshimi po shtyhet kur të mbarojë legjislatura.

Amendamentet që po miratohen, ndodhin kur Rama duket se i ka forcuar pozitat brenda PS; edhe ai që ishte për zgjedhjen e Presidentit nga populli, Blushi, ka humbur zëshmërinë e vet. Rama duket i fortë, pasi që era leckë e djegur rrit shanset e fitores së opozitës. D.m.th rebelët e tij presin zgjedhjet dhe vendin në listën e përgatitur nga kryetari.

Në analizën e kontekstit kohor kur propozohen amendamentet duhet marrë parasysh dhe nguti me të cilin ato po miratohen, mungesa e konsultimeve, interesat e dy palëve për këto ndryshime. Është pikërisht ky interes i përbashkët i Berishës dhe Ramës, (të gjithë bien dakord me këtë përfundim), që po çon në këtë marrëveshje aspak transparente.

Efektet e ndryshimeve

Marrë në tërësi, amendamentet çmontojnë disa shtylla të Kushtetutës së vjetër, ndaj dhe komentatorët që adhurojnë metaforat historike po flasin për "republikë të re". Ato shfuqizojnë KQZ që ishte konstitucionalizuar për të mos lejuar ndryshime dhe për ta pavarësuar me garanci kushtetuese. Ato zvogëlojnë forcën e Presidentit që vinte prej shumicës së zgjedhur ashtu dhe rolit të tij në momente krizash, siç është rasti i mocionit të besimit dhe mosbesimit. Ndryshimet e propozuara forcojnë dhe më Kryeministrin, që edhe kështu siç është ka kompetenca të ekzagjeruara-shiko nenin 102 -, që mund të kërcënojë me zgjedhje të parakohshme, ama në kurriz të stabilitetit të vendit. Kancelariati gjerman është konceptuar i fortë që të shmangë me çdo kusht zgjedhjet e parakohshme, ndërsa ndryshimet shqiptare të propozuara rrisin probabilitetin e tyre.

Diçka tjetër thelbësore. Neni, për të cilin polemizohet më shumë, ai mbi zgjedhjen e Presidentit konsiderohet si nen krize. Po, por ndryshimi i tij sipas propozimit demokrat është gjithashtu një nen krize - ai është identik me nenin e Kushtetutës turke, që u amendua në maj 2007, duke futur si opsion zgjedhjen e Presidentit nga populli, pas bllokimit të Parlamentit me zgjedhjen e Gylit. (neni 102 i Kushtetutës turke). Argumentet se me zgjedhjen e Presidentit nga populli duhen ndryshuar dhe kompetencat e tij janë demagogji. Maqedonia dhe Austria e zgjedhin Presidentin nga populli, por kjo nuk i ka bërë me presidentë të fortë. Trajkovski ishte i dobët, Branko Cervenkovski edhe i fortë - me shumicën e vet, edhe i dobët, me Gruevskin Kryeministër. Kur Presidenti turk zgjidhej nga Parlamenti, Sulejman Demirel ishte President i fortë, ndërsa Necdet Seser ishte i dobët. Abdullah Gyl, i zgjedhur nga populli, nuk duket dhe aq i fortë.

Ǒfitojnë palët nga ndryshimet?

Rama pretendon se ka fituar proporcionalin rajonal që duhet të miratohet ama me reformën zgjedhore (ka pikëpyetje sa kohë që Kushtetuta po ndryshon para sistemit zgjedhor). Edhe për proporcionalin rajonal ka kundërshti nga të vetët: projektimi i rezultateve të 2005 me proporcionalin rajonal do t‘i hiqte PS disa deputetë. Por ai fiton që tani fuqinë mbi listat. Ndërkaq, në cilësinë e Kryeministrit nëse fiton në 2009, ai do të dëshironte të kishte një President të dobët, (Topin apo dhe pasuesin e tij) siç del nga ndryshimet që ai pëlqen aq shumë. Por ama acaron gjithnjë e më shumë partitë e vogla, LSI kryesisht që mund t‘i krijojë probleme. Humb pikë në opinionin publik që sheh mbrapa manovrës së ndryshimeve kushtetuese, një lojë jo të pastër të Ramës që bën marrëveshje me Berishën, megjithëse të fshehtë.

Po Berisha ç‘fiton? Mossulmim për çështjen e Gërdecit, nëse nuk quhet sulm dalja e Braçes përditë me këtë argument? Tranzicion të butë në 2009? Apo përgjigje për ndonjë ambicie të ringjallur presidenciale që duhet kuptuar pikërisht te mohimi i tij publik për këtë ambicie? Këto do zbulohen më tej, ashtu si dhe cilat ishin motivet e vërteta apo terxhumanët që afruan dy të rëndësishmit e politikës dhe sollën prej një marrëveshjeje të shëmtuar politike, ndryshimin e Kushtetutës sikur të ishte një letër çfarëdo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›