E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, investime të reja në 7 shkolla dhe 4 kopshte

Njëmbëdhjetë objekte mësimore do të kenë mjedise të reja sportive. Marrëveshja është nënshkruar dje mes kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe drejtorit të "Raiffesen Bank", Oliver J.Whittle. Me financimin e kësaj banke do të mundësohet vendosja e mjediseve sportive të brendshme, si dhe pajisja e palestrave. Dy shkolla do të bëhen me bibliotekë. Pesë shkollat e mesme që përfitojnë nga projekti i përmirësimit të terrenit sportiv janë "Sinan Tafaj", "Myslym Keta", "Emin Duraku", "Osman Myderizi", "Dëshmorët e Lirisë". Po ashtu, projekti do të mundësojë edhe vendosjen e këndeve të lojërave në 4 kopshte, përkatësisht në kopshtet nr. 45, nr. 2, nr. 29 dhe nr. 58 në qytetin e Tiranës. Shkolla "Lasgush Poradeci" do të përfshihet në këtë projekt nëpërmjet rehabilitimit të terrenit sportiv. Por jo vetëm sporti do të stimulohet në shkolla. Banka mundëson edhe krijimin e ambienteve bashkëkohore për lexim dhe dy bibliotekave në shkollat "Siri Kodra" dhe "Arben Broci". Në fjalën e tij, Rama theksoi se "puna për transformimin tërësor të shkollave të kryeqytetit dhe për krijimin në këto shkolla të mjediseve të gjithanshme, që rrisin cilësinë e jetës do të vazhdojë me anë të donacioneve". Ndërsa, Whittle, deklaroi se "është pjesë e përgjegjësive sociale të punojmë për ndihmuar në përmirësimin e kushteve të fëmijëve në shkolla". Terrenet sportive dhe bibliotekat janë mungesat kryesore të shkollave publike. Pak prej tyre mund të zhvillojnë siç duhet në shkolla, orët e fizkulturës apo bisedat letrare si orë të lira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›