Komuna Shalë, Balla: Berisha po vjedh sërish zgjedhjet
TIRANË Partia Socialiste është pozicionuar kundër numërimit të votave të komunës Shalë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sekretari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi dje në një konferencë për shtyp se me këtë veprim Berisha kërkon të vjedhë zgjedhjet sërish. “Sali Berisha nuk heq dorë nga vjedhja e zgjedhjeve. Rasti më i fundit është ai i komunës Shalë, ku përballë frikës për humbjen e kandidatit të tij, Saliu ka urdhëruar Ristanin që t’i numërojë ai votat e kësaj komune në Komisionin Qendror të Vjedhjeve. Nuk ka asnjë arsye dhe asnjë shpjegim tjetër për këtë veprim, përveç përpjekjes së Saliut për të manipuluar rezultatin. Pasi dështoi me tentativat e tij për t’i vjedhur zgjedhjet në komunën e Shalës me anë të manipulimeve e presionit shtypës nga të gjitha strukturat e regjimit të tij, tani Saliu ka vendosur të përdorë sërish Ristanin për të kryer grabitjen e radhës. Nuk mund të ketë numërim të ndershëm e të drejtë nga KQZ në krye të të cilit qëndron një bandit si Arben Ristani. Këtë e panë të gjithë shqiptarët e ndërkombëtarët”, - tha Balla. Sipas tij, nuk mund të ketë një rezultat të drejtë nga kjo KQZ që identifikohet nga raporti i OSBE-ODHIR-it si institucioni që shkatërroi zgjedhjet lokale të 8 Majit. “OSBE-ODHIR ka kërkuar shprehimisht riformatimin e KQZ-së të Ristanit e Saliut, çka do të thotë se ky institucion sot nuk ka më asnjë lloj legjitimiteti e besueshmërie. Pas këtij diskreditimi nga arbitri ndërkombëtar i zgjedhjeve, që konfirmoi të gjitha akuzat e opozitës në adresë të KQZ, ky institucion praktikisht ka reshtur së ekzistuari”,- tha Balla.