Biznesi kundër ligjit të tatimeve
Fabiola Çela
Biznesi ka kundërshtuar sërish projektligjin e ri të tatimeve. Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë kanë theksuar se hartimi i këtij ligji është bërë pa dijeninë e komunitetit të biznesit. Sipas tyre, drafti i ri i qeverisë ka shumë mangësi. Përveç kësaj, projektligji ri i për procedurat tatimore iu ka dhënë shumë kompetenca inspektorëve tatimorë, duke i kthyer ata policë. Por neni më i kundërshtuar i këtij drafti mbetet ai i gjobave.
Biznesi
"Vlen të veçojmë që drafti i fundit i ligjit 'Për procedurat tatimore' i dërguar nga qeveria në Komisionin e Ekonomisë, mbart ndryshime për të cilat organizmat e biznesit nuk u vunë në dijeni. Theksojmë se një nga çështjet më problematike të këtij projektligji, është kalimi i përgjegjësive tatimore nga kompania tek ortaku, aksioneri apo administratori. Fatkeqësisht ky koncept sapo u miratua nga Parlamenti shqiptar në ligjin mbi Shoqëritë Tregtare", kanë deklaruar dje përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Biznesi e ka kundërshtuar me forcë këtë pikë që, sipas tyre, është në kundërshtim të plotë me ligjin aktual për shoqëritë tregtare dhe në përgjithësi me parimet mbi të cilat ngrihet një shoqëri tregtare. Sipërmarrësit janë shprehur të pakënaqur me draftin e ri të qeverisë, madje ata i kanë kërkuar Kuvendit që të mos e miratojë pa marrë parasysh kërkesat e tyre. "Dhoma Amerikane e Tregtisë i konsideron të metat e projektligjit cenimin real apo potencial të disa parimeve dhe institucioneve themelore të së drejtës së pronës dhe të njeriut në përgjithësi, si dhe në dëm të lirisë së tregut me trajtimin e aktivitetit privat, sikur të ishte publik", kanë deklaruar përfaqësuesit e dhomës.
Kundërshtimet
Në fakt nuk është hera e parë që sipërmarrësit kundërshtojnë ligjin e ri të qeverisë për tatimet. Neni më i debatuar mbetet ai i gjobave. "Dhoma Amerikane ka ngritur zërin vazhdimisht, madje e ka çuar çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese lidhur me nenin mbi parapagesën e 15 për qind të interesave e gjobave dhe këmbëngulim që ky nen të hiqet, pasi kështu e paragjykojmë përfundimin e ankimit dhe penalizojmë padrejtësisht biznesin", ka deklaruar dje Genc Boga, përfaqësues i Dhomës. Por, në fakt, nuk është vetëm ky nen që kundërshtohet nga biznesi. Drafti i mëparshëm i projektligjit parashikonte dhe vënien e një garancie monetare për shumën e detyrimit tatimor, e cila tashmë në variantin përfundimtar është hequr. Në një situatë të tillë, përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë i kanë propozuar qeverisë që jo vetëm të lejohet dhënia e garancisë, por dhe të zgjerohet përkufizimi i saj në natyrë dhe prejardhje. Fillimi i procedurave të falimentit është një nen tjetër, në të cilin parashikohet që administrata tatimore mund të fillojë një procedurë falimentimi kur një tatimpagues rezulton me humbje për të paktën tre vjet rresht. "Këtu jemi përpara një shtrembërimi të institucionit të falimentit dhe të shtrembërimit të parimit që taksat janë një detyrim vetëm kur ka fitim e aktivitet", tha Boga. Biznesi ka kundërshtuar edhe nenin 101 të këtij projektligji. Sipas tyre, është antikushtetues pasi i lejon organet tatimore të thërrasin me detyrim çdo person, të detyrohet për t'u paraqitur, të detyrohet për të dëshmuar, aq më tepër të detyrohet për të bërë ekspertizë etj., në zyrat e organeve tatimore. Ndërkohë një tjetër nen i kundërshtuar nga biznesi është ai i sekuestrimit të pasurisë pa pasur më parë një vendim gjykate. "Drejtorit të Drejtorisë Rajonale i është lënë kompetencë e plotë, që vetëm me vendim të tij të sekuestrojë llogari në banka. Mendojmë që ky person duhet të ketë mundësinë vetëm të propozojë dhe abuzivizmi duhet shmangur, duke kaluar vendimin në hallka të tjera dhe në gjykatë", kanë deklaruar dje përfaqësuesit e Dhomës.
Ja propozimet e biznesit
Biznesi ka kërkuar që të hiqet parapagimi i 15% të gjobave para se të apelohet në gjykatë.
Çështja e pagesës së detyrimit tatimor nga subjekti që ankimon. Biznesi ka propozuar që të lihet ose pika "a" ose pika "b", ose të shtohet një pikë e veçantë me të cilën të lejohet përdorimi i garancisë monetare, edhe në rastin kur subjekti kundërshton të gjithë shumën e vlerësimit tatimor. Është shumë e rëndësishme që paralelisht me garancinë monetare, të parashikohet edhe garancia pasurore.
Biznesi ka propozuar që të shtohet në nenin 5, përkufizimi i garancisë monetare, çfarë është dhe si mund të jepet p.sh. garancia monetare mund të vihet në bankë, por edhe te noteri, mund të jetë nga vetë personi që mbart detyrimin, por edhe nga një i tretë, i cili bëhet garant me pasurinë e tij për personin në fjalë.
Në nenin 103 duhet të hiqet paragrafi 2, pasi ky është një pengesë artificiale për të mos bërë ankim subjekti. Subjekti ka të drejtë që ta paguajë brenda 30 ditëve nga dalja e njoftim vlerësimit, siç përcaktohet në nenin 73 "afatet e pagesës…" paragrafi i dytë, kurse ankesa mund të bëhet brenda 3-4 ditëve nga dalja e të njëjtit njoftim vlerësimi, dhe vetëm për një pjesë të këtij të fundit. Kjo bie në kundërshtim me nenin 78 për radhën e pagesave të detyrimeve tatimore dhe kontributeve.
Biznesi ka sugjeruar që të hiqet periudha prej 3 muajsh (Neni 104) për të pritur përgjigjen e administratës tatimore, për të ankimuar pastaj në gjykatë. Të përcaktohet një afat më i shkurtër dhe më i detyrueshëm për administratën tatimore që të kthejë përgjigje.
Administrata tatimore nuk mund të ndërhyjë në këto marrëveshje mes bizneseve, të cilat normalisht lidhen konform dispozitave të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë. Në këtë rast, tatimet marrin rolin e kreditorit-gjykatës direkt. Propozimi nga ne është ose të hiqet, ose të ndryshohet në këtë mënyrë: "Vetëm në rastet kur mospagesa është bërë me qëllim fshehje detyrimi tatimor".
Neni 95 në tërësi është antikushtetues. Nuk mund të thirret me detyrim çdo person, të detyrohet për t'u paraqitur, të detyrohet për të dëshmuar, aq më tepër të detyrohet për të bërë ekspertizë etj. Ky nen duhet të hiqet.
Përgjegjësia personale duhet të lidhet vetëm me fajin e administratorit dhe drejtorit ekzekutiv (neni 97), dhe është subjektive, jo objektive. Biznesi ka propozuar që ky nen të rishikohet në tërësi.
Drejtorit të Drejtorisë Rajonale i është lënë në kompetencë që të sekuestrojë llogari në banka direkt me urdhër të tij. Biznesi ka sugjeruar që ky person duhet të ketë mundësinë vetëm të propozojë. Përndryshe do t'i jepej një personi shumë kompetenca, të cilat krijojnë mundësinë të përdoren në mënyrë abuzive. Për raste të tilla, është e drejtë të vendosë gjykata.
Meqenëse përcaktimi i saktë i drejtorive rajonale nuk vërehet në asnjë nen (Neni 13) biznesi ka sugjeruar që të sqarohet në detaje përkufizimi i tyre, shtrirja e tyre territoriale, njëkohësisht të sqarohet edhe se kush janë "njësitë e tjera" të përmendura në nenin 13 "a".
Edhe USAID kundër procedurave të ligjit të ri për tatimet
Kundër ligjit të gjobave nuk është vetëm komuniteti i biznesit, por edhe ndërkombëtarët. "Ne jemi kundër këtij neni dhe i kemi paraqitur qeverisë një formulim alternativ", është shprehur dje përfaqësuesja e USAID-it, Edlira Këmbora. Sipas këtij neni, biznesi është i detyruar që të paguajë 15 për qind të interesave dhe gjobave pa kryer më parë ankimimin në gjykatë. Pikërisht ky projekt i qeverisë është kundërshtuar jo vetëm nga biznesi dhe shumë prej deputetëve të opozitës, por tashmë edhe nga ndërkombëtarët. Neni i gjobave është pjesë e draftit më të ri të qeverisë "Për procedurat tatimore", i cili po shqyrtohet nen për nen në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. "Ne nuk e kemi diskutuar me ekspertët, pasi kjo ishte një nismë e miratuar dhe s'kishim të drejtë", tha dje në komision përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Lindita Rusmajli. Ndërkaq dje u diskutua edhe për afatin dhe metodën e pagesës së detyrimit tatimor. Sipas përfaqësueses së Ministrisë së Financave, Rusmajli, tatimpaguesi shlyen detyrimet tatimore brenda afateve të parashikuara në ligjin tatimor përkatës. Kur administrata tatimore nxjerr vlerësimin e një detyrimi tatimor në përputhje me ligjin, detyrimi tatimor i vlerësuar paguhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data në të cilën tatimpaguesi ka marrë ose konsiderohet të ketë marrë njoftimin e vlerësimit dhe kërkesën për pagesë. Por në rast se detyrimi tatimor nuk paguhet në afat, tatimpaguesi është i detyruar që, për periudhën nga afati i pagesës deri në datën e pagesës së tatimit, të paguajë kamatëvonesë mbi këtë shumë në masën e përcaktuar. Sipas projektligjit, në qoftë se tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor, administrata tatimore nëpërmjet një urdhri me shkrim të lëshuar nga drejtori i drejtorisë rajonale, apo i njësisë së ngjashme me të, si dhe titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore, i kërkon çdo banke në të cilën tatimpaguesi ka llogari në emër të vet, të mbajë një shumë e cila duhet të jetë më e vogël, ndërmjet shumës që kërkohet të mbahet, dhe shumës që rezulton në atë moment në llogarinë bankare të tatimpaguesit.