E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi: Në Gërdec nuk realizohej demontim industrial i predhave

Këto ditë të fundit grupi i prokurorëve të katastrofës së Gërdecit...

Ferdinand Dervishi   

...duket ka rrafshuar "thep-shqekëz", zemrën teorike të gjithë aferës që solli ngjarjen e paimagjinueshme. Në pak fjalë konstatimi thotë se, "në kontratën e dytë të nënshkruar me kompaninë amerikane SAC (Southern Ammunition Company) që bën fjalë për demontim industrial të predhave të formatit të madh të artilerisë, pikërisht ky proces i demontimit industrial nuk është realizuar". Pra, kontrata e iniciuar dhe e realizuar nën petkun e asgjësimit të municioneve të rrezikshme të mbetura stoqe që nga koha e komunizmit, një iniciativë e mbështetur si politikisht ashtu edhe financiarisht nga shtete partnere, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të tjerë, nuk është zbatuar në objektin e saj. Përkundrazi, specialistët thonë se, procesi që realizohej në Gërdec ishte vetëm ai i "veçimit të elementëve të veçanta" të shtimjes. Një proces që në qëllimin e vërtetë të tij barazohet vetëm me babëzinë për përfitim. Por çfarë bëhej konkretisht në Gërdec dhe si funksiononte skema e përfitimit?
Pse erdhën predhat në Gërdec
Pohuar nga ish-ushtarakët që i mbijetuan tragjedisë në Gërdec, aty mbërrinin, nga të gjitha depot ushtarake të municioneve në Shqipëri, predha artilerie të kalibrave të ndryshëm, të gjitha të përzgjedhura të kishin gëzhoja bronzi, një metal i çmuar me ngjyrë, shumë i kërkuar në treg. Predhat në fakt nuk ishin llogaritur të demontoheshin aty, pasi reparti i Gërdecit ishte përshtatur për çaktivizimin e fishekëve, që ishin objekt i kontratës së parë të Ministrisë së Mbrojtjes me SAC. Madje, këta të fundit kishin sjellë edhe makineri që bënin demontimin industrial. Por duke qenë se në të gjitha depot e ushtrisë nuk u grumbullua sasia e rënë dakord prej 140 milionë copë fishekësh me gëzhojë tunxhi të kontratës së parë, atëherë u mendua që gjithçka të riparohej, këtë radhë duke demontuar predha të formatit të madh të artilerisë. Përsenë e gabimit të mosrealizimit të shifrës së ofruar në kontratën e parë, specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes e shpjegojnë me problemet që solli bastisja e depove të ushtrisë në vitin 1997. "Dikur, në kohën e komunizmit diheshin saktë se ku ishin fishekët apo predhat me gëzhoja bronzi, se ku ishin ato me gëzhoja çeliku, dihej viti i prodhimit, apo edhe vendi i prodhimit. Në vitin 1997, municionet që shpëtuan u grumbulluan në depo më të sigurta, por këtë radhë në regjistra figuronte vetëm sasia dhe jo të dhëna të tjera. Për rrjedhojë askush nuk e dinte se ku ishin ato me gëzhoja bronzi dhe ku ato me gëzhoja çeliku", shpjegon një specialist municioni. Kështu, Ministria e Mbrojtjes, që të përmbushte kontratën e parë me SAC dhe nënkontraktorin e saj "Alba Demil", vendos furnizimin me predha artilerie duke përpiluar edhe një kontratë të dytë. Por këtu nisnin edhe problemet. Pasi Gërdeci nuk ishte një fabrikë e përshtatur për demontimin e predhave të tilla. Aty mungonin si kushtet ashtu edhe pajisjet që duhet të bënin demontimin industrial të municioneve të kalibrit të madh. Por çfarë u bë në Gërdec deri në momentin fatal?
Vetëm veçim elementesh të predhës
Specialistë ushtarakë, por edhe ish-ushtarakët e mbijetuar nga shpërthimi, pohojnë se, në Gërdec rreth 90 për qind e predhave të artilerisë vinin të pamontuara. Pra, në arka gëzhoja ishte veç, predha veç dhe djegorja veç, në kutinë e saj metalike. Punëtorët, përfshirë gratë, pasi hapnin arkat, veçonin gëzhojën, dërgonin me anë të fadromës predhën në një tjetër ambient, po kështu edhe djegoren. Më tej gratë, duke përdorur duart, zbraznin barutin nga gëzhojat dhe i lanin ato si edhe predhat për t'i pastruar nga grasua që i ruante të izoluara. Predhat, që ishin pa djegore, sipas një marrëveshjeje me Kombinatin Ushtarak të Çekinit në Gramsh, shkonin aty me kamionë dhe i nënshtroheshin demontimit industrial. Pasi u hiqej tritoli, ato ktheheshin sërish në Gërdec. Pra, duke studiuar këtë proces, hetuesit kanë dalë në përfundimin se në Gërdec, firma e Mihal Delijorgjit nuk kryente procesin e demontimit industrial të predhave të artilerisë, sipas marrëveshjes apo kontratës me Ministrinë e Mbrojtjes, por thjesht bënte procesin e veçimit të elementëve të veçantë të shtimjes. Por edhe demontimi i shtimjeve 100 mm, të cilat vinin të montuara, apo unitare, në Gërdec kryhej me metoda primitive, larg çaktivizimit industrial. Sipas rrëfimeve të provuara të ish-ushtarakëve të mbijetuar, predhat unitare të kalibrit 100 mm, që kanë një djegore fundore shumë të rrezikshme, futeshin në disa vrima dhe me anë të forcës së krahëve kryhej procesi fizik i ndarjes së gëzhojës nga predha. Pra, i gjithë ky proces i realizuar në Gërdec i ngjan vetëm një babëzie të ethshme përfitimi dhe asgjëje tjetër të ngjashme me demontimin e pretenduar industrial.

Transporti

Duke qenë se në regjistrat e ushtrisë nuk pasqyrohej gjendja e predhave në depo sipas llojit të gëzhojës, është vërtetuar nga hetimi se, makinave të ushtrisë u ka qëlluar të shkonin në depo që gjenden në ekstreme të vendit për të marrë qoftë një arkë të vetme me predhë me gëzhojë bronzi

Akuza e Prokurorisë për Mediun
(Përfshirë në kërkesën për heqjen e imunitetit)"Gjatë realizimit të procesit të çmontimit të municioneve të kalibrave 20-152 mm, shoqëria "Alba Demil" ka përfshirë si nënkontraktor Uzinën e Gramshit për demontimin e një kategori "shtimjesh" 100 mm dhe se nga kjo marrëveshje, të dy subjektet kane dalë me fitim, provon dyshimin e arsyeshëm se veprimet e ish-ministrit në interes të përfitimeve të padrejta nga kompanitë "SAC"-"Alba Demil", kanë dëmtuar interesat ekonomike të ndërmarrjeve shtetërore ushtarake, të cilat kishin standardet e nevojshme për të garantuar sigurinë në
realizimin e procesit të çmontimit".

Gramshi, ja kontrata me Delijorgjin

Në kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Prokuroria logjikonte se ndërmarrjet shtetërore të demontimit të predhave ishin shmangur.

Ferdinand Dervishi

Sipas Prokurorisë: "Delijorgji kishte përfshirë si nënkontraktor Uzinën e Gramshit për demontimin e një kategorie shtimjesh... Fakti se nga kjo marrëveshje, të dy subjektet kanë dalë me fitim, provon dyshimin e arsyeshëm se veprimet e ish-ministrit në interes të përfitimeve të padrejta nga kompanitë "SAC"-"Alba Demil", kanë dëmtuar interesat ekonomike të ndërmarrjeve shtetërore ushtarake". Por si është e vërteta e marrëveshjes së Mihal Delijorgjit me Kombinatin ushtarak të Çekinit në Gramsh? Si u realizua kontrata? Predhat që vinin aty i faleshin, apo i jepeshin për përpunim kombinatit? "Panorama" kontaktoi drejtpërdrejt drejtorin aktual të Kombinatit të Çekinit, Fiqiri Mato, duke i marrë një intervistë.
Zoti Fiqiri, mund të na qartësoni shkurtimisht statusin e Kombinatit Ushtarak të Çekinit?
Patjetër. Kombinati Ushtarak i Çekinit është një ndërmarrje shtetërore me vetëfinancim në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Personeli është civil, nisur nga unë vetë. Duhet thënë se destinacioni i kombinatit ka ndryshuar pas viteve 2000, pasi nuk kishte më porosi për prodhime ushtarake. Kështu nisur nga viti 2003 e këndej, kombinati ka realizuar në periudha të ndryshme demontim industrial të municioneve të vjetra.
Me cilat kontrata është punuar dhe përse thoni se bëhej demontim industrial?
Eshtë punuar vetëm me kontrata të MEICO-s. Zakonisht janë demontuar shtimje unitare. Pra, ne kemi pajisjet që të bëjnë të plotë demontimin e predhave të kalibrave të mesëm. Demontimi bëhet me anë të makinerive dhe ambienti në fabrikë është i siguruar që të mos ketë incidente, më saktë që këto incidente të mos shkaktojnë tragjedi. Le që sa mbaj mend unë në Çekin nuk ka pasur asnjë incident në asnjë kohë.
Kur kontaktuat me Mihal Delijorgjin?
Ka kontaktuar ai me ne. Kemi nënshkruar një marrëveshje në shkurt të këtij viti. Marrëveshja u nënshkrua sipas të gjitha rregullave, pasi u bë edhe analiza e kostos së punës. E pranuam marrëveshjen me Delijorgjin sepse linjën që bënte veçimin e tritolit nga predhat në atë kohë e kishin të lirë. Pra, duhet të kuptoni se Gramshi është një vend i varfër, ndërsa politikat tona në kombinat janë që të gjejmë sa më shumë kontrata të vlefshme që të realizojmë punë e nëpërmjet saj të sigurojmë të ardhura për punëtorët.
Çfarë parashikonte kontrata me Delijorgjin?
Në bazë të kontratës ai do të na sillte nga Gërdeci predhat e artilerisë për t'i demontuar. Vetëm predhat, më saktë pjesën që mbetet pasi hiqet gëzhoja. Ne kemi një linjë të demontimit me anë të avullit në kombinat, punësohen 12 specialistë. Repartin e quajmë "impianti i heqjes së lëndës". Pra, sipas marrëveshjes, neve vetëm do të ndanim predhën nga tritoli në brendësi të saj. Më tej Delijorgji do t'i merrte si predhat ashtu edhe tritolin mbrapsht. Fitimi ynë ishte çmimi për punën e kryer.
Mund të na shpjegoni procesin e demontimit me avull?
Patjetër. Predhat në brendësi janë të mbushura me tritol. Një nga metodat për të ndarë, pa rrezikuar, tritolin nga çeliku, është ajo me anë të avullit të ngrohtë. Predha ngrohet me avull dhe në një temperaturë të caktuar tritoli shkëputet.    
Arrinit të përballonit furnizimin nga Gërdeci?
Kemi punuar më pak se një muaj me këtë kontratë, pasi më 15 mars Gërdeci shpërtheu. Gjatë kësaj periudhe realizuam një të tretën e gjithë volumit të kontratës. Gjithçka shkoi normalisht dhe nuk patëm ndonjë mbingarkesë.   
Transporti i predhave me se kryhej?
Nuk kishim asnjë detyrim për transportin. Ajo ishte punë e porositësit, pra e Delijorgjit. Ai i sillte dhe ai i merrte mbrapsht predhat pasi u hiqej tritoli.
A kishit një furnizim mbi mundësinë e kapacitetit magazinues, qoftë përpunues? E bëj këtë pyetje pasi pikërisht grumbullimi i skajshëm i materialeve luftarake në Gërdec solli edhe tragjedinë. Pra, falë një pune me normë, aty kishte male me predha.
Ne kishim një furnizim normal. Saktësisht kamionët që shkarkonin predha, ktheheshin mbrapsht të mbushur me predha të demontuara. Pastaj në asnjë rast ne nuk mund të pranonim të fusnim në kombinat më shumë material luftarak se sa përcaktojnë parametrat e sigurisë. Ka disa rregulla të shkruara që ne i zbatojmë.

Shpërthimi në Gërdec, ndahen 844 milionë për të dëmtuarit

Rreth 844 milionë lekë është shuma e parave të grumbulluara që do të ndahet në llogaritë personale të 1500 personave, që u janë dëmtuar shtëpitë dhe prona të tjera nga shpërthimi tragjik i ndodhur pak javë më parë në Gërdec të Vorës. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave, kjo shumë ka kaluar tashmë në llogaritë personale të të dëmtuarve që u janë hapur në bankat e nivelit të dytë. Ndërkaq specialistët e thesarit në Ministrinë e Financave janë duke përgatitur një tjetër listë prej 409 personash, të cilët do të përfitojnë një shumë prej 135.239.848 lekësh. Ndërkohë në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 336 datë 24.03.2008, janë gjithsej 3 825 persona të dëmtuar nga kjo ngjarje, të cilët përfitojnë në total një dëmshpërblim prej 1.559 miliardë lekësh. Nga shpërthimi tragjik i municioneve në Gërdec të Vorës u shkatërruan me qindra banesa. Veç dëmeve materiale, shumë banorë që ishin të punësuar në fabrikë humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›