E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon Matura Shtetërore, pesë provime për maturantët

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Gjuha e huaj do të jetë provimi i pestë shtesë për Maturën Shetërore, i gjuhës angleze ose i një gjuhe tjetër të parë për shkollat bilinguale. Por ky ndryshim do të zbatohet vitin që vjen, ndërsa maturantët e sivjetshëm do të vazhdojnë të testohen sipas skemës së vjetër me katër provime (dy provime me detyrim dhe dy për lëndët me zgjedhje). Një tjetër ndryshim që do të prekë gjimnazistët do të ketë të bëjë edhe me emërtimin e deftesës së pjekurisë, e cila nuk do të quhet më e tillë por do të marrë një emërtim të ri “Diploma e Maturës Shtetërore”.
Studimet Master
Të gjitha këto ndryshime u bënë publike dje gjatë një konference për shtyp të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili foli krahas Maturës Shtetërore, edhe për ndryshimet e Ligjit të Arsimit të Lartë. Tafaj u ndal veçanërisht në saktësimin e cikleve të studimit dhe emërtimin e diplomave sipas sistemit të Bolonjës. Duke nisur nga viti i ri akademik nuk do të ketë më Diplomë të Nivelit të Parë apo Master të Nivelit të Dytë. Kjo pasi MND që është aplikuar deri më tani nuk përputhet me Kartën e Bolonjës. Sipas ndryshimeve të reja studimet e larta do të ndahen në 3 cikle, cikli i parë i studimeve do të zgjatë 3 vjet dhe do të mbyllet me diplomën Bachelor, cikli i dytë do të jenë studimet Master që në vetvete do të ndahen në Master Profesional dhe Master Shkencor. I pari do të zgjasë një vit e gjysmë dhe do të ketë 90 kredite, ndërsa i dyti do të zgjasë dy vjet dhe do të ketë 120 kredite. Ndërkohë cikli i tretë i studimeve do të jetë Doktoratura. Për këtë cikël studimesh mund të aplikojnë vetëm ata studentë që kanë përfunduar Masterin Shkencor, por që minsitri Tafaj nuk e përjashtoi mundësinë e transferimit të krediteve nga Master Profesional në atë Shkencor dhe më pas në Doktoraturë.
Anglishtja
Por një parakusht që nuk është kërkuar më parë për studentët që do të aplikojnë për studimet Master është gjuha angleze. Çdo student duhet të ketë të mbrojtur Anglishten me një test internacional (TOEFL) dhe jo në Fakultetin Filologjik te Gjuhët e Huaja në Tiranë.
Decentralizimi i vendimarrjes
Mes ndryshimeve në Ligjin e Arsimti të lartë do të jetë edhe decentralizimi i vendimarrjes. Miratimi dhe hapja e shkollave të larta do të jetë kompetencë e Këshillit të Ministrave. Hapja e programeve të reja të stdumit do të jetë detyrë e Ministrisë së Arsimit ndërsa universitetet do të kenë të drejtë të përcaktojnë kurrikulat mësimore. Pyetjes së gazetarëve lidhur me autonominë financiare të universiteteve ministri Tafaj iu përgjigj, se kjo është një reformë më vete që nuk do të ngelet pa u diskutuar, por që momentalisht universitetet do të duhet të respektojnë edhe udhëizme ministrash përsa i përket çështjes së financimeve. Ndërkohë në deklarata të mëparshme ministri Tafaj u ka premtuar rektorëve më shumë autonomi financiare nga janari i vitit 2010, ku rektoratet e UV-ve publike do të mund të vendosin vetë se si do ti përdorin të ardhurat e siguruara nga të tretët.

Anglishtja e detyruar për studentët
Për të vazhduar studimet Master tashmë duhet të zotërosh gjuhën angleze. Me miratimin e disa ndryshimeve në ligjin e arsimit të lartë u vendos që të rinjtë të cilët duan të ndjekin studimet master pas ciklit 3 vjeçar "Becler", detyrimisht duhet të mbrojnë anglishten. Por, nuk do të vlejë mbrojtja e gjuhës së huaj në Universitetin e Tiranës. Ministri i Arsimit deklaroi dje se certifikata e zotërimit të anglishtes është e vlefshme vetëm nëse merret nga agjenci ndërkombëtare. Pas 2 vjetësh edhe në gjimnaze gjuha e huaj do të jetë kusht për te kaluar maturën. Në 2012-ën anglishtja apo frëngjishtja do të jetë provim i detyruar i Maturës Shtetërore. Në mbledhjen e së mërkurës qeveria miratoi ndryshimin e cikleve të studimit në Universitetet publike e private. "Bachelor" është cikli i parë 3 vjeçar i Shkollës së Lartë, e po kështu do të emërtohet edhe në diplomë. Studentet e shkëlqyer që pretendojnë për kërkues shkencor do të ndjekin Masterin e Shkencave që zëvendëson Diplomën e Nivelit të Dytë. Ndërsa studentet e tjerë do të ndjekin Master Profesional, i cili mund të bëhet edhe i ndryshëm nga dega që është studiuar për tre vitet e ciklit të parë të Bolonjës.

Diploma Bachelor, 3 vjet
Ministri Tafaj gjatë konferencës së djeshme i komentoi ndryshimet e projekt-ligjit, së pari në strukturë. Ai theksoi se struktura e re konsolidon të tre ciklet e studimeve me disa përmirësime. Diploma e Nivelit të Parë do të quhet “Bachelor”, si në shumë vende të tjera evropiane dhe mbetet përsëri 3 vjet me 180 kredite. “Ka patur propozime për ta zgjatur diplomën e nivelit të pare e për ta bërë 4 vjet, por në diskutime u sollën mjaft argumente bindëse për ta ruajtur këtë strukturë me 3 vjet dhe me një diplomë me emërtim internacional, Bachelor,” sqaroi ministri i Arsimit Myqerem Tafaj. Një argument tjetër që parashtroi ministri ishte, se Bachelor në filozofinë e tij, sipas Bolonjës, mund të jetë i dy natyrave ose tipeve. Ai mund të jetë një Bachelor i orientuar ngushtësisht me një profesion dhe kjo ka kuptim veçanërisht për shkencat teknike. Por në shumë fusha ekzistojnë mundësi të plota që të zhvillohet një Bachelor i orientuar ngushtësisht në një profesion me shanse shumë të mëdha për tu thithur nga tregu i punës.

Mjekësia dhe Arkitektura
Në shkenca të tilla si Mjekësia dhe Arkitektura studentët do të vazhdojnë studimet e integruara të ciklit të dytë që zgjasin 5 vjet dhe kanë së paku 300 kredite. Këto studime përfundojnë me diplomën Master i Shkencave. Edhe për këto fusha studimi kushti i gjuhës angleze është i njejtë. Në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve nuk figuron Masteri i Nivelit të Dytë. “Ai është hequr për shkak se nuk kishte ekuivalent të tij as në vendet e tjera. Ishte një diplomë që zgjaste vetëm një vit me 60 kredite dhe nuk përcaktonte qartë, nëse ishte orientuar në shkencë apo në drejtim profesional. Si e tillë, ishte e vështirë të njihej dhe nga shkollat e huaja, ndaj u vendos që ky lloj masteri të hiqet,” theksoi dje Tafaj. Në doktoratë do të shkohet vetëm nëpërmjet Masterit të Shkencave ose diplomave ekuivalente me të, që vijnë nga vendet e tjera nga studimet e integruara të ciklit të dytë. Por kreditet e Masterit, që zgjat 1.5 vjet, mund të transferohen për studimet “Master i Shkencave” dhe kjo është kompetencë e universitetit që përcakton se cilat module dhe sa kredite janë të transferueshme.

Departamenetet
Kapitulli i tretë i ndryshimeve në Ligjin e Arsimit të Lartë është ai që lidhet me departamentin. E para, ligji saktëson se departamentet që kanë personel akademik të mjaftueshëm dhe me kualifikimin e duhur, do të strukturohen në grupe mësimore-kërkimore. Në këtë mënyrë brenda departamentit krijohet hierarkia institucionale. “Qëllimi është që të promovojmë sa më shumë të rinj në postet e lidershipit brenda departamentit dhe emërimi i titullarëve të grupeve kërkimore-mësimore, të realizohet me konkurs të hapur në fakultet,” bëri të ditur ministri Tafaj. Ndryshimet ligjore kanë prekur dhe Fakultetin e Mjekësisë. Në këtë fakultet deri tani ka egzistuar struktura e departamentit dhe ajo e shërbimit. Tani edhe shërbimi do të ketë të njëjtin status me departamentin. Në këtë mënyrë u jepet mundësi shërbimeve që të thithin më shumë forca të kualifikuara dhe të integrojnë më shumë të rinj në strukturën e tyre. Po sipas ligjit të Arsimit të Lartë, organet kolegjiale, këshilli i fakultetit dhe senati i universitetit, një herë në vit, duhet të organizojnë një mbledhje të hapur, me pjesëmarrjen e profesorëve dhe studentëve. Në këtë forum dekanët dhe rektorët bëjnë publik raportin vjetor të veprimtarisë, përfshirë edhe atë financiar.

Ky lajm është publikuar: 30/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›