Fillimi i një viti të vështirë
Ngjarje të mira janë konflikti për gazin me Ukrainën dhe lufta në rripin e Gazës. Shumë njerëz u vranë dhe shumë godina u shkatërruan, çka është një gjë e mirë për ekonominë e Rusisë. Situata në të gjithë Lindjen e Mesme mund të destabilizohet, prandaj çmimet e naftës do të rriten përsëri dhe kështu qeveria ruse do të marrë frymë e lehtësuar; interpreton Boris Kagarlickij ngjarjet e fillim vitit. Ndërprerja e furnizimit me gaz për Europën Jugore nëpërmjet Ukrainës, është një masë e marrë në kohë, veçanërisht po të kemi parasysh kohën e ftohtë në Gadishullin e Ballkanit dhe në Rumani, thotë Kagarlickij. Njerëzit kishin të ftohtë, shkollat dhe spitalet nuk u ngrohën, çka është gjithashtu shumë mirë, përderisa kjo favorizon Rusinë me rritjen e çmimit të naftës. Në qoftë se konflikti i gazit Rusi-Ukrainë nuk do të ndodhte, ai duhej të sajohej. Mua më duket se ky konflikt u sajua, vazhdon komentin Kagarlickij. Për një kohë të gjatë, mospagesa dhe vjedhja e gazit, nuk kishin rëndësi. Ishte e nevojshme të bëhej një sherr dhe të gjendej një rast për të ndërprerë gazin. Nga kjo pikëpamje, ukrainasit ishin partnerë idealë për Moskën. Ata mund të na e japin këtë shans me rastin më të parë. Rritja e papunësisë në SHBA, është një ngjarje jo e mirë sepse nafta në këtë vend nuk do të jetë një kërkesë dhe aq popullore, por sidoqoftë kjo nuk është fatale. Por katastrofa reale nisi me fillimin e vitit, sepse Kina po ndeshet me krizën ekonomike botërore. Ndërsa ekspertët po diskutojnë nëse rritja ekonomike në Perandorinë Qiellore (Kinë, O.Z.) do të ngadalësohet ose jo dhe autoritetet kineze i thonë popullit se Kina nuk do të ndeshet me një rënie të ndjeshme ekonomike, menaxherët e ndërmarrjeve llogarisin humbje dhe fillimin e pakësimit të prodhimit. Me fillimin dhe gjatë këtij viti me mijëra kompani kineze do të falimentojnë dhe me miliona njerëz do të humbasin vendet e punës. Përkundër këtij sfondi, as konflikti ndërmjet Gazpromit dhe Ukrainës, dhe as bombat e Izraelit mbi popullsinë civile të rripit të Gazës, nuk do ta shpëtojnë situatën, thekson Kagarlickij. Për tregun botëror, faktori kinez është shumë më i rëndësishëm se sa çdo eveniment tjetër. Ky është një fakt real i rënies ekonomike botërore, që padyshim do të ndikojë në sjelljen e tregtarëve, vë në dukje Kagarlickij. Madje ekspertët perëndimorë e kanë ndryshuar parashikimin (prognozën) për të ardhmen e tregut të naftës, nga e keqja në më të keqen. Njoftohet se çmimi i naftës do të bjerë në 30$ për fuçi, në tremujorin e parë të vitit 2009. Kjo është e qartë se çfarë do të thotë për Rusinë. Rezervat monetare dhe ato në valutë, të cilat janë depozituar me ekuilibër në Fondin e Stabilizimit të Federatës Ruse, do të zbrazen më parë nga çpritej. Vendimi i qeverisë për të mbështetur kompanitë më të rëndësishme të Rusisë, që u ndërmor në fund të vitit 2008, nuk do të shpëtojë tregun e brendshëm, meqenëse rënia e çmimit të naftës implikon shkarkime nga puna, ulje të pagave dhe rënie të standardit të jetesës në Rusi. Natyrisht është e mundshme ti jepet ndihmë monetare kompanive të mëdha, të cilat zyrtarët e qeverisë i kanë më për zemër, por kush do ti blejë prodhimet e këtyre kompanive? Çfarë mund të bëjnë këto kompani me këtë ndihmë monetare, kur kriza të arrijë momentin e një tregu të ngushtuar? Shtron pyetjen Kagarlickij. Është më se e qartë se një sasi e konsiderueshme e kësaj ndihme shtetërore do të vidhet, ose po të flasim politikisht korrekt, do të keqpërdoret, konkludon Kagarlickij. Megjithatë kjo mund të ndodhë nëse shteti tenton të ndihmojë biznesin me shpenzimet e taksapaguesve. Kjo ndihmë në vetvete është vjedhje, pavarësisht sesi është shpenzuar paraja. Paraja publike shkon tek biznesmeni, shoqëria zhdëmton për humbjet dhe fitimet, nëse ka të tilla, shkojnë tek korporatat. Këtu ka një çështje tjetër të pakëndshme: Si do të paguajë qeveria punëtorët të marrin rrogat e tyre nëse Rusia del jashtë buxhetit, çka do të ndodhë në gusht dhe jo në dhjetor, në mos nistë katastrofa ekonomike edhe më parë? Ministri i Financave, Aleksej Kudrin ka thënë se në qoftë se Rusia del jashtë buxhetit, atëherë paraja rezervë mund të përdoret automatikisht. Me që ra fjala, thotë Kagarlickij, këto para do të shpenzohen për të mbështetur kompanitë strategjikisht të rëndësishme. Këtu qeveria nuk ka se çtë bëjë tjetër përveçse të shtypë (emetojë) obligacione të reja. Tani rubla po e humbet vlerën kundrejt dollarit, por zhvleftësimi real ende pritet të ndodhë. Njerëzit nuk dinë çtë bëjnë, në rast se ata i kthejnë kursimet e tyre në dollarë, dollari po humbet vlerën, në rast se ata i kthejnë kursimet e tyre në euro, kursi i dollarit rritet. Mjerisht, populli do të jetë ai që do të humbasë për çdo rast; është ai që humbet nga lojërat e zyrtarëve me elitat e korporatave. Veçoria thelbësore e krizës së tanishme qëndron në atë, se ajo do të sjellë kohë të vështira jo vetëm për popullin, por edhe për zyrtarët dhe pronarët e kompanive. Ky fakt ndoshta do të jetë një ngushëllim për rusët e thjeshtë përfundon analizën pesimiste, Boris Kagarlickij.
Last Updated on Wednesday, 04 February 2009 17:33