E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet për pushtet apo për koncept tjetër qeverisës?

>Skënder Limani 
Qeveria aktuale e Kosovës shquhet për ndërtimin e shkollave dhe të rrugëve. Kjo Qeveri shquhet edhe ngritjen e pagave për 10 për qind për punëtorët civil-shtetëror. Pra, Qeveria aktuale shquhet për disa vendime të mira. Por, kjo Qeveri nuk njihet për tentimin që të fus nën kontroll çmimet e tregut të lirë, kjo Qeveri nuk ka ndërmarr ndonjë hap për luftimin e korrupsionit brenda organeve qeverisëse dhe, në veçanti, gjyqësore. Pastaj, kjo Qeveri ende nuk njihet që të ketë ndërmarr ndonjë hap rreth liberalizimit të frekuencave mediale televizive, duke marr parasysh monopolin e krijuar në shtetin më të ri dhe demokratik të Kosovës. Nga debati për ose kundër mbajtjes së zgjedhjeve, mund të ketë interpretime që mund të thonë që punët e nisura nga kjo Qeveri, në mënyrë që të kompletohen, të kenë nevojë për kohë. Kështu, kjo mund të jetë e vetmja qasje, edhe pse mjaft e interpretueshme ligjërisht dhe politikisht, që del si legjitime për tu arsyetuar për mosmbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare deri në fund të vitit 2011. Përmes kësaj qasje, Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi do të kërkonte nga qytetarët kohë (katër vjet të plota) që, pas shpalljes së shtetit të Kosovës më 17 shkurt 2008, atë edhe ta rregullonte dhe ta ndërtonte në aspektin ligjor dhe në aspektin e ndërtimeve, pra, të shkollave, rrugëve, spitaleve, çerdheve, pastaj, të kontrollonte tregtinë, etj., etj. pra, që Kosovën ta bëhet shtet jo vetëm në letër por edhe përnime. Kjo është e vetmja qasje që mund të jetë e kapshme, sepse arsyetimet kushtetuese për të shtyrë zgjedhjet parlamentare janë të paqëndrueshme. Kjo për disa parime politike dhe ligjore. Presidenti i Kosovës, në këtë rast, z. Fatmir Sejdiu, nuk mund të vendos as për mbajtjen e zgjedhjeve e as për mosmbajtjen e tyre. Kjo sepse Kosova nuk është sistem as zgjedhor e as presidencial politik. Pasi Kosova nuk e përdor sistemin zgjedhor presidencial, për mbajtjen ose edhe mosmbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, sikurse për çdo gjë tjetër shtetërore-ligjore në Kosovë, vendos Parlamenti ose Kuvendi i Kosovës, i mirë ose i keq, i tillë çfarë është. Sepse Kosova është shtet parlamentar. Për të vazhduar më tej me vështrime, njëra prej arsyeve pse PDK frikësohet të dal në zgjedhje sivjet është LDK-ja dhe koalicioni me këtë parti. Shumica e militantëve të PDK-së vështirë do të binden të votojnë përsëri për PDK-në. E në anën tjetër, njëjtë edhe militantët e LDK-së vështirë do të binden të rivotojnë LDK-në, sidomos kur dihet që LDK në vazhdimësi e ka akuzuar PDK-në për secilën ndodhi pas luftës, posaçërisht për vrasjet e disa anëtarëve dhe militantëve të kësaj partie. Në anën tjetër, lideri opozitar, z. Ramush Haradinaj, në televizionin Rrokum TV deklaroi që nëse fiton partia e tij, ai do ta ftoj LDK-në për koalicion qeverisës. Me këtë perceptim, AAK-ja vështirë do të fitoj ndonjëherë zgjedhje në këtë vend. Megjithëkëtë, dënimet e ndërsjella të votuesve për shkak të lidhjes së koalicionit PDK-LDK, ka mundësi reale ta nxjerrin AAK-në të parën, pra si kryesuese e cilitdo koalicioni të ardhshëm qeverisës. Për më tepër, hyrja e publicistit Blerim Shala në politikë edhe zyrtarisht, ashiqare ka sjell freski në debatin politik në Kosovë. Praktikisht, ai asgjë të re as nuk po thotë e as nuk po ofron. Megjithëkëtë, ai ka arritur të tërheq vëmendjen. E kjo, për kushtet e AAK-së, është e mjaftueshme.  Por, nga ana e votuesve, duket që koalicioni PDK-LDK, pastaj, zhagitja e realizimit të premtimeve elektorale, pastaj, toleromi i komunistëve që ende të kenë pushtet në Kosovë dhe disa të tjera, ka siguruar një gjë: nëse mbahen zgjedhjet sivjet, ata do të jenë edhe më të pakët sesa zakonisht deri më tash. Sa për ilustrim, duhet thënë që vendimi për mosmbajtjen e zgjedhjeve parlamentare nuk është i vetmi vendim i sojit të tillë që përkrah Qeveria Thaçi. Një rast i tillë ndodhi edhe me vendimin për moslejimin e universiteteve private që të regjistrojnë studentë në vitin akademik 2008/2009 dhe për ndërprerjen e programit të magjistraturës. Pavarësisht perceptimeve për punën e universiteteve private, vendimi për këtë moslejim nuk ishte i bazuar në ligj. Për më tepër, komenti vijues i krahut të tij arsimor, z. Enver Hoxhaj, se ai nuk e garanton cilësinë e studentëve të dalë nga universitetet private është cilësim racistë. Ministrit Hoxhaj është mirë ti bëhet me dije që ai është dhe gjithmonë do të mbetet prodhim i Universitetit të Prishtinës (UP). Një UP që mbetet e pareformueshme tash e sa dekada. Kështu, duke pasur parasysh këtë mbarështrim të ngjarjeve prej njërës në tjetrën, pastaj, duke e pasur parasysh që partitë politike e mësuan që shteti është më lehtë të bëhet në letër sesa të ndërtohet në praktikë, pastaj, duke marr mësime të deritanishme nga një dorë e fortë e Ramushit gjatë qeverisjes së tij tremujore, pastaj, duke marr parasysh vendosmërinë e Thaçit për bërjen e shtetit dhe duke i marr parasysh edhe disa të tjera, do të ishte mirë që të mendohet për një koalicion të mundshëm PDK-AAK në të ardhmen. Koalicioni PDK-AAK do të mbante në vete porosi për të gjithë brenda dhe jashtë Kosovës: se Kosova ka vendosur jo vetëm të shpallet shtet në letër, por edhe të ndërtohet, të duket dhe të funksionoj si shtet. Kështu, jo vetëm Beogradi, por edhe disa të tjerë, do ta mësonin që Kosova është shtet dhe se nuk ka kthim mbrapa. Sigurisht, as ky koalicion nuk është i përsosur. Por, të gjithë e dimë se ky vend ka nevojë ta ndryshoj kursin e vet politik, se ky vend ka nevojë të ndërroj konceptin aktual qeverisës, pra, se ky vend ka nevojë të vendos një koncept tjetër politik dhe qeverisës që do të bazohej në qytetarë, që do të ishte përgjegjës dhe llogaridhënës, që do të ishte demokratik, pra, një koncept që do të ishte krejt i ndryshëm sesa ky që e kemi tash e sa vjet. Kështu, rrethanat aktuale politike bëjnë të mundshme që Hashimi dhe Ramushi të jenë lojtarët bosht në ndërrimin e konceptit aktual politik dhe qeverisës në Kosovë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›