A jemi të imunizuar nga tërmetet?
Këto ditë Italia u godit nga një tërmet i fuqishëm, ku humbën jetën mbi 250 persona dhe qindra të tjerë u plagosën. Dëmet materiale llogariten rreth 1,5 miliardë euro.
Pas ngjarjes, mendja më shkoi te Shqipëria që ka një brez sizmik të fuqishëm, me intensitet deri në 9 ballë Merkali, siç ishte ai i 15 prillit 1979.
Dinamika e rritjes urbane në kontekstin aktual social-ekonomik paraqet një sfidë të paprecedent të përshtatjes së qytetit dhe mbi të gjitha infrastrukturës dhe sistemit të shërbimit.
Në Shqipëri dominojnë shtëpitë përdhese të ndërtuara keq dhe pa asnjë projekt, por janë me qindra pallate të reja të ndërtuara pas vitit 1990, pa zbatuar studimet sizmike dhe me teknologji primitive.
A jemi ne të përgatitur të përballojmë një situatë të tillë?
Bashkitë e mëdha, si Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani, Shkodra etj., kanë jo pak përgjegjësi në rast të një tërmeti me fuqi si ai Aquila-s.
Studimet që ka patur e trashëguar Bashkia e Tiranës konkludonin se në kryeqytet mund të ndërtohet deri tetë kate, ndërkohë që mbi këtë lartësi kërkohej studim i posaçëm i riskut sizmik në përputhje me kërkesat e ligjit urbanistik.
Nisur nga studimet sizmike dhe nga parametrat gjeodezike të nëntokës kryeqytetase rezulton se Tirana është zonë sizmike e nxehtë, sepse është ndërtuar pa kriter. Aty janë prekur kondicionet urbane nga ndërtuesit, leja e ndërtimit është dhënë për 10 kate dhe është ndërtuar 12 kate. Këto shkelje po legalizohen pa mbajtur parasysh asnjë lloj studimi sizmik, thjesht për interesa elektorale.
Sistemi i kontrollit pothuajse nuk ekziston dhe roli i supervizorëve është krejtësisht formal. Kontrolli është reduktuar vetëm në raportin që ata paraqesin.
Afërsisht çdo vit regjistrohen 4-5 tërmete dhe një herë në 25 vjet jemi goditur me tërmete 9 ballë. Shqipëria është rajon me aktivitet të lartë sizmik dhe shpeshherë kemi vuajtur pasoja të rënda.
Tërmete kanë rënë në Korçë, në vitin 1931, 1960; Vlorë, Tepelenë, 1930; Durrës 1926; Shkodër, Lezhë 1943, 1979; Lushnjë, Fier, Rrogozhinë, Peqin, Berat 1959; Tiranë 1988; Dibër, Librazhd 1967 etj.
Instituti sizmologjik gjatë ditëve të fundit ka regjistruar 30 tërmete. Ai sqaron se dridhjet e tokës në këtë rajon janë normale, pasi kemi të bëjmë me rajon aktiv sizmik, prandaj mendohet se magnitudat nuk janë të karakterit shqetësues dhe nga ato nuk priten as dëme materiale.
Tërmete të njëpasnjëshme dhe intensitet i ulët janë vënë re në Shqipëri, Maqedoni, Greqi e gjetkë.
Në fushën e ndërtimeve organet shtetërore kanë nxjerrë ligje që janë të detyrueshme të zbatohen, ka organe kontrolli, por problemi është se si zbatohen këto ligje. Në bazë të ligjit të urbanistikës për ndërtuesit kërkohen dy studime të veçanta, ai gjeologjik i sheshit të ndërtimit dhe studimi i rrezikut sizmik të sheshit.
A janë kryer për çdo rast këto studime dhe a janë shqetësuar organet e kontrollit?
Studimet sizmologjike duhen verifikuar nga bashkitë e komunat. Qytetarët kanë të drejtë të dinë për sigurinë e ndërtimeve dhe nëse janë zbatuar rregullat në përputhje me ligjin.
Tërmetet më së shumti rrezikojnë objektet shumëkatëshe, të cilat janë me shumicë në Tiranë, Durrës etj. Këto ndërtime duhet të testohen në qëndrueshmërinë e tyre. Pavarësisht mënyrës se si janë ndërtuar, duhet të krijohet një bazë informative për objektet dhe terrenet e ndryshme. Duke qenë se Shqipëria në përgjithësi dhe Tirana në veçanti janë zona risku, një tërmet i mundshëm mund të shkaktojë pasoja të rënda.
Për të shmangur një ngjarje eventuale lypset zbatimi rigoroz i të gjitha kushteve teknike dhe sizmike dhe i gjithë sistemi duhet të funksionojë si një i tëri.
Vini re çfarë kasaphane është bërë në Tiranë. Si mos të mjaftojnë gabimet e rënda që janë bërë në të gjitha pallatet që janë buzë rrugëve kryesore, katet e para janë përshtatur në dyqane duke prishur arkitra, murembajtës dhe zoti e di se çfarë tjetër. Fatkeqësisht, nuk ka asnjë kontroll nga organet përkatëse.
Gjithmonë kemi bërë analiza pas fatkeqësive.
Një ngjarje ndodhi në Gërdec dhe të gjithë e pamë se si u hutua dhe sa i pafuqishëm ishte shteti. Shikoni në Itali sa me vështirësi përballohet situata.
Duhet të jemi të përgatitur, në të kundërt do të jetë shumë vonë.