Punë dhe nder!
Apel publik për bashkëpunim!
Një projekt nga Inida Gjata ZHAKU
6 qershor 2009
Tiranë
Një panair dhe ekspozitë e punës së ndershme të bizneseve, artistëve dhe punëtorëve shqiptarë!
Në shenjë mirënjohjeje, në shenjë përkrahjeje dhe shumë frymëzues.
Një kontribut që shoqëria, bizneset, administrata dhe vetë individët duhet të japin në shenjë të PUNËS dhe në shenjë të NDERSHMËRISË!
Për të mos ndenjur duarkryq përpara shkatërrimit të së kaluarës së Atdheut!
Për të mos e lejuar punën e pandershme të shkelë mbi djersën e atyre që përpiqen të ndërtojnë një Shqipëri të emancipuar!
Për të mos e lejuar më bindjen se në Shqipëri mundësitë nuk iu jepen më të mirëve, të na veshë sytë. Bindjen se në Shqipëri nuk vlerësohesh prej aftësive. Se në Shqipëri nuk mund të fitosh pa miq e pa pará!
Pjesëmarrësit që pritet të marrin pjesë në këtë manifestim që do të zgjasë nga ora 10.00-22.00 janë: 500.000 vetë!
Në anën e pasme të fletëpalosjes do të shkruhet përshkrimi, data e nisjes dhe çfarë duhet të bëjnë të gjithë të interesuarit:
NJERIU NUK DUHET TË PUNËROJË! NJERIU NUK DUHET TË PUNORËZOJË! NJERIU NUK DUHET TË PUNËTOLOSET! NJERIU NUK DUHET TË PUNËPUNOJË! NJERIU NUK DUHET TË PUNËMISË! NJERIU NUK DUHET TË PUNËROHET! NJERIU NUK DUHET TË PUNËVITET! NJERIU NUK DUHET TË PUNËLLOHET! NJERIU NUK DUHET TË PUNËJITET!
NJERIU DUHET TË PUNOJË! NJERIU DUHET TË PUNËSOHET! NJERIU DUHET PUNËSOJË! NJERIU DUHET TË NDEROHET!
Më 6 qershor, meqenëse “1 MAJI” përfaqëson tashmë prej vitesh, pothuajse asgjë për shqiptarët, TIRANA do të shndërrohet në panairin e PUNËS me NDER. Në shërbim të plotë të NDERSHMËRISË dhe VULLNETIT, në shenjë MIRËNJOHJEJE për GJYSHËRIT, FALËNDERIMI për PRINDËRIT dhe PËRKRAHJEJE për BREZAT që do të na PASOJNË, ftoheni të merrni pjesë duke kërkuar një vend të ri pune, një ide për biznes, përballje me pak më shumë histori rreth ATDHEUT tonë. Mund të bëheni edhe pjesë e panairit, në rast se jeni artist dhe keni ç’të prezantoni dhe shisni përpara njëri-tjetrit! Nuk mund të shiten MEND! Duhen PRODUKTE!
Të gjithë të interesuarit duhet regjistrohen në nr. e kontaktit 069 40 64 366 ose të shkruajnë në: Inida Gjata ZHAKU, Blv. “Bajram Curri”, ETC, Tiranë.
Nga data 20 Prill-20 Maj!
Ne nuk kërkojmë karta identiteti!
Ne kërkojmë partnerë të NDERSHËM!
Ka tri breza që përfshihen në këtë projekt! Është brezi i pensionistëve, ndër të cilët mund të gjesh njerëz që kanë vullnetin e madh për të qenë aktivë por që nuk dinë ç’të bëjnë e me se të merren, sikurse ka edhe nga ata që, megjithëse nuk u del pensioni, preferojnë të qajnë kohën e vjetër, ku kish disa siguri më të larta për jetën, ndryshe nga kohët moderne, të cilat duket sikur ecin e zhvillohen pa e marrë parasysh ekzistencën e tyre!
E megjithatë, është brezi që ka ndërtuar atë pjesë të Shqipërisë që pas viteve ’90 u shkatërrua plotësisht, me pretendimin se qe produkt i sistemit më të egër diktatorial në historinë e njerëzimit. Por, a është e drejtë të mohohet vlera e sakrificës, e punës së mundimshme dhe e mungesës së lirisë së këtij brezi që sot, në ditët tona është plotësisht i harruar dhe i papërfillur edhe nga shoqëria edhe nga shteti?!
Në kushtet, në të cilat kjo shtresë jeton aktualisht, ku përkrahja sociale është minimale, mundësitë e ambienteve të përshtatshme për nevojat e tyre, vëmendja minimale e pjesës tjetër të shoqërisë, të lind natyrshëm dëshira dhe nevoja që ta përfshish edhe këtë shtresë në këtë projekt. Por këtë herë, duke i shërbyer në shenjë mirënjohjeje e duke e shndërruar 6 qershorin në ditë të rëndësishme e falënderuese edhe për ta!
Çfarë do të ndodhë më 6 qershor për pensionistët?
Në parkun “Rinia”, në parkun përpara Galerisë Kombëtare të Arteve, në parkun përpara qendrës kulturore “Arbnori”, në parkun përballë Presidencës do të ndërtohen ekspozita të veprave të mëdha ndërtuar në Shqipëri prej punës së këtij brezi. Ekspozime të fotografive të hidrocentraleve, hekurudhave, porteve, spitaleve, shkollave, institucioneve, kombinateve etj…
Ekspozim fotografik në ambient të hapur të të gjitha veprave të mëdha të ndërtuara në Shqipëri pas Luftës Nacionalçlirimtare. Edhe pse sistemi, në të cilat u ndërtuan këto vepra, ka prodhuar dëme të mëdha në shoqërinë shqiptare, dëme të cilat kanë lënë pasoja të dukshme e të rënda në shoqërinë e ditëve tona, kjo nuk e legjitimon mohimin kategorik dhe mungesën e mirënjohjes ndaj asaj çfarë ai sistem gjithashtu ndërtoi. Mungesa e dëshmisë së punës së kryer dhe fshehja pas të këqijave që sistemi komunist prodhoi, e ka bërë shoqërinë shqiptare të mos ketë dëshmi të shëndosha e me vlerë rreth së kaluarës së vet. Në një shoqëri të emancipuar, duhet mbi të gjitha të lartësohet çfarë meriton të lartësohet nga historia e vet. Dhe me gjithë të këqijat që sistemi i mëparshëm, ku pensionistët e sotëm ishin punëtorët e së djeshmes, u prodhua edhe një Shqipëri, të cilën, përveçse duhet ta përmirësojmë, duhet edhe ta rindërtojmë e NDEROJMË. Rindërtimi i saj nis nga kujtesa dhe mirënjohja për atë çfarë ishte më e mira e saj në çdo sistem, nën çdo udhëheqje!
Në parqet te të cilat do të zhvillohen ekspozitat, ku nëpër banera të mëdhenj do të printohen fotografitë në fjalë, do të krijohen edhe banakë, ku do të shërbehen fruta dhe lëngje frutash për të gjithë pensionistët pjesëmarrës.
Do të jetë kjo një mundësi për të gjithë që të shkëmbejnë biseda dhe të ndihen krenarë e të falënderuar për kontributin e tyre në shoqërinë shqiptare. Një mundësi për brezin e tretë të dëshmojë përpara nipërve e mbesave punën e vet, e cila mbi të gjitha ishte një mundim, jo vetëm fizik, por edhe mendor, duke qenë se me gjithë mundin e shpenzuar jetonin në një shoqëri të ashpër, frikësuese e të palirë. Edhe pse tashmë këto vepra do të jenë asgjë më shumë sesa fotografi, kjo do të ndikojë shumë në psikologjinë tonë kolektive, pasi të gjithë do të rikujtojnë se Shqipëria ka nevojë për kontributin e të gjithëve që të rindërtohet e të qytetërohet sa më parë.
Është brezi i fëmijëve të pensionistëve, që janë njëkohësisht edhe prindër, edhe fëmijë. Jeta për një pjesë të madhe të kësaj shtrese është e vështirë. Në Shqipëri, ky brez mban mbi kurriz edhe dy ngarkesa, përveç halleve të veta. Koha duket se e ka skllavëruar përgjithmonë këtë brez. Ata nuk kanë kurrë kohë të kujdesen për veten. Kërkesat e tyre nga jeta janë shëndet për prindërit e pasuri për fëmijët. Por, duke qene produkt i sistemit komunist, një pjesë e madhe e kësaj kategorie, e mësuar të presë prej politikës dhe qeverisë zgjidhjen e çështjes së punësimit, e ka gati të pamundur t’i edukojë e të kultivojë te fëmijët e vet kulturën e të punuarit dhe të qenit të pavarur e të zotë në gjithçka që do të mund të bënin. Kështu që edhe vetë të paqartë për mundësitë e panumërta që mund t’i krijojë njeriu vetes për t’u aftësuar maksimalisht e për ta kualifikuar veten në mënyrë të pavarur, ngarkohet me barra të rënda, të cilat e shpien këtë brez të vuajë varfërinë e prindërve, strapacimin e vet dhe pamundësitë e punësimit të fëmijëve të tyre.
Kjo pjesë e shoqërisë që është shkolluar në një sistem diktatorial e ku propaganda komuniste në shkollim i shndërroi në marioneta të një sistemi ndrydhës e të vrazhdë, ku nuk favorizohej zgjerimi i informacionit, i dijes dhe i kulturës, por ngecja nëpër propagandën shtetërore, e cila u shndërrua në dëmin më të madh të historisë së Shqipërisë. Megjithatë, pikërisht ky brez, ashtu sikundër u shndërrua në viktimë të propagandës, u shndërrua pas viteve ’90 edhe në “udhëheqësit” e sistemit pluralist. Duke drejtuar administratën shtetërore, si dhe biznesin privat.
Kjo është shtresa e shoqërisë që ka punuar në të dy sistemet. Kjo shtresë është produkt edhe i propagandës së dikurshme, edhe krijuesi i propagandës së kohëve moderne. Janë ata që prodhuan sistemin kapitalist, duke ndërtuar bizneset shqiptare. Janë ata që mes mungesës së lirisë gjetën motivimin dhe krijuan mundësitë që Shqipëria të zhvillohet me hapa galopantë. Me gjithë të këqijat që edhe padituria e tyre prodhoi, siç janë shkatërrimi i veprave të së kaluarës, piramidat, korrupsioni etj.,…sot Shqipëria ka biznese, të cilat janë të admirueshme. Nëpërmjet zhvillimit dhe modernizimit të teknologjisë dhe mentalitetit të atyre që krijuan Shqipërinë e sotme, janë krijuar vende të reja pune, mundësish e zgjerim i mëtejshëm informacioni, kualifikimi për një numër shumë të madh profesionistësh. Megjithëse mund të kish qenë më mirë një manifestim në shenjë mirënjohjeje për të gjithë ata që kontribuan në emancipimin e kulturës së punës dhe dijes në Shqipëri, është i domosdoshëm më 6 qershor!
Duke nisur nga dy sheshet qendrore të Tiranës, të cilat deri më sot veçse janë politizuar prej manifestimeve të deritanishme, “Nënë Tereza” dhe “Skënderbeu”, do të ndërtohen ekspozitat e bizneseve më të suksesshme shqiptare. Stenda, ku jo vetëm do të promovojnë biznesin e tyre të gjithë më të suksesshmit, por edhe do t’u japin mundësinë të gjithë të interesuarve të aplikojnë për punësim. Këto stenda do të vendosen përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga të dy krahët e tij, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të njihen dhe të aplikojnë për një punë në varësi të kualifikimit të gjithsecilit.
Dhe brezi tjetër janë pikërisht fëmijët e tyre, të cilët trajtohen nga një pjesë e madhe e shoqërisë si të pazotët, të paaftë për t’u marrë seriozisht. Duhet të piqesh e të bëhesh plak i moçëm e i urtë që të mund të gjykohesh si i denjë për besim në Shqipëri. Një pjesë e arsimuar e këtij brezi ka zgjedhur t’ia krijojë vetë vetes mundësitë e të punuarit e të të bërit atë që dëshiron me gjithë vështirësitë që ndesh, teksa i duhet njëherësh të luftojë edhe me kokëfortësinë e paragjykimet e brezit të mëparshëm. Por një pjesë tjetër dhe shumë e madhe e kësaj shtrese ka rënë viktimë e sistemit monopolist, e duke mos qenë i edukuar mjaftueshëm, duke mos qenë i kultivuar në një shoqëri emancipuese, ku kush është i zoti, vlen, ku varfërinë e rropatjen e prindërve e shohin si mangësi të vetë prindërve duke shpresuar se një ditë befas gjërat do të ndryshojnë, por duke mos e kërkuar shpëtimin te vetja. Ku shkolla duket sikur nuk vlen. Ku ndershmëria duket sikur nuk pi ujë. Ku modelet dhe pikat e referimit janë aq të rëndomta, saqë zhvlerësojnë edhe arsimin, edhe punën, sepse duket sikur mjafton të bëhesh pjesë e konjukturave dhe të jesh kultivues i këtij sistemi jokrijues dhe antisocial për të arritur pozicione të larta. Ky brez, nëse nuk vendoset përpara disa shembujsh pozitivë, rrezikon ta përkeqësojë edhe më gjendjen aktuale apatike në të cilën ndodhet shoqëria jonë.
Kështu që në të gjithë zonën e ish-“Bllokut”, të rinjtë artistë, studentë, nxënës do të japin shembullin e punës sipas tyre, duke bërë shumë mirë atë që ata dinë të bëjnë më mirë.
Do të ndërtohet 1 skenë, ku grupet më të mira shqiptare dhe muzikantë të rinj do të luajnë live në mënyrë që të promovojnë muzikën dhe talentin e tyre. Përgjatë rrugicave të ish-“Bllokut” do të ndërtohen stenda, ku piktorë, shkrimtarë me libra të botuar, stilistë dhe të tjerë të rinj interesantë që kanë një produkt për të ekspozuar apo shitur, do të kenë mundësi t’i shfrytëzojnë.
Për ta realizuar këtë projekt kërkoj publikisht ndihmën e Bashkisë së Tiranës!
Të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale!
Të Popullit!
Të Medias!
Të Bizneseve Vendase!
Mbase unë nuk e meritoj ndihmën dhe bashkëpunimin e askujt, por e meriton nisma që kam ndërmarrë!
Ky manifestim do të titullohet “PUNË dhe NDER”! Duhej të ishte zhvilluar më 1 Maj, në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, por, meqenëse nuk ka kohë të mjaftueshme për realizimin, kontaktin dhe organizimin e të gjithë pjesëmarrësve dhe pikave të kryeqytetit që do të shfrytëzohen për këtë manifestim, do të zhvillohet më 6 qershor!
Inida Gjata Zhaku
inidagjata@yahoo.com
Blv. “Bajram Curri”, ETC, Tiranë
0694064366