E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Leku qëndroi i fortë si Skënderbeu



Pak metra larg vendit ku opozita po proteston prej disa ditësh, Kryeministri Berisha ka folur para mediave për situatën ekonomike në vend, por edhe për fjalën e fundit të teknologjisë, një kompjuter me formatin e një faqe libri, i quajti Ipad. I porsadalë në treg, një prej këtyre kompjuterëve është bërë pronë e kreut të Qeverisë. “Natën që shumë prej jush ndiqnin Interin me Barcelonën, unë ndiqja pasionin tim të vjetër. Mund ta lija, por po familjarizohesha. Mund t’u them se nuk kam pasur kurrë në dorë një gjë më të mrekullueshme, më njerëzore, më miqësore, më të sofistikuar se Ipad”, iu drejtua Kryeministri deputetëve. Në të njëjtën kohë, kreu i ekzekutivit konfirmoi momentin pozitiv në të cilin ndodhet ekonomia shqiptare. “Eksportet e prillit 2009 kanë qenë 1 milion e 114 mijë tonë të barabarta të 2.6 miliardë lekë, për atë çka është “Made in Albania”, kurse në prillin 2010, këto eksperte janë rritur në 1 milion e 163 mijë tonë dhe kanë kapur vlerën 7 miliard lekë, nga 2.6 miliardë lekë. Po është e vërtetë se nga këto 7 miliardë, 2 miliardë janë energji elektrike, por është e vërtetë se edhe pa energjinë elektrike, eksportet “Made in Albania” janë dyfishuar në muajin prill”, u shpreh Kryeministri. Berisha ka mbrojtur para deputetëve demokratë edhe punën e Institutit të Statistikave, teksa shtoi se “u them këtyre antiglobalëve, pasi këta po e përdorin borxhin, njëlloj si në kohën e Enverit, se na latë me një borxh 70 për qind dhe e sollëm në kulmin e krizës me një borxh 59 për qind. Kjo është e vërteta dhe prapë do ta ulim. Kemi një inflacionin thellësisht të kontrolluar dhe leku, më duhet t’u them kësaj here, se ka qëndruar njëlloj si Skënderbeu. Ritvani të gjitha betejat nuk i bënte ballë për ballë, disa i bënte edhe me krahëmarrje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›