E Hënë, 2 Nëntor 2026

A ka marrë fund “beteja”?

04/06/2005  Pas ratifikimit nga Letonia

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, tha se përpjekja për ratifikimin e saj do të vazhdojë deri në afatin përfundimtar, vitin e ardhshëm. “Fati i saj nuk do të mësohet deri në nëntor të vitit 2006. Dhe deri atëherë, ne do të punojmë 24 orë në ditë me të njejtën energji, me të njejtën vendosmëri si më parë”

Letonia ratifikoi me shumicë dërmuese projekt-kushtetutën evropiane. Por kundërshtimi i saj nga Franca dhe Holanda e ka venë në dyshim të ardhmen e bllokut. Kundërshtimi i votuesve holandezë shihet si një goditje e rëndë, pasi Holanda ka qenë tradicionalisht një vend pro-evropian. Megjithatë udhëheqësit evropianë u bënë thirrje vendeve anëtare të mos heqin dorë nga përpjekjet për kushtetutën.

Presidenti i Komisionit Evropian, Zhose Manauel Barroso, u bëri thirrje vendeve të organizatës të mos ndërmarrin ndonjë hap të njëanshëm para takimit të lartë të Bashkimit Evropian këtë muaj. Por a ka shpresa për të ardhmen beteja politike për kushtetutën evropiane?

Në pamje të parë, kushtetuta e Bashkimit Evropian duket e vdekur. Ndërsa duhet miratimi i 25 vendeve që ajo të hyjë në fuqi, kundërshtimi nga Franca dhe Holanda ishte një goditje e rëndë për shpresat e udhëheqësve evropianë, që synonin të lehtësonin procesin vendimmarrës të bllokut të zgjeruar. Por udhëheqësit kanë ende shpresa.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, tha se përpjekja për ratifikimin e saj do të vazhdojë deri në afatin përfundimtar, vitin e ardhshëm.

“Fati i saj nuk do të mësohet deri në nëntor të vitit 2006. Dhe deri atëherë ne do të punojmë 24 orë në ditë me të njejtën energji, me të njejtën vendosmëri si më parë.”

Kryeministri britanik, Toni Bler, paralajmëroi këtë javë se zhvillimet e ditëve të fundit mund ta dëmtojnë Evropën ekonomikisht. “Në thelb, është një pyetje edhe më e thllë, që ka të bëjë me të ardhmen e Evropës dhe veçanërisht me të ardhmen e ekonomisë. Si do të arrijë Evropa të përballojë trysninë nga globalizimi dhe ndryshimet tekonologjike. Detyra jonë është ta bëjmë ekonominë e Evropës të fortë e të begatë, që të përballojë sfida të tilla”.

Mbështetja për Bashkimin Evropian në Holandë, një nga vendet themeluese të organizatës, ka qenë tradicionalisht e fortë. Por, shumë holandezë janë të shqetësuar se vendi i tyre, me vetëm 16 milionë banorë, do të humbiste nga një supershtet me seli në Bruksel, që do të dominohej nga Gjermania, Franca dhe Britania.

Analisti politik, Xhon Palmer, i Qendrës së Politikave Evropiane, në Bruksel, fajëson për humbjen e referendumit komunikimin e pakët midis udhëheqësve evropianë dhe elektoratit të tyre. “Vendet anëtare dështuan shumë kohë para këtij referendumit, në detyrën e tyre për t’ua bërë njerëzve të qartë se ku do të merreshin vendimet dhe kush do të mbante përgjegjësi për to”.

Shumë analistë politikë, si Simon O’Connor, i institutit studimor Qendra në Bruksel, besojnë se votimi i këtyre ditëve kundër referendumit, mund të jetë një gjë shumë e mire për të ardhmen e Evropës. “Është ende e mundur që nga kjo të dalë një aspekt pozitiv, nëse Bashkimi Evropian reflekton tani dhe nuk nxiton me ratifikimin në vendet e tjera, që kanë plane për referendume. Kjo do të ishte kundërproduktive”.

Shumë udhëheqës evropianë thonë se procesi i ratifikimit duhet të vazhdojë, derisa të gjitha vendet të thonë fjalën e tyre. Por, diplomatët thonë se një qëndrim i tillë mund të ndryshojë në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit të planifikuar për në fund të muajit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›