E Hënë, 2 Nëntor 2026

Stili i viteve ’70, tendenca e fundit

04/06/2005  Flokët janë gjysma e bukurisë së njeriut, sidomos për femrat, që kanë më shumë mundësi se meshkujt të krijojnë dhe stilizojnë modele të reja dhe nga më të ndryshmet. Flokë të gjatë apo të shkurtë, kjo nuk ka shumë rëndësi këtë sezon, pasi një ide po zotëron modën e flokëve të verës së vitit 2005. Flokë të fryra të viteve ’70. Flokë të lëshuara, të pakrehur dhe të fryra në pjesë e ballit, të hedhura lart dhe të fiksuara mirë me shkumë apo llak, apo të kapura me kapëse.

Nëse do të hapni të gjitha revistat e modës, do të vërehet

se të gjitha stilet janë në modë. Por ajo që është më e çuditshme, është fakti se si është kthyer edhe një herë stili i shumë viteve më parë. Nga vitet '20 deri tek ato '70.

Pjesa e përparme e flokëve është e fryrë, nuk është e mbushur me shumë substanca forcuese, por që arrijnë t’i japin atyre formën e kërkuar. Ndërkohë që stili sportiv nuk ka si të mungojë këtë sezon, duke iu përshtatur më mirë veshjes së jetës së përditshme sportive.

Por ajo që mbizotëron stilimet e reja të flokëve janë dy modele kryesore, ‘punk’ e ‘barbie dhe big jim’. Për stilin punk, sigurisht nuk kanë si të mungojnë fryrjet e tepruara të flokëve, ngjyrat e shumta, tipike londineze. Ndërkohë që femra ‘barbie dhe big jim’ ka krehjen e viteve ’70. Flokët e saj do të jenë të shëndetshëm, të shkëlqyeshëm dhe shumë të bukur.

Në të gjithë këtë duhet të mbahet parasysh se e rëndësishme është që të shprehësh personalitetin tënd, konceptin tënd për jetën dhe modën, të shfaqësh dhe vësh në dukje gjithçka, make up-in, aksesorët dhe krehjen. Nuk duhet harruar që shumë herë flokët kthehen në një ‘aksesor’ të rëndësishëm.

Rikthimi i viteve ’70 është një risi për imazhin e femrës, dhe kjo shoqërohet edhe me modën e veshjeve. Kjo tendencë nuk po vërehet vetëm në krehjen apo në rregullimin e flokëve, por edhe në vetë jetën tonë, në muzikë, në art, në veshje.

Tendenca e flokëve voluminozë dhe të fryrë, sidomos në pjesën e ballit, është moda e këtij viti. Por, ndërkohë edhe ngjyrat e flokëve janë të rëndësishme. Ajo po kthehet në një aksesor. Stilistët këshillojnë që të luajmë më shumë me ngjyrat. Megjithëse këtë sezon tonalitetet bazë janë ato natyrale. Loja me ngjyrat nuk është vetëm një ide për të lyer flokët, por edhe për të krijuar, të dërguar një mesazh, madje, edhe për të provokuar.

Të gjatë e të pakrehur, stili i preferuar

Flokët e gjatë dhe të pakrehur janë me të vërtetë tendencë dhe shumë të pëlqyer këtë sezon. Ashtu siç ndodh në çdo sezon, modelet dhe stilet e reja nuk lindin nga një moment në tjetrin. Shpesh ato janë një evolucion i një stili që ka ekzistuar edhe më parë.

Kështu ndodh edhe me flokët e gjatë, si në të gjitha sezonet e mëparshme, flokët e gjatë mbeten të bukur dhe tendencë. Në sfilatat ndërkombëtare të kësaj vere janë parë pak femra me flokë të shkurtër.

Pra, këshillat e këtij viti janë: jini të lirshme me flokët tuaj, edhe nëse nuk do t’i krihni nuk është aspak problem, pasi prapë do të dukeni e modës dhe e bukur. Në parukeri punohet me orë të tëra për të krijuar modele flokësh të ‘pakrehur’, por përse shumë herë të harxhosh kohë kur shumë lehtë mund t’i lini të pakrehur, të shpupurisur, sikur era t’i ketë prishur modelin e tyre. Stilistët ju garantojnë se do të dukeni shumë seksi, joshëse dhe e bukur.

Flokët e gjatë që bien mbi shpatulla, madje mund të mbulojnë edhe kurrizin, do të këshilloheshin më shumë se flokët e shkurtër. Krijimi i modeleve natyrale ju japin një pamje më të lehtë dhe të thjeshtë. Por krahas saj, stilistë të tjerë këshillojnë edhe ndonjë gërshet në mes të flokëve, kryesisht në pjesën anësore të kokës, që shumë herë mund të ngjajë edhe me stile hippy, shumë e bukur si për ditën, ashtu edhe për mbrëmjet.

Por gjithsesi, çdo stil që do të krijoni për flokët tuaj, e rëndësishme është që të jetë sa më natyral dhe i thjeshtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›