Londra nderon Kadarenë me çmimin prestigjoz "Man Booker International Prize"

03/06/2005 Shkrimtari Ismail Kadare është nderuar me çmimin prestigjioz "Man Booker International Prize" (Çmimi Ndërkombëtar për Shkrimtarin më të Mirë). Çmimi u jepet një elite të zgjedhur shkrimtarësh nga e gjithë bota. Kadare 69 vjeç u nderua me këtë çmim jo për ndonjë vepër të veçantë, por për tërësinë e punës së tij si shkrimtar. Jurisë, ndër shumë vepra të autorit, i kanë bërë përshtypje novelat "Prilli i thyer" dhe kryevepra e tij "Gjenerali i Ushtrisë së vdekuar". "Man Booker International Prize" është një çmim i përvitshëm themeluar në Londër, që nga viti 1969 nga shoqata e shkrimtarëve Britanike, Irlandeze dhe e vendeve të Komonuelthit. Për herë të parë nga krijimi i këtij çmimi, juria angleze këtë vit ka bërë një përjashtim në përzgjedhjen e fituesit, pasi këtë vit mësohet se kriteri i vlerësimit, ka qenë kontributi i një autori nga cilido vend i botës, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në pasurimin e literaturës botërore. Ismail Kadare është vlerësuar me këtë çmim, në një kohë që për këtë çmim, ishin propozuar edhe emra të mirënjohur të letërsisë botërore, si amerikani John Updike, gjermani Guenter Grass, por edhe kolumbianin Gabriel Garcia Marquez, të cilët ishin midis 18 autorëve nga 13 vende, por njëkohësisht edhe autorët e mirënjohur britanikë Muriel Spark, Doris Lessing dhe Ian McEwan, si edhe kanadezen Margaret Atwood. Ceremonia e dorëzimit të çmimit do të zhvillohet në Edinburgn, datë 27 qershor. "Ismail Kadre është një shkrimtar, i cili lë gjurmë në të gjithë kulturën, histotrike, folklorike dhe politike të vendit të tij. Ai është një shkrimtar universal, i cili shkruan histori, të cilat datojnë që nga koha e Homerit", shprehet Profesori John Carey, kryetari i jurisë së përbërë nga novelisti dhe editori Alberto Manguel, si dhe akademiku njëkohësisht shkrimtari Azar Nafisi. Ndërsa, Kadare ka deklaruar se "ndjehem thellesisht i nderuar nga fitimi i çmimit 'Man Booker International Fiction Prize 2005'". Në letrën falenderuese drejtuar jurisë së këtij çmimi, Kadereja shkruan midis të tjerash: "Unë jam një shkrimtar nga Ballkani, një pjesë e Evropës, e cila për një kohë të gjatë ka qenë një lajm eksluziv për pandershmëri humane, konflikte armësh, luftrash civile, spastrime etnike etj. Besimi im i madh është se, që tani e tutje Evropa të kuptojë, që ky rajon në të cilin ndodhet edhe vendi im Shqipëria, mund të japë edhe lajme krejt ndryshe nga ato të deri më tanishmet dhe, në të njëjtën kohë, të bëhet një burim lajmesh për arritje në fushat e artit, të letërsisë dhe qytetërimit. Duke përfunduar letrën e tij falenderuese, Kadare është shprehur se "do të dëshiroja ta pranoja këtë çmim, me të cilin jam nderuar, si një konfirmim që besimi dhe shpresat e mia nuk më gabuan". Ky çmim ka edhe një vlerë monetare në nivelin e 88 mijë eurosh. Gjithashtu Kadaresë do t'i jepen edhe 20 mijë euro të tjera, për t’ia dhuruar njërit nga përkthyesve të veprave të tij, sipas dëshirës.
Përgatiti. L. Olli
Përgatiti. L. Olli