E Diel, 1 Nëntor 2026

“A lulëzon demokracia në një shtet gangsterësh?”



Petrika GROSI
Pas dy muajsh përgatitje, më në fund do të shohim në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë një premierë. Bëhet fjalë për tragjikomedinë muzikore të dramaturgut bashkëkohor gjerman, Fridrih Durrenmat, “Franku i pestë”. Shfaqja vjen në TK me regji të Arben Kumbaros dhe interpretimin e 20 aktorëve të përzgjedhur prej tij. Ndër aktorët kryesorë mund të përmendim: Fatos Sela, Luiza Xhuvani, Neritan Liçaj, Bujar Asqeriu, Roland Trebicka, Yllka Mujo, Mehdi Malkaj, Naum Shundi, Vangjel Toçe, Saimir Braho, Olta Dako, Marko Bitraku, Sokol Angjeli etj. Sipas drejtuesve të TK-së, “Franku i pestë”, megjithëse është shkruar në vitet ‘60, u përzgjodh nga Teatri Kombëtar si premiera që do të nisë sezonin artistik 2008, pasi përmban në vetvete një forcë të madhe politike, poetike dhe estetike në komunikimin e saj me realitetin e shoqërisë shqiptare. Mbi të gjitha, është një vepër poetike që i flet realitetit të çdo kohe dhe vendi. Regjisorin Kumbaro, në vënien në skenë të kësaj tragji-komedie e ka munduar shqetësimi i ndërgjegjes qytetare: “A mund të lulëzojë demokracia në një shtet gangsterësh?” Kjo vepër është cilësuar nga kritikë të ndryshëm si varianti modern i “Rikardi III” dhe përpjekje alternative e veprës së Brehtit “Opera për tri groshë”. Por, te Brehti gangsterët janë borgjezë, kurse te Durrenmat borgjezët janë gangsterë. Kritikë të ndryshëm e kanë cilësuar këtë vepër si komedi-muzikore, tragji-komedi, tragjedi groteske apo edhe grotesk–kriminal. Dyrrenmat njihet si një ndër kolosët e dramaturgjisë bashkëkohore gjermane të shekullit të kaluar. Këtë temë ai e ka trajtuar pas reflektimit të gjatë mbi ndryshimet sociale në Europë me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Drama është vënë me shumë sukses në skenat e ndryshme të Europës Juglindore, pikërisht si metaforë e një shteti banditësh me veladonin e kuq dhe ideologji të majtë. Këtë vepër regjisori Arben Kumbaro e ka vënë për herë të parë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës në vitin 1991, në prag të përmbysjes së komunizmit. Sipas regjisorit, premiera “Franku V” është ndër sfidat më të vështira përsa u përket të gjithë komponentëve të realizimit. Për një vënie me cilësi të kësaj vepre në skenë, Teatri Kombëtar ka angazhuar potencialet e tij më të mira artistike. Platforma regjisoriale parashikon një vënie në skenë nga më origjinalet dhe madhështoret të kësaj tragjikomedie muzikore, megjithëse ende gjithçka mbetet për t’u parë. Përpos aktrimit, regjisori Kumbaro rrëfen se i ka kushtuar shumë vëmendje edhe këngës e lëvizjeve koreografike të aktorëve. Skenografia e Genc Shkodranit do të sjellë një dekor monumental. Kostumet origjinale te shfaqjes do të realizohen nga stilistja Anila Zajmi. Një nga risitë e kësaj vënieje në skenë është edhe kompozimi muzikor i të gjithë veprës nga Endri Sina dhe orkestra live në skenë. Natyrisht që nuk mund të rrimë pa thënë dy fjalë edhe mbi dramaturgun; Fridrih Durrenmat është një nga dramaturgët më në zë të teatrit bashkëkohor gjerman, vazhdues i traditës së teatrit epik. Ai lindi në Bern të Zvicrës më 5 janar 1921 dhe u nda nga jeta në 13 dhjetor 1990. Dramaturgjia nuk e përkufizon veprimtarinë e tij letrare, pasi autori ka lëvruar me sukses gjini të ndryshme si romani, tregimet e novelat, esetë dhe kritikën letrare. Veprat e tij dramaturgjike luhen në skenat më të njohura të Europës. Në mënyrë të veçantë “I madhi Romul”, “Vizita e damës plakë”, “Fizikanët”, “Martesa e zotit Misisipi”, “Një engjëll vjen në Babiloni” etj. “Franku i pestë” është një histori makbethiane me shprehjen tipike te luftës për pushtet. Në vepër nuk bëhet fjalë thjesht për një bankë, por për një sistem shoqëror, për një shtet gangsterësh, i cili do që të reagojë në mënyrë “demokratike”. Autori paraqet në mënyrë simbolike raportet e individit me shtetin, botës materiale me ato të botës shpirtërore. Ai tallet me gangsterët bankierë që nëpërkëmbin vlerat njerëzore duke ndërtuar me mjeshtëri karikaturat e tyre. Boshti i gjithë “odisesë” është paraja. Ajo është gjeneratori i veprimit dramatik. Miti i parasë i ka shndërruar bankierët në bisha. Grotesku është mjeti kryesor artistik në vepër.

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›