Kosovë, formohet Komisioni për demarkacionin e kufirit me Maqedoninë
Qeveria e Kosovës formoi Komisionin për çështjen e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ky komision, me ndërmjetësimin e NATO-s dhe autoriteteve ndërkombëtare, pritet të fillojë punën së shpejti. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Prishtina ka qenë e përgatitur edhe më herët për fillimin e bisedimeve për këtë çështje, duke shtuar se “gjithçka do të shkojë sipas dokumentit gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisari”. “Prishtina gjithmonë ka qenë e përgjegjshme, gjithmonë është zotuar që të ndërtojë raporte të shkëlqyeshme me vendet fqinje. Maqedonia tashmë e ka marrë vendimin për njohjen e Kosovës shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, e ka përkrahur dokumentin e Ahtisarit dhe ne do të punojmë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje më të mirë të mundshme, më praktike edhe për deklarimin e kësaj çështjeje të hapur mes Prishtinës dhe autoriteteve të Shkupit”,-theksoi Thaçi. Ai shtoi se gjithçka do të shkojë sipas interesit reciprok dhe ndihmës profesionale të NATO-s dhe autoriteteve të tjera ndërkombëtare. Komisioni përbëhet nga katër anëtarë: Bekim Çollaku, Behar Selimi, Murat Meha, Asllan Pushka dhe Xhafer Tahiri.
28 Mars 2008