Mas: “Sulmi mbi Ambasadën Gjermane, i planifikuar”
Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Volfram Mas, ka deklaruar se sulmi ndaj Ambasadës Gjermane, pas mitingut në Beograd, ka qenë i planifikuar. “Deri në atë mbrëmje, më 21 shkurt, kur është mbajtur mitingu i madh në Beograd, ne kemi pasur besim te policia serbe, e cila në të kaluarën me besnikëri ka mbrojtur ambasadën tonë. Megjithatë, atë ditë kemi përjetuar momentin kur policia është larguar 1 ose 2 minuta para sulmit të masës”,-ka thënë Mas për mediat serbe. “Policia është shfaqur vetëm pas 20-30 minutash, kur masa e mbledhur e njerëzve kishte kryer synimin e saj. Për mua është plotësisht e qartë se tërheqja e policisë dhe sulmi mbi përfaqësinë tonë kanë qenë e koordinuar dhe e planifikuar. Përgjegjësit për këtë dhunë, që përmes TV-së është shfaqur në mbarë botën, i kanë shkaktuar dëm të madh reputacionit të Serbisë”,-është shprehur Mas.
Greqi, shkarkohen policët e skandalit të dy të rinjve
Gjykata e Shkallës së Parë në Athinë ka shkarkuar nga detyra katër policët grekë, të cilët torturuan fizikisht dhe mendërisht dy të rinj, njëri prej të cilëve ishte shqiptar. Kjo dhunë u denoncua në një video, e cila tronditi jo vetëm Greqinë, por edhe vendin tonë. Protagonisti kryesor i videos nuk ka për ta kryer më asnjëherë detyrën e tij si polic dhe ndaj tij pritet të zhvillohet edhe një gjyq penal. Masa e pezullimit është marrë edhe ndaj shefit të rajonit të Omonias. Sipas kanalit televiziv “MEGA”, vendimi është i formës së prerë. Mësohet se ndaj policit 30-vjeçar Nikos Tzintzas u mor masa e largimit nga çdo funksion shtetëror, ushtarak ose civil dhe iu hoqën të gjitha gradat ushtarake. Dy të rinjtë, ndaj të cilëve ushtruan dhunë tre policë, ishin arrestuar duke i vjedhur çantën një gruaje 40-vjeçare.
28 Mars 2008