E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, Thaçi denoncon ish-drejtuesit e shërbimit sekret



Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka denoncuar para Parlamentit maqedonas ish-strukturat e Sigurimit Shtetëror të qeverisë së kaluar për ndjekjen e tij dhe aktivitetet politike. Kryetari i PDSH-së ka paraqitur një dokument ku ish-shefi i Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror, Zoran Verushevski, ka urdhëruar hapjen e dosjes me numër 164 për të ndjekur Menduh Thaçin, për shkak, siç thuhet, të politikës së tij ekstremiste, nacionaliste dhe separatiste. Siç thuhet më tej, kryetari aktual i PDSH-së paraqet rrezik për shkëputjen e vendit dhe bashkëngjitje me Shqipërinë. “Me këtë urdhëresë janë ndjekur të gjitha hyrje-daljet e mia në Shqipëri dhe Kosovë. Në këtë kohë ministër i Brendshëm ka qenë Hari Kostov, ndërsa shef i Sigurimit Shtetëror, Mile Zeçeviç“,-theksoi kryetari i PDSH-së. Sipas tij, dokumenti përmban një dosje prej 3800 faqesh dhe ai ka qenë i hapur deri në prill të vitit 2007. Kryetari i PDSH-së, Thaçi, kërkoi nga ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, përgjegjësi dhe ngritje të një komisioni të posaçëm anketues për zbardhjen e këtij rasti dhe të ndjekjes policore.

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›