E Diel, 1 Nëntor 2026

Roli dhe ndërhyrjet e Kishës në shoqërinë moderne

Flet Karl Jysten, drejtues i Zyrës Katolike pranë qeverisë gjermane. “Shteti nuk duhet ta kufizojë Kishën në mundësitë e saj”

“Shteti nuk duhet ta kufizojë Kishën në mundësitë e saj”, - shprehet prelati Karl Jysten, drejtues i Zyrës Katolike pranë qeverisë gjermane në Berlin. Kisha shpesh pozicionohet në çështjet politike, me tendencën e paralajmërimit apo të ngritjes së gishtit, për shembull në debatin për përdorimin e qelizave bazë apo futjen e së ashtuquajturës martesë e individëve të së njëjtës gjini. Si e sheh kisha rolin e saj në parketin politik si ruajtëse e traditës e shpëtimtare e Perëndimit të krishterë? Lidhur me këtë prelati Karl Jysten, drejtues i zyrës katolike pranë qeverisë gjermane në Berlin, shprehet: “Ne kemi botëkuptimin e një kishe, e cila jeton sipas ungjillit. Ne përpiqemi që edhe jetën tonë private ta formëzojmë sipas tij, por edhe atë të shoqërisë. Nga ky kombinim mendojmë se burojnë disa mundësi. Opsioni i parë është mbështetja për të varfrit, për më të dobëtit e shoqërisë. Opsioni tjetër është zbatimi real në jetë i dashurisë së krishterë për tjetrin, një nga urdhëresat. Nga këto opsione dalin kërkesa konkrete politike, të cilat nganjëherë nuk i përshtaten edhe aq kohës”. Prelati Karl Jysten përmend se si nga ungjilli mund të derivohen qëndrime të cilat nuk janë tjetër veçse politike: “Nëse në ungjill shkruhet ‘të bekuar qofshin ata që duan paqen’, kjo do të thotë fillimisht që unë si njeri duhet të jem paqedashës. Një njeri veprimin e tij politik e orienton kah paqja në shoqëri dhe në botë. Konkretisht, kjo do të thotë që në politikën tonë të zhvillimit ne të angazhohemi në ato vende ku sundojnë regjimi i padrejtësisë, të vendoset shteti i së drejtës. Që njerëzit në këto vende të marrin pjesë në mundësitë e zhvillimit që ofron një vend dhe të zhvillojnë shanset e tyre të jetës”. Roli i kishës në shoqëri për prelatin gjerman, Karl Jysten, është i dyfishtë. “Ne tregojmë me gisht, por edhe kontribuojmë”, – thotë ai. “Shikoni se çfarë bëjmë në sektorin e shëndetësisë, çfarë bëjmë në sektorin e invalidëve, të familjes, të punës me të rinjtë, në shkolla etj. Kisha në Gjermani është tepër e angazhuar. Jemi në të gjithë sektorët të pranishëm. Pra ne jemi bashkëveprues në shoqëri. Nga kjo dalin opsione, përvoja. Këto ne ia ofrojmë politikës”.
(D. W)

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›