A mund ta braktisë Greqia Eurozonën?

Kërkesat për largimin e Greqisë nga Eurozona janë gjithnjë e më të zëshme. Pasi që Banka Qendrore Evropiane (ECB) filloi për herë të parë të flas publikisht për skenarin e daljes e këtij shtetit nga unioni monetar, këtë e bëri edhe shefi i eurogrupit (grupit të shteteve ku euroja është valutë zyrtare), Jean-Claude Juncker. Pas samitit të kësaj jave të Bashkimit Evropian, ai konfirmoi se ekspertët po punojnë momentalisht në “planet adekuate, në rast nevoje”. E, këto plane do të hynin në fuqi nëse, pas zgjedhjeve të qershorit, Greqia vendos të largohet nga masat e deritanishme të kursimit dhe nga reformat.
Megjithatë, duhet theksuar se dëbimi i drejtpërdrejtë i Greqisë nga Eurozona, nga vendet e tjera anëtare të unionit monetar të BE”së nuk është i mundur. Ngase, kjo gjë nuk është e paraparë në kontratat evropiane. Natyrisht, Greqia do të mund të ndërmerrte vetë hapin vendimtar, duke ia kthyer shpinën Eurozonës. Megjithëse, edhe ky opsion do të ishte njëlloj premiere për gjithë sistemin evropian, sepse nuk ekzistojnë as udhëzime se çfarë duhet/ mund të bëhet në një situatë të tillë.
Pasojat për Eurozonën
A do ta mbijetojë Eurozona daljen e Greqisë nga klubi?
Këtë nuk e di askush. Edhe pse, sigurisht që mbijetesa e unionit monetar do të vihej në pikëpyetje. Ekonomistët paralajmërojnë për mundësinë e “infektimit” me virusin grek dhe të pacientëve të tjerë, siç janë Spanja, Italia dhe Portugalia. Nëse shpërthen një epidemi masive, atëherë do të rritej edhe mundësia që edhe ndonjë shtet tjetër ta braktisë unionin monetar evropian. Pasiguria nuk është shenjë e mirë as për investitorit e mëdhenj. Ata dëshirojnë stabilitet dhe llogaridhënie.
Realisht, pas daljes së Greqisë nga Eurozona do të rriteshin ndjeshëm edhe rreziqet e pagesës së obligacioneve shtetërore të shteteve të lartpërmendura - sepse, ato më nuk do të mund të huazonin para me kamata të përballueshme, e kjo pastaj, njësoj sikurse në rastin e Greqisë, do të nënkuptonte josolvencën e tyre.
Në fund, edhe i gjithë sistemi evropian do të rrënohej si një kullë prej kartash. Politikanët ndërkohë po i qetësojnë qytetarët me pohimin se rreziku nga shpërbërja e Eurozonës tashmë është ulur ndjeshëm, prejse valuta e përbashkët po mbrohet “nga ombrella” e dedikuar për shpëtimin e euros.
Pasojat për Greqinë
Edhe pse ka shumë gjasa që Greqia të dalë nga Eurozona, kjo lëvizje do të shkaktonte një kolaps të përgjithshëm ekonomik të saj. Pa euro Greqia do të duhej që përsëri ta kthente në përdorim valuan e saj kombëtare – drahmën, për shembull. Sigurisht që drahma pastaj, do të humbiste vlerën e saj drastikisht që në orët e para të futjes në përdorim. Disa ekonomistë flasin për një rënie deri në 50 përqind. Si rrjedhojë, eksporti grek përnjëherë do të bëhej më i lirë, dhe do të rritje konkurrenca ndërkombëtare e vendeve të Mesdheut.
Ekonomistët propozojnë edhe futjen në përdorim të një valute paralele – po përmendet valuta me emrin “geuro”. Dhe, në bend të pagesës së të ardhurave të zyrtarëve të saj, Greqia do të detyrohej që atyre t’iu shpërndajë obligacione (ose, më mirë të themi: letra që i fusin në borxh). Gjithashtu, edhe valuta paralele do të humbte vlerën e saj ndaj euros. Por, edhe në këtë rast, eksportuesit grekë do të mund ta ofronin mallin e tyre më lirë se tani, gjë kjo që do ta ndihmonte vendin për daljen nga recesioni disavjeçar. Valuta paralele do të kishte një karakter simbolik: kështu që do të sinjalizohej se këtu bëhet fjalë për një zgjidhje kalimtare, përderisa Greqia të mos rimëkëmbet dhe të bëhej sërish një pjesë e barabartë e Eurozonës.
Përkundër gjithë kësaj, edhe vetë futja në përdorim e valutës së re do të nxite dramë të vërtetë në Greqi. Vlera e kredive greke (që janë marrë në euro) brenda pak sekondash do të arrinte shifra astronomike. Sa më e ulët të jetë valuta e re, aq më i madh do të jetë borxhi nominal. Pra, sistemi bankar do të tronditej goxha seriozisht, prandaj është e pritshme që, në këtë situatë, kursyesit do të tentonin të tërhiqnin të gjitha depozitat e tyre nga bankat. Së këndejmi, futja në përdorim e valutës së re, sipas ekspertëve, do të duhej të bëhej me një kontroll strikt – e kjo nënkupton edhe ofrimin e “injeksioneve” zemërgjera financiare për bankat lokale, në mënyrë që ato të mund të përballin “sulmin” e kursyesve.
DW