Dell përshëndet formimin e Zyrës Administrative në Veri, serbët kundër

Kristofer Dell
Serbët e Kosovës kanë reaguar ndaj vendimit të qeverisë në Prishtinë mbi hapjen e një zyre administrative në veri të Mitrovicës. Ata kanë deklaruar se do të vazhdojnë të kundërshtojnë institucionet shtetërore të Kosovës dhe hodhën poshtë çdo mundësi që tani apo në të ardhmen të bashkëpunojnë me këtë zyrë. Vendimi i ekzekutivit kosovar për themelimin e një zyre në Veri u kritikua nga aktivistët politikë të veriut të Mitrovicës (drejtues të strukturave paralele). Milan Ivanoviç kërkoi parandalimin e hapjes së zyrës meqë me të synohet jetësimi i planit për shpërnguljen etnike të serbëve. Një tjetër drejtues radikal në Veri, Marko Jakshiç, tha se me krijimin e një komune, sipas planit të Ahtisarit, do të largoheshin lidhjet me shtetin serb, gjë që nuk e duan serbët e veriut të Mitrovicës. Ndërsa kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, tha se integrimi i pjesës veriore të Kosovës në jetën shoqërore e institucionale të Kosovës do të varet nga klima politike në Serbi. Ndërkohë ambasadori amerikan në Kosovë, Kristopher Dell, tha se vendimi i qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e zyrës administrative në veri të Mitrovicës ia vlen të përshëndetet, sepse demonstron edhe një herë përkushtimin e saj për mirëqenien e qytetarëve të vet, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të tyre dhe përkushtimin e mëtejmë të qeverisë së Kosovës që të vazhdojë më përmbushjen e Planit të Ahtisarit edhe pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur në shtator të këtij viti. I pyetur nga gazetarët se a do të ketë sukses formimi nga qeveria e Kosovës i zyrës administrative në veri të Mitrovicës, Dell është shprehur optimist.
Pengohet KFOR-i
Rreth 40 serbë kanë bllokuar dje magjistralen e Ibrit në fshatin Ibarska Slatina të Leposaviçit që në orët e para të mëngjesit, duke penguar lëvizjen e automjeteve të KFOR-it, të nisura nga kampi Nothing Hill drejt Mitrovicës. Agjencia Kosovapress raportoi se ushtarët e KFOR-it ishin nisur në drejtim të Rudares për të larguar barrikadën.