E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, keqtrajtimi i shqiptarëve, pezullohen tre gardianë

Akuzat e keqtrajtimit të të rinjve shqiptarë nga gardianët maqedonas po hetohen nga autoritetet në Maqedoni, ku si rezultat tre gardianë janë pezulluar nga detyra. Shqiptaro-maqedonasit që po mbahen në paraburgimin e Manastirit prej 24 ditësh, janë akuzuar si autorë të vrasjes së pesëfishtë në liqenin e fshatit Smilkofc afër Shkupit, në muajin prill. Arrestimi i tyre u bë më 1 maj bashkë me dhjetëra shqiptarë të tjerë, mes të cilëve edhe femra, të cilëve iu “vesh” akuza e radikalizmit islamik. Pjesa më e madhe e tyre u liruan brenda 48 orëve. Pas ankesave të familjarëve dhe Avokatit të Popullit, administrata e ekzekutimit të dënimeve në sistemin e burgjeve në Maqedoni njoftoi nisjen e një procesi hetimi ndaj tre gardianëve, ndërkohë që ata janë pezulluar nga detyra. “Gardianët janë pezulluar ndërsa mblidhen prova mbi pretendimet e të burgosurve se janë keqtrajtuar në burg, në të njëjtën kohë që vazhdojnë hetimet në lidhje me përgjegjësinë e mundshme të institucionit dhe stafit”, shkruhej në një deklaratë zyrtare. Arrestimi i shqiptarëve ka nxitur shumë protesta dhe kundër-protesta në Maqedoni, ku shqiptarët kërkojnë të mos fajësohen për krime që nuk kanë lidhje me ta dhe për radikalizëm vetëm sepse janë myslimanë, ndërsa maqedonasit kërkojnë dënimin e shqiptarëve dhe “vdekjen” e tyre, edhe pse akuzat nuk janë vërtetuar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›