E Diel, 1 Nëntor 2026

A mund të mbyllet Gërdeci?

Skënder Minxhozi 

Në cirkun politik është mjaft në modë numri iluzionist i “zhdukjes së Gërdecit”. Një numër parlamentarësh dhe zyrtarësh të tjerë të maxhorancës po na thonë se tashmë ka kaluar mjaftueshëm kohë dhe ujë nën ura, që për ngjarjen e 15 marsit, kur qeveria hodhi në erë qytetarët e saj me mbi 500 tonë barut, të mos flitet më. “Gërdeci u mbyll”, na thonë, a thua se fjala është një sezon turistik apo për një panair libri. E ndërkohë ironia e fatit na tregon se ende qindra njerëz banojnë nëpër hotele në bregdetin e Durrësit apo tek të afërmit e tyre, ndërsa zona e shpërthimit do ende shumë kohë që të konsiderohet e banueshme.
Një tragjedi e përmasave kombëtare si ajo që u konsumua në 15 mars është thjesht e pamundur të mbyllet. Mund të shërohet, qepet, riparohet apo arnohet disi, por s’mund të mbyllet. Arsyeja është fare e thjeshtë. Gërdeci është një ngjarje që përtej shpërthimit të bujshëm, solli brenda shtëpive tona gjëmimin e frikshëm të korruptimit të shtetit. Me forcën brutale të barutit, pamë për një çast pisllëkun financiar që fshihet pas perdeve të pushtetit, si në një kamera të fshehtë të vendosur nën një tavolinë mafiozësh, ku ndahen lekët dhe droga e sapombërritur. Shtëpitë dikur do të rregullohen, edhe fondet do të shpërndahen, porse jetët e humbura nuk kthehen më, ashtu siç nuk do të kthehet më mbrapsht as shija e hidhur që la në gojën e tre milionë njerëzve plasja fatale e shtetit. Ndërkaq, fajtorët po përpiqen të fshehin gjurmët, edhe nën strategjinë zyrtare që kërkon ta konsiderojë të mbyllur dosjen “Gërdec”.
Ju hodhëm në erë, por ama ndihmën e shpejtë dhe zjarrfikësit jua sollëm në kohë. Në këtë frazë përmblidhet sot komenti që mund të shkëpusësh me zor nga buzët e të djathtës shqiptare. Asnjë fjalë për atë që ndodhi, asnjë hap konkret për t’i hapur rrugë dënimit të zyrtarëve të lartë që u përfshinë në këtë ngjarje. Përkundrazi, tallje dhe maskaradë me kërkesat e përsëritura të prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, edhe me bashkëpunimin e paturp të disa deputetëve të opozitës.
Është e qartë se taktika e maxhorancës është që ndaj Gërdecit gjithçka të vështirësohet në maksimum, që nga gjetja e përgjegjësive e deri te kthimi i gjërave në normalitet. Tendenca për ta trajtuar këtë fatkeqësi, si një rrëshqitje dheu apo një tërmet apo përmbytje shiu, është e lexueshme në çdo hap të qeverisë. Ka javë tashmë që shteti po përpiqet ta mbysë zhurmën e shpërthimit të Gërdecit, me fishekzjarrët e turit kryeministror “Shqipëria në NATO”.
Cinizmi mund të marrë forma nga më të ndryshmet. Aktualisht për shembull, ai ka marrë formën e një qëndrimi absurd që përpiqet të na thotë se Gërdeci është mbyllur dhe se fakti që presidenti i Top Medias humbi jetën në shoqëri të një femre, është ende i hapur. Vdekja e 26 viktimave në shtëpitë dhe arat e tyre, për shkak të aferave të ndyra qeveritare, na del se është më e parëndësishme, më e pafajshme dhe më e pranueshme moralisht, sesa humbja e jetës së një njeriu në makinën e tij, duke pasur pranë një femër që nuk është bashkëshortja. Instrumentalizimi i skajshëm dhe barbar i kësaj tragjedie njerëzore nga njëra anë dhe menefregizmi e shurdhëria e papërgjegjshme e shtetit për hedhjen në erë të shtetasve po me dorën e shtetit, është cinizmi i ngritur në stil qeverisje, në koncept maxhorance dhe në filozofi shumice. Ky cinizëm është fytyra e asaj pjese të politikës që na tregon me stoicizëm qesharak NATO-n para Gërdecit, investimet fantomatike para varfërisë dhe papunësisë masive, sukseset virtuale para situatës depresive që jeton sot e gjithë shoqëria shqiptare.
Askush nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën e vet, thoshte dikur Oskar Uajldi. Berisha nuk arrin dot ta blejë heqjen nga kalendari të datës 15 mars. Ajo është aty, kokëfortë dhe e gjithëpranishme, edhe në momentin kur morëm ftesën për në NATO, edhe kur ndryshuam Kushtetutën, edhe kur do të votojmë si sot një vit, edhe kur vetë Berisha dhe gjithë ata që i rrinë anash apo edhe përballë, nuk do të jenë më aty ku janë sot. Gërdeci ka dalë një herë e mirë nga banaliteti i një province anonime, fatkeqësisht në mënyrë tragjike, por gjithsesi të pakthyeshme. Ky fshat është sot aty ku ishte edhe në datën 14 mars. I shkatërruar, por edhe i mbijetuar, i plagosur, por jo i vrarë. Mjerë ata që kujtojnë se e hoqën qafe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›