E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, shembet masivi i gurit në tunel, plagosen dy punonjës

KUKES - Një specialist turk dhe një shqiptar u plagosën dje pasi po tentonin të fusnin një sasi dinamiti nëpër faqet e malit brenda tunelit të Kalimashit. 

Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, kur një masiv guri në thellësinë 1330 metra u shkëput nga lart duke u rënë mbi duar punonjësve. Specialisti turk ka humbur një gisht, ndërsa punëtor shqiptar, Selim Luxha nga Kalimashi ka ndrydhur njërën dorë. Me t'u shënuar aksidenti menjëherë rrjeti i sigurisë së tunelit ka dhënë alarmin dhe punëtorët u nxorën me shpejtësi jashtë, duke u transportuar me urgjencë me ambulancën e kampingut në spitalin e Kukësit e më pas drejt Prizrenit për mjekim më të specializuar. Punëtori shqiptar ka lënë spitalin 2 orë më vonë, ndërsa ai turk vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve. Pas këtij aksidenti, puna në tunel është ndërprerë për rreth 3 orë për të rinisur pasdite. Burime nga firma "Becthel Enka" që është firma ndërtuese për projektin e tunelit thonë se, për punëtorët e aksidentuar ishin marrë gjithë masat e sigurisë dhe ata ishin me kapele e mjete të tjera mbrojtëse. Por gurët kanë rënë nga lartësia dhe pjesa prej dy metrash e pabetonuar, pasi nuk ka mundësi të bëhet një gjë e tillë. Të gjithë punëtorët instruktohen para se të nisin punë dhe sërish para hyrjes në tunel kontrollohen dhe nënshkruajnë dhe në librin e sigurisë duke marrë dhe numrin metalik për çdo të papritur. Kjo masë merret për shkak të identifikimit nëse brenda tunelit mund të ndodhë ndonjë aksident tragjik, ndonëse firma e cilëson sigurinë si kushtin numër 1 të punës. Ngjarja e djeshme shënon aksidentin e parë në këtë vepër, më e vështira e të gjithë korridorit Durrës-Kukës.            j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›