E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjithçka nis nga Kushtetuta!

Dritan Ylli 

Kauza e madhe në shërbim të së cilës është vënë Komiteti i Mbrojtjes së Kushtetutës, tashmë është ...në udhë të mbarë dhe të pandalshme, duke gjetur gjithnjë e më shumë mbështetje, si tek qytetarët e thjeshtë, ashtu edhe tek personalitete të jetës politike dhe shoqërisë civile. Mbrojtja e Kushtetutës nga disa ndryshime të dhunshme që iu bënë asaj në natën e 21 Prillit, pa u pyetur fare populli, duhet konsideruar si një detyrim, për pasojat që mund të vijojnë në rrafshin e së ardhmes. Mohimi i të drejtës së një populli për t’u shprehur për Kushtetutën, fatkeqësisht hedh bazat për një perspektivë të zymtë në zhvillimin dhe integrimin e shtetit demokratik dhe përfaqësues. Tek çdo njeri krijohet një pasiguri për të ardhmen, kur shikon sesi cenohet integriteti i Kushtetutës, kur demokracia vihet në rrezik, kur injorimi i vullnetit dhe shprehjes së votuesve, bëhet përmes imunitetit që krijon një bashkim i paprinciptë interesash. Tendencat janë të rrezikshme. Votimi i fundit i ndryshimeve në Kushtetutë, kompromis i pamoralshëm i lidershipeve të PS dhe PD, nuk mund të fshihet nga ndërgjegjja popullore. Dhuna përmes kartonëve krijon një gjendje ankthi dhe frike, pasojë kjo e sindromës së një neodikature, që ka një performancë më të sofistikuar, por që konvergon me diktaturat e mirëfillta te kapja e shtetit nga një kastë e caktuar, pavarësisht ngjyrës që mban. Në demokracitë perëndimore, drejt së cilave shkon dhe aspirata jonë, nuk ndodhin skenarë të tillë të ndryshimeve diskrete të Kushtetutës, pa pyetur fare atë për të cilin Kushtetuta ekziston, sovranin.  
Logjika të çon të mendosh se nëse ndryshimet në Kushtetutë, përcaktuese në jetën e secilit, u bënë përmes kompromisit të ngritur mbi interesa të drejtuesve të PS dhe PD, në mënyrë antikushtetuese dhe antidemokratike, atëherë populli nuk është sovran. Përderisa populli nuk do të jetë “sovran”, atëherë nuk do të kemi demokraci!! Në këtë rast me keqardhje mund të thuhet se 115 mandate deputetësh, të kontestuar nga gjithë politika shqiptare për falsitetin që mbart nga Dushku i dy forcave të vjetra, krijojnë të gjitha premisat për një tiranizim të vullnetit të qytetarëve. Në fakt, kjo lloj tiranie, është prelud i përmasave të frikshme, që duket në shumë aspekte të jetës sociale të shqiptarëve, simptoma kryesore e së cilës është gjendja e rëndë ekonomike. Por jo vetëm kaq, shumë plagë sociale sot kanë marrë përmasa si asnjëherë tjetër më parë, si pasojë në radhë të parë e shtetit të dobët dhe mentalitetit të dhunimit të tij, për shkak të politikës së keqe.   
Qeverisja e dështuar dhe lidershipi i kapur i PS
Sot, shumica e qytetarëve shqiptarë vuajnë një shtim të ndjeshëm të nivelit të varfërisë, pasojë e keqqeverisjes aktuale. Çmimet e papërballueshme të produkteve jetike, si dhe përballja me një korrupsion që është shtrirë në çdo qelizë të makinës shtetërore, janë bërë shqetësim i përditshëm i shqiptarëve. Si pasojë e varfërisë dhe e vështirësive të tejskajshme në përballimin e jetesës, janë rritur ndjeshëm problemet sociale, sidomos brenda familjes. Numri i vetëvrasjeve është shtuar, për shkak se shumë njerëz nuk arrijnë të gjejnë rrugëdalje dhe shpëtim nga varfëria e thellë. Shumë familje shqiptare shkatërrohen nga divorcet, kryesisht si pasojë e problemeve ekonomike, ndërkohë që ka një gjenerim të jashtëzakonshëm të krimeve ndaj personit. Ngjarja e dhimbshme që ndodhi në Gërdec, duke marrë disa jetë njerëzish deri dhe fëmijë, nuk ishte vetëm një shpërthim gjigant predhash, por një eksplodim i ardhur nga presioni në rritje i makutërisë qeveritare. Në këto momente kritike të rritjes së nivelit të varfërisë, natyrshëm opozita ndaj qeverisë duhej të ishte shumë më e fortë. Në të tilla situata, partitë në opozitë e intensifikojnë aksionin e tyre në forma dhe mënyra të ndryshme, deri në udhëheqjen e popullit drejt protestave kundra qeverisë që ka krijuar këtë gjendje të rëndë. Por, çuditërisht sot është krijuar një situatë absurde, kur lidershipi i partisë të ashtuquajtur ende si më e madhja në opozitë, ka devijuar nga roli i natyrshëm dhe për më tepër në një situatë kaq kritike si kjo që po kalon vendi.
Ka një drejtim të denatyruar të Partisë Socialiste, që vjen mesa duket nga kapja e lidershipit të saj.  Në vend që të ishte në krye të protestave popullore kundër kësaj qeverisje jo vetëm të paaftë, por të papërgjegjshme dhe vrasëse të fëmijëve, PS po drejtohet në një kahje tjetër. 
Lidershipi i saj aktual, me ca thirrje unike, të panjohura në teoritë politike “përtej së majtës dhe të djathtës”, ngjan me vargjet, “diç ia nxit kotësisë kuptimin”, që një poete dikur ia kushtonte një piktori me vëth në vesh, që sot gjendet në krye të PS. Drejtuesi aktual i PS, vetëm sa po e ledhaton kreun e qeverisë, duke krijuar një pështjellim tek elektorati që ende i shkon pas. Askush nuk besoj se e nxit kreun aktual të PS, të bëjë siç bënte Berisha kur ishte në opozitë, duke dhunuar dhe djegur institucionet e shtetit. Por, kjo situatë e rëndë sociale, pas jetëve të humbura si pasojë direkte të shtetit në Gërdec, rritjes së varfërisë dhe korrupsionit, nuk mund të kalohet me stilin “bëj sikur”.
Nga njëra anë Rama bën sikur ndjen keqardhje të madhe për viktimat e Gërdecit, nga ana tjetër i rreh shpatullat njeriut që ka përgjegjësinë kryesore. Nga njëra anë ai bën sikur do të ngrejë njerëzit në këmbë ndaj qeverisë vrasëse, nga ana tjetër thërret protestë në heshtje dhe vetëm kaq (gazetarët thonë se ai irritohet shumë nëse i bëhet pyetja “pse nuk kërkoni dorëheqjen e Berishës?)! Ai bën sikur do largimin e Berishës, por përmes një skenari të ndarjes së tortës së interesave, punon me zell për t’i falur dhe një tjetër mandat qeverisë Berisha. Ai ka vënë në pozita qesharake pjesën e mbetur të grupit parlamentar të PS, që vazhdimisht krijojnë ilaritet tek publiku, me aksionet e tyre false brenda sallës së parlamentit. Drejtuesi aktual i PS, bën sikur bën opozitë ndaj Berishës, por çdo ditë që kalon i jep atij gjithë oksigjenin që i duhet për t’u instaluar edhe më fuqishëm në krye të qeverisë, siç bëri me ndryshimet kushtetuese. Berisha duket se ndjehet mjaft i kënaqur duke shijuar pushtetin e pakufizuar që i dha Rama, kur vetëm pak vite më parë ai apelonte me të madhe se “është tradhti kombëtare të vijë në pushtet Berisha”. 
Boshllëkun e opozitarizmit ndaj zullumeve të qeverisë dhe mungesës së vullnetit nga lidershipi i PS për të bërë opozitë, po e mbush më së miri LSI përmes një misioni të qartë; rikthimin e pushtetit tek e majta dhe tek vlerat!   
Mbrojtja e Kushtetutës, një kauzë e madhe! 
Përballë problemeve kaq të mprehta sociale, sigurisht që do të ishte me mjaft dobi krijimi i një rrjeti të fortë mbrojtës për qytetarët, që të kishte si qëllim kryesor luftën ndaj varfërisë.
Natyrisht që “Komiteti” i parë që mund të krijohej, duhet të kishte synim mbrojtjen e shqiptarëve nga varfëria e madhe që i ka pllakosur, nga papunësia dhe rritja e çmimeve. Por, këto pasoja kanë ardhur nga kjo keqqeverisje dhe nga ky kryeministër i padenjë që drejton Shqipërinë. Këto pasoja rrezikojnë të bëhen të pariparueshme, nga cenimi që i bëhet integritetit të Kushtetutës, pa pyetur fare për dëshirën dhe vullnetin e popullit. Nga dhunimi i Kushtetutës, vijnë të gjithë konseguencat negative që bëhen barriera në zhvillimin e një vendi. Korrupsioni, varfëria, problemet sociale, dhuna dhe vrasjet, janë vetëm derivate të këtyre pasojave. Ndaj dhe kauza e mbrojtjes së Kushtetutës po gjen gjithnjë dhe më shumë përkrahje nga qytetarët, media dhe shoqëria civile. Sepse, Kushtetuta duhet mbrojtur në emër të së ardhmes! 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›