Miku i madh i mjedisit
Ka dy shpjegime: e para, ai është mësuar që nuk e besojnë. D.m.th., sa thotë diçka, përfytyron koret e dëgjuesve që thonë: Gënjen, gënjen! Prandaj, si për t’i parandaluar këto kore, ai një pohimi të tij i shton fjalët krejt të panevojshme “ju siguroj” ose “ju garantoj”. Shpjegimi i dytë është që, në brendësi të vetes, ai e di fare mirë që po gënjen, ndaj thotë “ju siguroj, ju garantoj”, sikur gjoja po u drejtohet të tjerëve, ndërkohë qetëson ndërgjegjen e vet gënjeshtare me zhurmën e këtyre fjalëve parazite. Ka të ngjarë që të jetë më shumë kjo e dyta.
Një ditë më parë kësaj shfaqjeje, po ky Kryeministër kishte nënshkruar një radhë VKM për zonat industriale të disa qyteteve të vendit. Unë nuk jam i informuar për Gjirokastrën, Lezhën, Shkodrën etj., por për Vlorën di të them se Parku Industrial është parashikuar për 125 hektarë në zonat kadastrale 8604 dhe 8605, pikërisht aty ku i janë falur rreth 60 hektarë “Petroliferës”, ku i janë dhënë po kaq hektarë dhe edhe më shumë TEC-ve (po të llogarisësh plazhin ranor para tyre dhe pyjet e prera për të ngritur linjat e tensionit), domethënë në pyllin ende të paprerë të Sodës. Për njerëzit që nuk vuajnë nga amnezia, po kujtojmë se një nga premtimet elektorale të Berishës në Vlorë ishte spostimi i vendndërtimit të TEC-it dhe rikonsiderimi i kontratës me Petroliferën. Pas fitores në zgjedhje kemi tërheqje të njëpasnjëshme nga këto pozicione: TEC-i do bëhet aty ku ishte planifikuar, mu në mes të pyllit e plazhit më të virgjër ranor që mund të përfytyrohet, mbi rrënoja qytetesh antike e qendrash mesjetare (“nuk ndot më shumë se 500 “Benza” - Berisha); Petrolifera “fiton” një gjyq arbitrazhi në Paris ndaj qeverisë shqiptare, përfaqësuesi i së cilës aty nuk thotë asnjë fjalë, pastaj ministri Ruli bën, më 5 prill 2007 pranë një noteri në Tiranë, për një euro te z.Ottolenghi, përfaqësues i “Petroliferës”, shitjen përfundimtare të 19 hektarëve tokë nominalë dhe 60 hektarëve faktikë, të cilat kthehen në tokë italiane. Vijojnë premtime Prodit për TEC me qymyrguri në Vlorë, nxitja e projektit AMBO etj.
Në planin rregullues të janarit 1996 parku industrial i Vlorës ishte parashikuar në zonën Babicë-Shushicë, pra larg bregdetit, në një vend ku nuk rrezikohej as shëndeti i qytetarëve as bukuritë, as trashëgimia kulturore as turizmi bregdetar. Por siç e dimë, me vitet 2000 ky plan fshihet dhe shpalosen për Vlorën projektet e mëdha të naftës, që kulmojnë me shpalljen në mars 2003 e shtator 2004 të parkut energjitik-industrial nga qeveria Nano, 550 hektarë pyll dhe bregdet ranor në zonën e Triportit.
Në 2006-n Berisha shpall me të madh, madje me KRTRSh, anulimin e këtij parku energjitik. Me një diabolizëm, fshatarak do ta quaja se fort e hollë nuk është, jep me dorën e majtë atë që përgatitet ta marrë pjesë-pjesë me dorën e djathtë: 60-100 hektarë u lihen TEC-ve, 60-80 hektarë i falen “Petroliferës” (sepse 19 hektarët nominalë rrethohen nga një zonë e ndaluar prej 500 metra linearë rreth perimetrit) dhe para 3 ditësh 125 hektarë të tjerë caktohen për „park industrial“. Mungojnë pra vetëm rreth 200 hektarë për t’ju afruar përbindëshit 550 hektarë të Fatos Nanos. Çka nuk do të jetë e vështirë për t’i sakrifikuar edhe ato, sidomos kur të shihet se si do t’i shpërfytyrojë “zhvillimi industrial”, më saktë bizneset e klientëve të Nanos, Berishës e Rulit plazhet në veri të Vlorës e deri në Nartë brenda një kohe të shkurtër. Është kjo taktika e sallamit që kanë menduar për Vlorën politikanët tanë, sikurse e shprehte para pak javësh në NZZ, gazetën e madhe të Zyrihut, Martin Voker.
Ja pra miku i madh i mjedisit, ai që i rreh zemra për shoqatat mjedisore, në pamundësi për të qenë anëtari i tyre. Ky kryeministër, që është zotuar ta mbjellë ultësirën nga Kruja në Lezhë me 5 fabrika çimentoje, që u premton të huajve centrale bërthamore në Shqipëri, kur nuk di të sigurojë as depot e armatimit dhe bizneset me skrape predhash, që po ngutet të mbledhë sa më shumë TEC-e me qymyrguri e me naftë nga fqinjët, duket nga frika se mos nuk rizgjidhet, e pra ky kryeministër, që ngase nuk ka prodhim në vend, arrin të shesë vetëm tokë të virgjër shqiptare për mbeturinat fosile dhe ajër të pastër të Shqipërisë për CO2 të Europës, në të vërtetë duhet shpallur faktor me rrezikshmëri të veçantë për ruajtjen e mjedisit në vendin tonë. Natyrisht mendja e tij, se zemra, e morëm vesh, i rreh për organizatat mjedisore.