Tirana ime pas 10 vjetësh
Pallate kuba-kuba-kuba, me ca përjashtime të vogla gjenialiteti arkitektonik (të importuar). Shumë beton, pak fare gjelbërim, restorante dhe bare të shkëlqyer - shërbim të dobët (po tregohem i butë). Një mik dje më tha një batutë që po qarkullon së fundi: Gjysma e shqiptareve pijnë kafe, gjysma tjetër ua bën kafetë.
Tirana ka trafik të çmendurish, ku makinat shpesh parakalojnë njëra-tjetrën sikur po thurin një gërshet imagjinar - e gjitha zhvillohet shumë frikshëm.
Ka shoferë zdapa në moshë që ngasin mes rrugicash qorre si adoleshentë të papërgjegjshëm. Njëri syresh, herët në mëngjes mend i shkel me “Mercedezin” e tij të rëndomte ca fëmijë fare të vegjël me çanta shkolle, që janë të detyruar të ecin buzë rrugës (trotuari është bërë kafene, ku të tjerë zdapa kalojnë mëngjesin e drekën duke kruar sklepat e syve).
Kjo skenë përsëritet në skenarë të ndryshëm - përpara syve të mi të pezmatuar. Dhe një e sharë e rëndë më del nga gjoksi. E ai që më sheh si tuhaf e unë që kuptoj se ai nuk kupton ku e kam problemin. Varja, kokëderrizmi nuk zhbëhet aq kollaj.
Vajza me të vërtetë tërheqëse… të vëmendjes, me shumë-shumë grim dhe gjyzlykë dielli moderne, shumë të mëdha, me tesha të bardha dhe takat stileto çajnë në drejtim të paditur përmes tymit të naftës. Qyteti është plot me kafene gjithmonë mbushur me djelmosha të ngrysur e të papunë, kokëvarur, gjithsesi qejfpaprishur - që rrotullojnë paqetat e cigareve me një nge depresive, që të depresion - ose shqetëson - varet si don ta shohësh.
Trotuaret, janë plot me njerëz që të bëjnë të ndihesh transparent sepse (për një arsye që s’e kuptoj) shmangin me çdo kusht kontaktin sy me sy me bashkëqytetarët. Tirana ime e shtrenjtë me ndotjen akustike që Nju Jorku ta ka zili, motin e mrekullueshëm dhe sinjalistikën rrugore pa sens, ku ke njëherësh edhe shenjë STOP dhe një semafor të gjelbërt…e unë hutohem krejt sepse nuk di më a duhet t’i bindem dritës jeshile apo tetëkëndëshit të kuq që thërret NDALO!!!.
Po më duket vetja si ai Gilli tani, e po më vjen inat për vdekje. Sepse me gjithë katundarinë e saj thuajse argëtuese, është ende Tirana ime - pa asnjë dyshim qyteti që dua më shumë. Ku me gjithë kaotiken kolektive gjej një etje të madhe për jetën. Një gëzim për ditën e re, një vullnet për të mos kapitulluar - dhe e ndjej se herët a vonë, do të bëhet më mirë. Dal herët çdo mëngjes dhe rrugët gumëzhijnë me zëra, të qeshura, fëmijë, e pleq, makina e autobusë urbanë. Të rinj që nguten të shkojnë në punë, gabelët që i ngasin karrot me kuaj ashtu çuar në këmbë, e më bëhen si një version i monumentit të “4 Dëshmorevë” - por me rrota. Dhe të preferuarit e mi, shembulli frymëzues i djemve (dhe vajzave - të paktën një) që me motoçikletat e vogla shpërndajnë pica sa andej-këndej. Apo ata të tjerët që ngarkojnë e shkarkojnë arka birre e gazozash, shesin duhan, lustrojnë këpucë, ngasin taksitë, fshijnë rrugët mbrëmjeve… punë pa lavdi e gjithsesi të lavdishme për sytë e mi.
Gjej këtu njerëz kreativë, artistë në të gjithë kuptimin e fjalëve. Vajza me vullnet që thyen hekurin, e djem me imagjinatë ëndërrimtaresh që e dinë se e ardhmja mbarset sot, e nuk po e presin pas ca vjetësh. Miq të vjetër dhe të rinj, të mprehtë dhe të kjartë - jo dhe aq apatike sa ç’i kisha menduar - mbi të gjitha të vërtetë dhe të çiltër. Të gatshëm për punë, të prirur për biznes, të pagënjyer nga kollaret politike - as të pezmatuar, as të dorëzuar. Një duel i heshtur vullnetesh ka nisur tashmë. Tiranën e gjej të mrekullueshme, me aromën e blinit tek Rr.Myslym Shyri që të deh aq këndshëm. Gjej shokë e shoqe që më frymëzojnë me energjinë e tyre, që më inkurajojnë me shembullin, e më bëjnë të buzëqesh me buzëqeshjet e tyre. Që janë miq të vërtetë, njerëz të mrekullueshëm, prindër të mirë…dhe më hipën një dëshirë t’i përqafoj e t’i shtrëngoj fort, t’i falënderoj që janë këta që janë.
Sa e dua këtë vend, sido që çdo ditë nuk harron të më shokojë me diçka të re. Çfarë mëngjesesh fantastike këta të Tiranës! Ah, edhe diçka, Parku i Liqenit është oazi ku këto mendime mundesh ende t’i hedhësh në shkrim. Me gjyshet që kanë mbledhur lulëkuqet sot, me vajzat dhe djemtë që vrapojnë rregullisht - të gjelbërtën çliruese, ajrin e freskët, aromën e barit të prerë nga kosarët e Saukut që më kthen mbrapa në fëmijërinë. Tirana ca herë me trishton, ca herë me ngre në qiellin e shtatë - por çdo herë më thotë “Blend, ti përket këtu”.
Ka gjemba dhe trëndafila. Paska një sens pas çmendurisë që kur mbyll sytë dhe imagjinoj sikur nuk jam larguar kurrë, zhduket - e që aty nuk më duket më aq e çmendur. Më duket thjeshtë Tirana, si ai familjari ekscentrik, të cilin prej huqeve vetëm sa e duam pak më shumë.
*Autori kthehet nga SHBA pas 10 vjetësh mungese në Tiranë