E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët për privatizimin e OSSH kërkojnë rritje çmimi

 

Energjia

Dy, nga katër kandidatët për blerjen e Sektorit të Shpërndarjes, janë edhe furnizuesit kryesorë të Ballkanit me energji

Dy nga kompanitë kandidate për blerjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, “CEZ” dhe “EVN”, deklaruan së fundmi se kërkojnë nga qeveritë e vendeve të Ballkanit, rritje të konsiderueshme çmimesh për konsumatorët e energjisë elektrike.

Sipas një analize të hollësishme mbi tregun e energjisë, nga agjencia “Reuters”, këto dy kompani janë eksportuesit kryesorë të energjisë në rajonin e Ballkanit dhe aktualisht po ankohen për refuzimin e qeverive të vendeve të ndryshme për rritjen e çmimeve. Kompania publike çeke “CEZ” si dhe ajo austriake “EVN”, që të dyja kandidate për blerjen e Rrjetit të Shpërndarjes në Shqipëri, po lobojnë për reformimin (rritjen) e çmimeve. “Politika aktuale e çmimeve është e rrezikshme dhe destabilizuese për sektorin, jo vetëm për bilancin aktual, por edhe për sigurinë e të gjithë sistemit në të ardhmen”,- deklaroi një përfaqësues i “EVN”.

“Nëse vendet e rajonit nuk do të rrisin çmimet, ato do ta paguajnë koston e këtij veprimi në vitet e ardhshme”,- deklaroi Christian Eganhofer, një ekspert i energjisë në Bruksel. “Investimet e reja nuk do të vijnë dhe rajoni do të zhytet në errësirë”,- vijoi ai. “Unë nuk shoh alternativë. Qeveritë duhet të marrin ilaçin e hidhur (të rrisin çmimet) tani ose t’ia kalojnë këtë detyrë qeverive pasardhëse”.

Qeveritë e Shqipërisë, Bullgarisë e Rumanisë kanë refuzuar rritjen e çmimeve nga frika se mos humbasin vota. Tirana zyrtare refuzoi kërkesën e KESH për rritjen e çmimit, duke filluar nga 1 Korriku, pa marrë parasysh pasojat negative për të ardhmen. Mosrritja e çmimit të energjisë gjatë viteve 2005-07, për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe populizmit të qeverisë aktuale, konsiderohet si një nga shkaktarët e krizës së thellë energjetike të vitit të kaluar, ku vendi u përball me kufizime në furnizim për herë të parë përgjatë të gjithë vitit.

Energjia elektrike në Ballkan vijon të kushtojë rreth 30-40% më lirë sesa në Europën Perëndimore. Kompanitë prodhuese të Europës Qendrore, ku hyjnë “CEZ” dhe “EVN”, kanë zbatuar praktika spekulative tregtare gjatë viteve të fundit, duke rritur artificialisht çmimet e energjisë elektrike për vendet e rajonit të Ballkanit. Çmimi i energjisë elektrike me shumicë në rajon arriti në 80 euro për MW, gati dy herë më i lartë sesa çmimi i energjisë së këmbyer mes vendeve të Europës Perëndimore. Nëse çmimet vijojnë të qëndrojnë në këto nivele, paratë që ballkanasit duhet t’i investojnë për burime të reja gjeneruese mund të shkojnë në Europën Qendrore, duke varfëruar rajonin tonë. Gjatë dy viteve të fundit, Shqipëria ka shpenzuar të gjitha paratë që kishte grumbulluar për t’i investuar në Termocentralin e Vlorës për të paguar faturat e energjisë së importit.

Rritje dramatike e papunësisë në SHBA

Nga Chris Bryant

“Financial Times”

Papunësia në SHBA pësoi rritjen më të madhe në 22 vjet, në maj, si pasojë e shkurtimit të vendeve të punës nga kompanitë për shkak të ngadalësimit ekonomik dhe rritjes së kostos së energjisë. Punëdhënësit i dhanë duart 49 mijë punonjësve gjatë muajit të kaluar. Në maj, 28 mijë amerikanë të tjerë humbën punën, duke e rritur papunësinë në vend në 5.5%. Maji vlerësohet se qe muaji më i keq i regjistruar që nga viti 1986 për nga numri i madh i të papunëve të rinj. Humbja e vendeve të punës përkoi edhe me rritjen e fortë të numrit të njerëzve që kërkojnë punë për herë të parë, rreth gjysëm milioni njerëz gjatë majit. Manifakturat, ndërtimi, shitjet me pakicë dhe shërbimet profesionale shënuan humbje vendesh pune.

Rritja e papunësisë vlerësohet se mund të fusë ekonominë amerikane në krizë, për shkak të uljes së konsumit nga të papunët e rinj e për rrjedhojë, uljes së prodhimit, një spirale që mund ta çojë ekonominë në recesion. Humbja e vendeve të punës vlerësohet se ka shkaktuar edhe probleme në tregun e shtëpive. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, më shumë se një milionë amerikanë rezultuan me probleme në pagesën e qerasë apo në pagesën e kësteve të kredive për shtëpi.

Të dhënat e papunësisë patën pasoja në të gjithë botën dje. Bursat në SHBA, Britani e vende të tjera shënuan rënie të konsiderueshme. Vlera e dollarit amerikan u ul përballë monedhave të tjera, ndërkohë që çmimi i naftës kërceu papritur në 134 dollarë për fuçi, me një rritje bren 7 dollarësh brenda pak orësh. “Mongan Stanley”, një kompani konsulence paralajmëroi rrezikun që çmimi i naftës të rritet deri në 150 dollarë për fuçi brenda 4 korrikut të këtij viti, si pasojë e uljes së furnizimit për hemisferën perëndimore nga ana e Lindjes së Mesme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›