E Shtunë, 31 Tetor 2026

Huaja në lekë mbetet më e shtrenjta

 

Rritja e interesave për kredinë në lekë ka vazhduar gjatë gjithë pjesës së parë të vitit 2008

Leku vazhdon që të jetë monedha më e shtrenjtë për t’u marrë si kredi në bankat e nivelit të dytë. Interesat për lekun kanë kapur majat gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, kryesisht për kreditë në afate të shkurtra. Në rritjen e ndjeshme të interesave për kreditë me afate të shkurtër deri në 6 muaj, kanë ndikuar edhe vendimet e marra nga ana e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2007 për ngritjen e interesit bazë. Interesat për kreditë deri në 6 muaj - gjatë kësaj periudhe- për monedhën lekë janë vërtitur në intervalin 14%-16%. Edhe për kredinë në afate 12 muaj, interesat për lekun janë vërtitur në nivele të larta, krahasuar me valutën. Interesat për valutën, sidomos për kreditë në euro mbeten në nivele më të ulëta. Por kreditimi në valutë mbart rrezikun e kursit të këmbimit, pavarësisht faktit se gjatë 10 viteve të fundit, kursi i këmbimit ka qenë në favor të gjithë atyre që kanë patur një kredi në euro apo dollarë. Leku ka patur një mbiçmim të vazhdueshëm ndaj dollarit dhe euros, duke i bërë të ardhurat e klientëve të bankave, që kryesisht janë në lekë, të favorshme në pagimin e kredive që janë marrë në valutë.

***

Interesat e larta të kredive të dhëna nga ana e bankave, vijnë kryesisht nga kostoja e lartë e ndërmjetësimit. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një vëzhgim të bërë në sistemin bankar në rajon, ku përfshihet edhe Shqipëria, ka konkluduar se interesat tepër të larta të kreditimit dhe në përgjithësi kostot e mëdha që bankat paraqesin, po kthehen në një pengesë serioze për zhvillimin ekonomik të vendeve. Shqipëria është një nga vendet ku kostoja e ndërmjetësimit të sistemit bankar mbetet në nivele tepër të larta, sipas FMN. Ndërmjetësimi mbetet një nga funksionet kryesore të bankave, proces në të cilin përfshihet lidhja midis kapitaleve të lëna në depozitë me ato që jepen kredi. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2007 bankat merrnin si interes për ndërmjetësimin 9 për qind, për kreditë e dhëna në lek. Pra, diferenca midis depozitave në lekë dhe kredive në këtë monedhë, rezulton 9 për qind. Interesi mesatar i një kredie në lekë, ka rezultuar rreth 14 për qind. Sipas këtyre të dhënave të BSH-së, interesi i depozitave në lekë është 5 për qind, ndërsa i kredive 14 për qind. Banka që bën ndërmjetësimin, merr 9 për qind interes për kredinë, ose thënë ndryshe 2 herë më shumë interes sesa kostoja që mbart depozita. Edhe për monedhën evropiane, që është edhe monedha kryesore në të cilën jepet aktualisht kredia në vend, kostoja e ndërmjetësimit kap nivele tepër të larta, nëse e krahasojmë me vendet e zhvilluara. Për një kredi të dhënë në monedhën evropiane, bankat kanë patur një kosto ndërmjetësimi që mesatarisht shkon në 5.25 për qind. Sërish, edhe për këtë monedhë, interesi i marrë në ndërmjetësim mbetet më i lartë se ai që banka paguan për depozitat në Euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›