E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italianët dhe grekët, garë për TEC me qymyr

 

Grekët kërkojnë TEC me qymyr në Porto Romano: Berisha thotë se ia ka premtuar edhe italianëve

“Qeveria shqiptare duhet të vendosë nëse do të lejojë italianët apo grekët, të ndërtojnë një termocentral qymyri pranë Durrësit”, njoftoi dje agjencia e lajmeve “Thomson Financial” nga Athina duke iu referuar burimeve të mirëbesuara nga industria e energjisë elektrike. Sipas burimit, grekët po bëjnë lobing me ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, dhe me kryeministrin Berisha për të fituar kundrejt italianëve. Kompanitë në garë janë, nga njëra anë gjiganti italian “Enel” dhe nga ana tjetër, një konsorcium i përfaqësuar nga Korporata Publike Energjetike e Greqisë, PPC.

Dhjetorin e kaluar, ish-kryeministri italian Romano Prodi erdhi në Shqipëri, ku deklaroi se dëshironte ndërtimin e një termocentrali me qymyr në bregdetin shqiptar me kapacitet 1500 MË. Pak ditë më parë, Presidenti i PPC, Takis Athanasopoulos erdhi në Tiranë për të kërkuar leje për ndërtimin e një termocentrali me qymyr në Porto Romano me fuqi 500-800 MË. Mësohet se kryeministri Berisha gjatë takimit i ka bërë të qartë grekëve se Shqipëria nuk do të pranojë të dyja termocentralet dhe se do të zgjedhë mes dy projekteve bazuar mbi kritere të posaçme, mes të cilave, edhe kriteri i propozimit të parë. Në këtë mënyrë indikoi se mundet që lejen ta marrin italianët. Projekti grek synon Porto Romanon si zonë për ndërtimin e TEC-it. Italianët nuk kanë përcaktuar asgjë konkrete në këtë drejtim dhe zyrtarë të energjetikës thonë konfidencialisht se bëhet fjalë për një bllof të kryeministrave Prodi e Berisha e se nuk ka asgjë konkrete.

Asgjë më shumë se ide

Pavarësisht se në rastin në fjalë janë interesuar kompani shumë të mëdha, tani për tani këto janë thjeshtë lajme. Për të ndërtuar termocentrale në Shqipëri janë interesuar më herët zyrtarisht edhe shumë kompani të tjera. Vetë “Enel”, mori një koncesion për hidrocentral në vitin 1997, por ai hidrocentral ka mbetur ende në letër 10 vjet prapa. Sllovenët, maqedonasit, kinezët etj., kanë paraqitur gjatë vitit të fundit ide për ndërtim termocentralesh e hidrocentralesh.

Ekspertët thonë se termocentralet e qymyrit kërkojnë tetë vite kohë për t’u ndërtuar dhe se korporatat zakonisht vlerësojnë mundësinë e investimeve të tilla në çdo vend ku të mundin, e se studime të tilla janë pjesë e shpenzimeve për kërkim-zhvillim.

Tym dhe marketing

Pas eksperiencës së hidhur me protestat ambientaliste të Vlorës, të cilat bllokuan tani për tani zhvillimin e Termocentralit të Vlorës sipas projektit, qeveria shqiptare ka filluar të përdorë termin “ambientalizëm” sa herë që flitet për termocentrale, veçanërisht për ato me qymyr. Vetë industria ndërkombëtare e qymyrit ka nisur shumë vite më parë një fushatë për të përmirësuar imazhin e vet si industri ndotëse, duke shpallur shpikje teknologjike, të cilat në fakt janë ende në fazë eksperimentale. Termocentralet me qymyr mbeten edhe sot një nga industritë më ndotëse. Por brezi ardhshëm i TEC-ve me qymyr kanë një rendiment prej 45% të qymyrit të shpenzuar, ndërkohë që teknologjia ekzistuese ka një eficiencë termike prej 30%. Teknologjia e kapjes së dioksidit të karbonit dhe depozitimit nën tokë, mendohet se do të jetë gati për përdorim rreth vitit 2020 dhe për shkak se është tërësisht joeficiente nga pikëpamja ekonomike, askush nuk do ta përdorë atë.

Moda e TEC-ve me qymyr

Gjatë viteve të fundit, për shkak të rritjes së shpejtë të çmimit të naftës dhe gazit, qeveritë e vendeve europiane po nxisin qarqet e biznesit, t’i drejtohen qymyrit si burim energjie. Në Gjermani dhe në Itali janë dhënë licenca për termocentrale qymyri, pa asnjë kufizim mbi emisionet ndotëse. Gjermania mendon të importojë linjit nga Indonezia e vende të tjera pavarësisht se zotëron vetë burime të bollshme, për shkak të kostos më të ulët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›