Një mesazh nga Andi, i mbijetuar i Gërdecit
GREVA E URISË E PUNËTORËVE
Dje në darkë mora një nga telefonatat më të dhimbshme të jetës sime. Punëtorët e Gërdecit më njoftonin se fatkeqësisht kërkesat e tyre nuk ishin dëgjuar nga qeveria, se nuk kishin pasur asnjë reagim të vetëm, qoftë nga autoritetet lokale apo nga deputeti i zonës të cilit i ishin drejtuar disa herë. Si rrjedhojë e kësaj, ata kishin vendosur të ndërmerrnin masën e fundit të protestës, atë të vetësakrifikimit, pra të hynin në grevë urie. Ishte për mua pothuaj e pabesueshme që njerëz të tillë, që kishin vuajtur fizikisht dhe psikologjikisht pasojat e krimit më të rëndë shtetëror të ndodhur pas 1997, të detyroheshin të vinin shëndetin e tyre në rrezik. Dhe për çfarë? Për një listë kërkesash humane, të cilat përfshinin asistencë minimale shëndetësore dhe financiare për dëmet që ju ishin shkaktuar nga ky shtet dhe kjo qeveri.
I kam takuar disa herë përfaqësuesit e Shoqatës së Punëtorëve të Gërdecit në zyrat e “G99”. Më kanë bërë përshtypje modestia dhe urtësia e tyre, por dhe këmbëngulja në të drejtën që ju takon. I kam dëgjuar dhe respektuar duke u ndjerë shpesh herë në ankth sepse nuk kam ditur se si t’i ndihmoj. Teksa kam lajmëruar mediat për protestat e tyre, apo për fillimin e grevës së tyre, jam munduar t’ju jap atyre zërin publik që ju ka munguar. E përsëri kam ndjerë të njëjtën dhimbje që buron nga absurditeti, dhimbjen që buron nga padrejtësia dhe indiferenca, arroganca e një pushteti të papërgjegjshëm dhe vrastar, cinik dhe të pashpirt, një pushteti që “e ka mbyllur kapitullin e Gërdecit” .
Teksa ngryset dhe kjo ditë e zymtë, vëmendja lëviz nëpër tymnajën e përditshme të qeshjeve pa kuptim në televizor të Kryeministrit, ora e të cilit duket se ka ngelur në ditën e NATOS, nëpër kulisat dredharake dhe të pashpirta të një pjese të vogël që na mban ne shumicës peng drejtësinë dhe dinjitetin.
Kam frikë se ky realitet nuk do të ndryshojë për këta punëtorë të sakatosur. Kam frikë se ata do të mbeten viktimat e shpërthimit jo vetëm të Gërdecit. Teksa ngryset, kjo ditë mbart me vete shumë frikë për Andi Balliun, për Veli Xhiallin, për Adriatik Spahiun dhe të gjithë të tjerët që kanë hyrë në këtë grevë, në këtë dhimbje që ndjek një tjetër dhimbje.
Teksa mendoj për frikën, më shkon mendja tek Andi, i cili është dhe përfaqësuesi i Shoqatës së Punëtorëve të Gërdecit dhe që një ditë më dërgoi këtë mesazh. “Unë nuk kam më frikë. Në 15 Mars e takova vdekjen dhe i shpëtova. Unë do të hyj në grevë urie edhe sikur të mbetem i vetëm”. Po i shkruaj këto radhë për të thënë Andit dhe të gjithë punëtorëve të tjerë, se ata nuk do të jenë kurrë vetëm. Tragjedia e tyre është dhe e jona, dhe e gjithë qytetarëve të këtij vendi. Nga Gërdeci buron dhimbje e pacak, por fatmirësisht rrezaton dhe kurajë e pafund. Kini zemër, miqtë e mi, bashkë do t’ia dalim!