A po ikën Mustafë Halili!

Ka shumë vite që Mustafë Halili është i pari i kulturës së Prishtinës. Në një histori disa vjeçare dhe në rrugëtimin e tij kulturor, Halilit asnjëherë nuk iu është dridhur karrigia, duke qenë i pazëvendësueshëm.
Madje ndër vite ai priti e përcolli disa prej kryetarëve të Komunës së Prishtinës, vetë i palëkundur. E tash duket se mandati i dytë i fituar nga kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, do të sjellë ndryshime brenda këtij sektori.
Të enjten, apo më së largu të premten, do të ketë ndryshime dhe emërime të reja brenda Komunës së Prishtinës.
“Do të ketë emërime të reja brenda disa departamenteve në Komunë. Këto janë informata sot për sot”, thotë një burim i Express-it, brenda Komunës së Prishtinës.
Gjatë dy viteve të fundit, Departamenti i Kulturës ishte futur nën departamentin e Arsimit, mirëpo që nga sivjet do të ketë po ashtu Departament të Kulturës.
Emri më i përfolur që do ta zëvendësojë Mustaf Halilin, si i pari i Komunës së Prishtinës, sipas po këtij burimi, do të jetë Vlora Dumoshi.
“Nuk kam informata”, tha shkurt Dumoshi për Express.