Një komedi për xhelozinë në Teatrin e Metropolit
Bashkëpunimi
“Cafe Xhelosucht” do të ngjitet në skenë nga studentët e Durrësit
Në kuadrin e projektit teatror shqiptaro-gjerman, në skenën e Teatrit të Metropolit, në datat 30-31 janar, ora 19:00, studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit do të ngjisin komedinë “Cafe Xhelosucht”. Komedia, e ndërtuar mbi tekstet e dy autorëve (shqiptar e gjerman), me këngë të konceptuara në formë shakaje dhe me vargje të shtuara nga vetë studentët, do të sjellë në vëmendje fenomenin e xhelozisë. Pjesa është përgatitur nga Charlotte Siegerstetter, pedagoge në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, së bashku me një kolegun e saj gjerman. Shfaqja do të interpretohet në shqip dhe gjermanisht dhe pason një tjetër komedi të shfaqur më parë në kuadër të këtij projekti, “Armët dhe burri”. Siegerstetter shprehet se një nga objektivat e projektit teatror shqiptaro-gjerman është “të jenë bashkë studentë nga Shqipëria e Maqedonia, të punojnë së bashku, të udhëtojnë, të shkëmbejnë eksperiencat e tyre. Nga ana tjetër, ky bashkëpunim shërben për njohjen e vendeve përkatëse”. Pas Teatrit të Metropolit, komedia “Cafe Xhelosucht” do të shfaqet në datën 2 shkurt edhe në Pallatin e Kulturës në Durrës.
#