Një pasaportë shqiptare për Ahmed Januzin
Futbollisti kosovar, Ahmed Januzi, që aktivizohet në kampionatin ukrainas me Vorskla Polltavën, do të pajiset së shpejti me pasaportë shqiptare. Lajmin e bëjnë të ditur burime pranë FSHF-së, gjithashtu e konfirmon vetë sulmuesi i talentuar, i cili nëpërmjet linjës telefonike nga Ukraina, me ndërmjetësim të dyshes Dallku-Curri, ka rrëfyer edhe impresionet e para për debutimin me kombëtaren U-21 në miqësoren ndaj Maqedonisë. Kështu, pas futbollistëve kosovarë Arjan Beqaj, Lorik Cana, Besnik Hasi, Besart Berisha, Debatik Curri, Armend Dallku, Blerim Rrustemaj, Sajmir Ujkani, Mehmet Dragusha dhe Bekim Kastrati, 20-vjeçari Januzi bëhet futbollisti i 11-të kosovar që është pajisur me një pasaportë shqiptare.
- Ahmed, pas debutimit me kombëtaren U-21 ndaj Maqedonisë, duket se keni marrë viston nga ana e FSHF-së, për t'u pajisur me pasaportë shqiptare...?
- Eshtë e vërtetë. Aktualisht po bëj gati dokumentacionin për t'u pajisur me pasaportë shqiptare. Për mua dhe natyrisht për çdo futbollist kosovar, ëndrra është që të vesh fanellën kuqezi të kombëtares.
- Emocionet e para i keni ndier në miqësoren me Maqedoninë, apo jo?
- Natyrisht, ishte ndeshja ime e parë për kombëtaren U-21. U ndjeva shumë mirë dhe për këtë falënderoj anëtarët e ekipit Shpresa për mikpritjen që më bënë. U mundova që t'ua shpërbleja me lojë, ku mendoj se dhashë maksimumin në atë fitore.
- Trajneri Artan Bushati ju vlerësoi për lojën, duke cilësuar se Januzi bëri diferencën...?
- Një futbollist është i kënaqur, gjithnjë nëse trajneri vlerëson lojën e tij. Më bëhet qejfi që trajneri Bushati e ka thënë këtë.
- E prisni një ftesë të shpejtë nga trajneri i kombëtares, Ari Han?
- Unë fillimisht duhet të bëj punën mirë me ekipin U-21 dhe, pasi të kem bindur me paraqitjen time këtu, më pas është në dorë të trajnerit për të më thirrur. Në këtë moment as më shkon në mendje kjo gjë. Unë jam krenar që do të mund të përfaqësohem me kombëtaren shqiptare. Kudo që të luaj, si te U-21 apo në kombëtaren A, premtoj maksimumin tim.
- Si po shkon paraqitja te Vorskla, ku jenë bashkë me Currin dhe Dallkun?
- Te Vorskla kam që në shkurt të vitit 2007 dhe tashmë, si unë dhe gjithë ekipi po kalojmë një moment fantastik. Kemi arritur rezultate shumë të mirë dhe mendoj se si unë, Armendi dhe Debatiku, e kemi bërë mirë punën këtu. E rëndësishme është që jemi përshtatur mirë dhe çdo gjë po na shkon ashtu si duhet.
- Po të ardhmen ku e shikoni, afër apo larg Vorsklës?
- Unë jam 20 vjeç dhe, të them të drejtën, kam pasur shumë oferta për të lëvizur nga Vorskla. Por duke parë kushtet e mira këtu në Polltava, nuk kam dashur të lëvizë. Me Vorsklën jam edhe për një vit nën kontratë, ndërkohë që klubi më ka kërkuar të rinovojë edhe për tri vite të tjera. Këtë gjë e kam lënë pezull dhe do të pres mbylljen e sezonit, për t'i parë më mirë gjërat.