A5: Ftojmë Serbinë dhe Kosovën në NATO
Ministrat e Jashtëm të Kartës së Adriatikut A5 theksuan dje se mirëpresin që Kosova dhe Serbia t’i bashkohen së shpejti përpjekjeve të përbashkëta të vendeve të Kartës, duke bërë kështu të mundur që perspektiva euro-atlantike e Ballkanit Perëndimor të jetë forca kryesore lëvizëse për stabilitet të qëndrueshëm politik, social dhe ekonomik. Gjatë takimit të mbajtur dje në Tiranë, ministri Basha nënvizoi se së bashku me Kroacinë dhe Maqedoninë, në kuadër të A3, kemi qenë dhe do të jemi kurdoherë të gatshëm, konstruktivë dhe efikasë, për të çimentuar paqen dhe sigurinë në rajonin tonë, si dhe për të asistuar me përvojën tonë të gjitha vendet e tjera të rajonit që do të angazhohen në plotësimin e standardeve të anëtarësimit në strukturat euroatlantike. I dërguari i Sekretares së Shtetit, Klinton, zv. ndihmës i Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Stuart Jones rikonfirmoi angazhimin e administratës amerikane në Ballkanin Perëndimor, përshëndeti Shqipërinë për kryesimin e suksesshëm të Kartës së Adriatikut, cilësoi si një arritje shumë të rëndësishme për të gjithë rajonin tonë anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, si dhe vlerësoi lart reformat e ndërmarra nga vendet tona. Jones vlerësoi përpjekjet dhe arritjet e Maqedonisë, duke u shprehur se SHBA mirëpresin anëtarësimin e saj të shpejtë në NATO dhe inkurajoi Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi në angazhimin e tyre në procesin e integrimit euroatlantik.