Hapësira ajrore i besohet Turqisë
BLEDAR HOTI
Hapësira ajrore shqiptare do të jetë nën patrullimin e bazës ushtarake të Izmirit të Turqisë. Integriteti territorial ajror i Shqipërisë do të jetë kompetencë e bazës ushtarake të NATO-s në Turqi. Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për ti lënë hapësirës ajrore vendit aleat të NATO-s, Turqisë deri në rritjes së kapacitete ushtrisë shqiptare. Hapësira ajrore do të patrullohet sipas marrëveshjes deri në vitin 2012. Marrëveshja “Për patrullimin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë” është diskutuar dhe miratuar në komisionin parlamentar të Sigurisë. Arsyeja e dislokimit të avionëve të NATO-s në bazën ushtarake turke të Izmirit lidhet me faktin se vendi ynë ende nuk i përgjigjet me mjetet e nevojshme kërkesës për sigurimin kolektiv. Qeveria në vendimin e saj bën të ditur se një operacion i tillë ka marrë edhe bekimin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. “Një operacion i tillë autorizohet nëpërmjet direktivës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s (SG 20090170) mbi policimin ajror të NATO-s mbi Shqipërinë”, e cila ka hyrë me procedurë të heshtur më datën 4 mars 2009, ora 18.00”, thuhet në relacionin e qeverisë. Ndërsa në të jepen arsyet se pse duhej të jetë pikërisht kjo bazë në qendër në Izmir të Turqisë. “Komiteti ushtarak i NATO-s, saktëson se Shqipëria nuk ka kapacitet e mjaftueshme për kryerjen e “Air Policing” (Patrullimit Ajror). Komiteti ushtarak i NATO-s ka argumentuar se për shkak të mungesës së sistemit C2 dhe radarëve dhe infrastrukturës së nevojshme aeroportuale, avionët e NATO-s mund të dislokohen në aerodromet tona për kryerjen e misionit. Në këto kushte, NATO sugjeron realizimin e këtij kontrolli me avionët e vendeve të tjera aleate, të cilët do të kontrollojnë hapësirën ajrore shqiptare”, thuhet në relacionin e paraqitur nga qeveria. Baza përgjegjëse për rajonin e Ballkanit, sipas relacionit të Këshillit të Ministrave, është ajo Ç AIR Izmir. Ministria e Mbrojtjes, sipas relacionit të qeverisë, në negociatat që ka zhvilluar me Komandën e Izmirit në Tiranë dhe Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror, ka propozuar që të realizohet mbi bazën e një memorandumi, por kjo nuk është pranuar nga ana e NATO-s, pasi nuk ka praktika të tilla me vendet e tjera anëtare të Aleancës, çka detyroi qeverinë shqiptare ta paraqesë në formën e një projektligji për t’u miratuar në Kuvend. Drafti përmban katër nene gjithsej, ku theksohet lejimi i patrullimit të hapësirës ajrore të Shqipërisë nga forcat ajrore të NATO-s. “Autorizohet Këshilli i Ministrave të lidhë marrëveshjet përkatëse me strukturat e NATO-s, për zbatimin e këtij ligji.