ODIHR: Të aplikohet për karta identiteti
ODIHR shprehet se do të ndjekë nga afër procesin e pajisjes së shtetasve shqiptarë me kartat e identitetit. Në ditën e parë të daljes zyrtare të misionit të ODIHR-it, që do të monitorojë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ambasadorja Audrey Glover ka prezantuar disa nga fushat që do të monitorojë grupi i vëzhguesve afatgjatë në Shqipëri, ku në plan të parë është edhe mënyra e shpërndarjes së letërnjoftimit elektronik. “Për sa i përket çështjes me kartat e identitetit, prej shumë kohësh ODIHR ka këshilluar që qytetarët të pajisen me këto karta dhe na vjen mirë që shohim që ky proces tashmë ka filluar, por është në dorë të autoriteteve për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e procesit. Por siç ju thashë, kjo është një fushë me shumë rëndësi dhe ne do ta ndjekim me kujdes”, tha shefja e misionit Glover në konferencën e djeshme për shtyp. Skuadra kryesore përbëhet nga 14 persona nga 10 shtete të ndryshme, ndërsa ODIHR ka 26 vëzhgues afatgjatë të cilët do të mbërrijnë në fund të javës tjetër. Ato do të instruktohen dhe do të dislokohen nëpër rrethe gjatë fundjavës së ardhshme. “Ne kemi kërkuar 400 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të mbërrijnë pak ditë përpara ditës së zgjedhjeve. Duhet theksuar edhe një herë fort se roli ynë është të vëzhgojnë dhe të raportojmë dhe jo të ndërhyjmë në procesin zgjedhor, ne nuk jemi policia e zgjedhjeve”, deklaroi ambasadorja Glover. Ndërsa bëri të ditur se vëzhguesit në ditën e zgjedhjeve do të ndahen në mënyrë të barabartë, duke mos u fokusuar si në herët e tjera në zonat e ashtuquajtura të nxehta.